E Hënë, 2 Nëntor 2026

Oficeri i policisë masakron rojen e parkingut

27/05/2005  Agim Hoxha, efektiv i Komisariatit nr.3, lë të vdekur pas grushtave Besnik Pashën

TIRANË- Oficeri i Policisë Gjyqësore në Komisariatin numër 3, Agim Hoxha, masakron me grushta e shqelma rojen e parkingut para Bankës Amerikane, njëkohësisht edhe shitës i paketave. Më pas e shtyn në trotuar, ndërsa viktima bie prapa me kokë dhe pëson traum të rëndë. Hemorragjia dhe plaga e thellë deri në tru, i sjell vdekjen 53-vjeçarit me origjinë nga Mallakastra dhe banues pranë "Shkollës së Bashkuar" në Tiranë, Besnik Pasha. Ngjarja, sipas burimeve policore, ka ndodhur në orën 09.30 të dy ditëve më parë, pranë "Vilës 30", tek "ish-Blloku", ndërsa autori i ngjarjes ka braktisur bashkëshorten e makinën dhe u zhduk në drejtim të paditur, për t’u dorëzuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në komisariatin ku ai shërben. Plaga e ngjarjes ishte e thellë për familjarët e Pashës, të cilët ndihen tepër të indinjuar nga ky veprim i kryer nga një individ që përfaqëson shtetin. "Për vota e kemi shtetin, por për të dënuar kriminelët nuk e paskemi", tha dje për gazetën "Metropol" vjehrri i Besnikut, Ahmet Jaha. Raporti i Mjekësisë Ligjore përcjell fjali rrënqethëse, që flasin për hematoma, çarje të fytyrës e më pas plagë që depërtojnë në tru.

Ngjarja

Në orën 09.20 të dy ditëve më parë, Besnik Pasha vëren që në drejtim të vendit që ai kishte në dorëzim për të ruajtur, vjen një makinë luksoze. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se me mirësjellje ai i drejtohet drejtuesit të mjetit, duke i thënë: "Të lutem zotëri, ky vend është i rezervuar". Përgjigjja që mori, sipas dëshmitarëve, i përkiste një fjalori rrugësh nga personi me syze, që nuk i hoqi për asnjë çast, edhe gjatë masakrës. Agim Hoxha zbret nga makina dhe e godet menjëherë me grusht në fytyrë, e më pas vazhdon duke e qwlluar nw trup. Pasha bie në gjunjë dhe shtyrja përfundimtare e rrëzon atë në bordurë me pjesën e prapme të kokës. Oficeri i Policisë Gjyqësore largohet, lë makinën dhe bashkëshorten që ndodhej brenda. Një shitëse paketash e ndihmon e para të plagosurin, i cili filloi të nxirrte gjak nga goja. Për 11 orë e 30 minuta, 53-vjeçari u ndodh mes jetës e vdekjes në Spitalin Ushtarak dhe ndërroi jetë në mesnatë. Më pas trupi i tij i pajetë u dërgua në morg.

Dorëzimi i oficerit

Burimet policore të Komisariatit numër 3 thanë se, që në momentin kur ndodhi ngjarja mbërritën efektivë të shumtë, që e kërkuan oficerin për ta arrestuar. Ndërsa mëngjesin e djeshëm, Agim Hoxha shkon në komisariat dhe kërkon t’i vihen menjëherë prangat, pasi pranoi se kishte konsumuar krim. Tashmë ka nisur një hetim intensiv, i koordinuar edhe nga Prokuroria.

Mjekët: Në trupin e viktimës kishte shenja dhune

Trupi i pajetë i viktimës qëndroi për disa orë në morgun e Tiranës, por gjithsesi plagët ishin tepër të rënda. Burimet nga morgu i Tiranës thanë për gazetën "Metropol", se rasti ishte tepër i rëndë. Viheshin re shenja dhune në të gjithë trupin, por çarja në kokë ishte shkaktuar nga përplasja me trotuarin. Sipas mjekëve eksperto-ligjorë, Besniku nuk kishte asnjë mundësi për të mbijetuar, pasi qëndrimi i tij në reanimacion kishte paraqitur vështirësi, si pasojë e çarjes së kafkës.

Hamdi Kalemi, dëshmitar në vendngjarje, rrëfen për gazetën "Metropol" minutat e ngjarjes

"E qëlloi disa herë dhe u largua me vrap"

TIRANË- "I thoja gjithmonë, shko ore në vendin tënd e shit paketat, mos rri këtu me mua. E njihja prej kohësh atë njeri që nuk prishi njëherë qejf. Jeta qenka e pamëshirshme. Nuk di si ta përcaktoj këtë ngjarje kaq të dhimbshme". Kështu fillon të thotë fjalët e para, miku i Pashës, Hamdi Kalemi, i cili punon roje në një nga aktivitetet e shumta të ish-Bllokut. Ai rrëfen për gazetën "Metropol" disa pjesë nga ngjarja e rëndë që implikon Policinë e Tiranës në një skandal...

