E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tritol në mesnatë makinës, pa viktima

27/05/2005  Konflikt i vjetër

GRAMSH - Një shpërthimi i fuqishëm eksplozivi ka tronditur mesnatën e së mërkurës qytetin e Gramshit. Lënda plasëse e vënë në mjetin e shtetasit Zamir Hoxhalli, fatmirësisht nuk ka shkaktuar asnjë viktimë, por vetëm dëme materiale.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Xhile Liçi”, kur një automjet i parkuar ka shpërthyer nga një eksploziv, që mendohet të ketë qenë i tipit tritol. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se ka qenë ora 23.45, kur banorët e zonës kanë dëgjuar një shpërthim, i cili ka ardhur nga automjeti i shkatërruar plotësisht. Burime nga komisariati i Gramshit bëjnë të ditur se është dëmtuar plotësisht mjeti tip “Golf”, me targa CA 928 EP, i cili i përkiste shtetasit Zamir Hoxhalli.

Menjëherë pas shpërthimit, në drejtim të lagjes “Xhile Liçi” kanë shkuar forca të policisë së komisariatit gramshiot.

Grupi i hetimit ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe ka marrë deklarimet jo vetëm të pronarit të mjetit të shkatërruar plotësisht, por edhe të banorëve të zonës, për të bërë të mundur identifikimin e bombëvënësve.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ngjarja mund të jetë pasojë e një konflikti të vjetër mes pronarit të makinës dhe një shtetasi tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për median për arsye hetimore. Gjithsesi, burimet zyrtare nga ky komisariat kanë pohuar dje për gazetën “Metropol” se po punojnë në disa pista për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, por deri më tani përveç dyshimeve duket se nuk kanë asnjë provë tjetër në dorë.

Personat e shoqëruar për këtë ngjarje pasi janë marrë në pyetje, mësohet se më pas janë lënë të lirë. Të tronditur nga ngjarja në fjalë, e rrallë për qytetin e Gramshit, gjatë viteve të fundit, nuk ka mbetur vetëm pronarin e automjetit të shkatërruar nga lënda plasëse, por edhe banorët e pallatit, të cilët gjithashtu kanë pësuar dëmtime, sidomos në xhamat e dritareve, të cilat iu janë thyer.

PRECEDENTI/ 18 dhjetor 2004

Hidhet në erë makina e tatimorëve

GRAMSH - Një shpërthim eksplozivi ndodhi gjatë kësaj mesnate në qytetin e Gramshit. Shpërthimi ndodhi jo më larg se një metër automjetit të Policisë Tatimore, që i përkiste shoferit Dashnor Hasa dhe shkaktoi edhe dëme të mëdha, kryesisht thyerje xhamash, të një pallati aty pranë. Ngjarja ndodhi në lagjen “Sporti”, përballë pallatit nr.160, ku automjeti tip “Opel”, me targa GR 0217 B, pronë e degës së tatimeve u dmëtua pjesërisht në pjesën e bagazhit dhe të xhamave. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, policia e Gramshit heton në disa pista, ndër të cilat edhe mesazhi i mundshëm kërcënues ndaj shoferit të degës së tatimeve, Dashnor Hasa. Ndër pistat e hetimit, janë edhe kërcënimi i mundshëm i banorëve të tjerë të pallatit, apo edhe konsiderimi i saj si vepër e adoleshentëve pas ndonjë grindjeje midis tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›