Cilat ishin rrethanat e ngjarjes së rëndë?

Besniku kishte dalë si përditë në punën e tij. Në fakt, ai edhe shiste paketa edhe ruante disa vende të rezervuara këtu përballë. Një nga banorët e pallatit e kishte rezervuar vendin dhe paguante taksë në Bashki. Me të mbërritur makina, Besniku i shkoi menjëherë dhe i tha se vendi ishte i rezervuar. Shoferi i makinës zbriti dhe e shau, duke i treguar edhe kush ishte. Më pas e goditi disa herë, derisa ra në beton. Mbaj mend që u largua me vrap. E pamë që në atë moment se Niku nuk do mbijetonte, plagët dukeshin të rënda.

Ju ishit miku i Besnikut, mos u tregua gjaknxehtë dhe filloi i pari sherrin?

Absolutisht jo. E njihnim të gjithë. Besniku nuk i bën keq askujt dhe ishte tip miqësor, kurrsesi nuk mundej ai të bënte këtë gjë. Të gjithë e pamë se si ai i foli me mirësjellje, duke i shpjeguar se vendi ishte i zënë. Besnikun e njoh prej muajsh, sepse kishim edhe punët afër me njëri-tjetrin. Ishte mik i mirë dhe familjar i shkëlqyer. Punoi gjithë jetën me ndershmëri e sinqeritet.

Vjehrri: Sa kohë që ka njerëz të tillë, s’ka shtet

TIRANË- Mustaqet e bardha e të gjata në fytyrë e paraqesin si një plak të përballur me jetën. Vjehrri i viktimës, Ahmet Jaha, rreth 75 vjeç, rrëfen për gazetën përpjekjet e dhëndrit për të siguruar një jetesë më të mirë në Tiranë, vuajtjet e një ish-çobani që u përpoq që dy djemtë t’i edukonte e t’u jepte shkollë. Mes vorbullës së madhe të njerëzve të afërm, që vinin për ngushëllime në këtë familje, që banon te vendi i quajtur "Katrori", pranë shkollës "Bajram Curri", plaku Jaha sjell ndërmed luftën për të ndërtuar një Shqipëri pa kriminelë e të lirë. Me të marrë vesh lajmin se autori i ngjarjes ishte efektivi i policisë së Tiranës, ai reagon dhe ndihet tepër i indinjuar. "Qeveria duhet të marrë masa, të mos zhdukë ligjet për kriminelët. E ç’borxh i kemi ne atij njeriu që na mori jetën e Besnikut, ç’borxh i ka ai shoqërisë e kombit. Sa kohë që ka njerëz të tillë, s’ka shtet", thotë Jaha. Më pas, ai ka dëshirë të rrëfejë për jetën, arritjet e vuajtjet e familjes së Besnikut. "Ka lindur në fshatin Kremenar të Mallakastrës. Punoi si çoban e kur u bë burrë u martua me Zyrakon, gruan e tij. Zoti u dha dy fëmijë të mrekullueshëm, Armandin dhe Taipin. Vuajtje e përpjekje të mëdha kanë hequr. I vëllai, Guriu, i cili ishte oficer në Tiranë, i ndihmoi që në vitin 2004 të vijnë me banim në Tiranë. Djali i madh Armandi, 26 vjeç, mbaroi shkollën ushtarake, ndërsa i vogli, Taipi, 24 vjeç shkoi në Greqi", mbaron fjalët e tij Jaha.

Motra: Qeveria ta arrestojë, më vrau vëllain pa faj

TIRANË- "Oi, o të vrau katili oi, o shpirt i motrës oi". Fjalë që dilnin nga thellësia e zemrës, indinjatë, dhimbje, mort e zi. Kudo në këtë familje ndihej brenga e madhe për humbjen e njeriut të tyre të zemrës. Motra e të ndjerit, Dallëndyshe Hilaj, vajtonte me lot të nxehtë bashkë me njerëzit e tjerë, të afërm të Besnikut. Ata e morën vesh tepër vonë që autori i ngjarjes ishte një efektiv i policisë, pasi kishin të dhëna se ai ishte një nga bodigardët e një dikasteri. Dallëndyshja kërkon ndihmën e menjëhershme të shtetit e një ndëshkim maksimal për autorin e ngjarjes. "I lutemi shtetit ta arrestojë e t’i vënë prangat. Ai njeri që më mori jetën e vëllait, duhet të marrë dënim për krimin që ka kryer". Zhgënjimi nga njerëzit që punojnë për ruajtjen e rendit që vrasin qytetarë në vendin e punës, ndihej në çdo cep të shtëpisë. Të gjithë kërkojnë shpagim e drejtësi. Edhe djali i xhaxhait të Besnikut, Arben Pasha, tha për gazetën se kësaj ngjarjeje i duhet shkuar deri në fund, për të nxjerrë në pah të vërtetën e për të vendosur drejtësinë që i takon. "Ne rrjedhim nga një familje e edukuar dhe unë jam i mendimit që kjo ngjarje duhet të përfundojë në duart e të gjithë zyrtarëve, për të na lehtësuar ndopak dhimbjen me ndëshkimin e autorit të ngjarjes", tha ai.

Vdekja e Eurigert Cekës në komisariatin e Rrëshenit

Më datë datë 08.07.2004, rreth orës 13.00, në Spitalin Ushtarak Tiranë, ka vdekur shtetasi Eriguert Ceka, i mitur, i dtl. 10.06.1987, i paraburgosur në qelitë e Komisariatit të Rrëshenit. Viktima është arrestuar një muaj më parë, së bashku me katër bashkëmoshtarë të tij, me akuzën e “vjedhjes në bashkëpunim”. Sipas informacionit zyrtar të Komisariatit të Policisë në Rrëshen, më datë 5 korrik, ora 17.10, midis E.Cekës, 17-vjeçar dhe të paraburgosurit K.Medja, 19-vjeçar, ka nisur një grindje për motive të dobëta, e cila ka përfunduar në një zënie me grushta. Roja i Shërbimit të Brendshëm, Gjon Reçi, ka njoftuar sallën operative. Më pas ky i fundit së bashku me përgjegjësin e informacionit, Viktor Shtefaragu, janë futur në dhomën nr.6, ku kishte ndodhur grindja, duke i marrë dy të paraburgosurit dhe duke i çuar në dhomën e hetuesisë, e cila ndodhet disa metra më tutje.

Pas dërgimit në dhomë dhe hetuesi Ceka, sipas policisë, ka përplasur kokën në dysheme. Dërgimi në spital ka qenë i pafat, pasi ai ka humbur jetën.

Vdekja e mistershme e mësuesit Gjon Gjonaj

Afro 2 vjet më parë, blutë e komisariatit të Laçit shoqëruan në ambientet policore mësuesin nga Laçi, Gjon Gjoni. 46-vjeçari ishte punësuar në lokalin e një "të forti" të Kurbinit si mbajtës i faturave hyrëse e dalëse. Profesioni i tij i vërtetë ishte mësuesia, por paga e ulët që merrte në arsim nuk i dilte të ushqente familjen. Ky ishte shkaku që e detyronte të punësohej tek garipi i zonës. Gjatë një kontrolli të ushtruar në lokalin në fjalë, policia shoqëroi dhe mësuesin. Pak orë pas marrjes në polici, mësuesi ndërroi jetë. Megjithë zhurmën e madhe që bëri në media e në strukturat përkatëse vdekja e Gjon Gjonit, u dënua vetëm një nga oficerët e shërbimit të rojës natën e ngjarjes.

Artan Pjetri është rrahur në qelitë e Durrësit

Artan Pjetri i arrestuar në qytetin e Durrësit për krimin e vjedhjes me dhunë të mbetur në tentativë, ka deklaruar në sallën e gjyqit të krimeve të rënda se, policia ka ushtruar dhunë fizike dhe tortura psikologjike të vazhdueshme. Nuk mungojnë edhe cigaret e shuara në pjesë të ndryshme të trupit. Hunda e të pandehurit ishte e fashuar në sallë. "Unë kam parë mbi trupin tim tortura të shumta. Policia nuk ka bërë gjë tjetër, por që nga dita e arrestimit dhe deri më sot vetëm më ka torturuar". Kështu është shprehur gjatë seancës i pandehuri. Nëna e të pandehurit ka thënë se "ma kanë rrahur katër herë djalin në qeli. Kjo është polici e dhunshme“.

Gazmend Tahirllari u dhunua dhe vdiq nga policia e Korçës

Gazmend Tahirllari, 35 vjeç, baba i një fëmije 11-muajsh, u arrestua në ditët e para të Vitit të Ri 2002, pasi pretendohej se kishte keqtrajtuar bashkëshorten e tij dhe goditur një taksist të fshatit, i cili e kishte ndihmuar atë për ta çuar tek prindërit e saj. Pas arrestimit, 35-vjeçari Tahirllari nuk u dërgua në qelitë e komisiariatit të Korçës, por në spital, pasi, sipas uniformave blu, nuk ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore për shkak të konsumimit të tepërt të alkoolit. Pas dy ditësh, Tahirllari vdes në spital. Fill pas vdekjes së tij, familjarët akuzuan policinë për dhunë ndaj 35-vjeçarit. Këtë e pohuan edhe bashkëfshatarët e viktimës, të cilët panë me sytë e tyre aksionin e policisë dhe dhunën që policia ushtronte ndaj 35-vjeçarit. Ndërsa policia dhe grupi hetimor i ngritur për këtë çështje këmbëngulnin se Gazmendi vdiq nga alkooli, të afërmit e tij kërkuan zhvarrimin për një ekspertizë të re. Aktekspertiza e kryer nga ekspertë të Tiranës nxori si konkluzion se 35-vjeçari Tahirllari ka vdekur për shkak të dhunës policore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›