Skulptori i kthen homazhin poetit aty ku arti takohet me artin
20/12/2011 Me rastin e 112-vjetorit të lindjes së poetit të madh Lasgush Poradeci
(27 dhjetor 1899–12 nëntor 1987)
Skulptori i Popullit Muntaz Dhrami është takuar vetëm një herë me poetin Lasgush Poradeci dhe kanë shkëmbyer vetëm disa fjalë të thjeshta:
- Cili je ti mor djalë? Nga je?
- Nga Gjirokastra.
- Çfarë je?
- Skulptor.
- Si shkon me Paskalin?
- Mirë, shumë mirë shkojmë. E kemi pasur profesor.
Kaq dhe janë ndarë. Një takim i thjeshtë. Këtë imazh të përftuar në atë kohë të largët skulptori e mbart me vete, lë gjurmë në kohën kur as që i shkonte mendja se një ditë do t’i ngrinte monument poetit të madh.
Vjen një ditë kur Bashkia e qytetit të Pogradecit i kërkon ngritjen e shtatores së poetit-emblemë, që për të ishte krejt i veçantë. I përmbushet një dëshirë. Ka emocion dhe i ringjallet gjithçka lidhet me poetin. Fillon e skicon, hedh figurat e para në letër, rri mendohet, ndez një cigare, zhytet në leximin e poezive, grumbullon fotografi të shumta, i studion me orë të gjata, i harruar dhe duart marrin baltën dhe e sjell e risjell nëpër gishtërinj në modelime shpeshherë të pavullnetshme.
Copat e baltës ngjiten njëra pas tjetrës, ku shpirti, syri dhe duart bëhen një. Dhe vjen një çast fatlum: papritur modelimi merr jetë... Dalëngadalë përvijohen format e para plastike dhe para syve ka bocetin e parë. Por nuk është i kënaqur. Kërkon më shumë. Bën bocet pas boceti. Diçka shton e diçka heq deri... deri kur? Derisa ende shpirti nuk është zbrazur.
Imazhi i dikurshëm i qëndroi i gjallë, rrinte i strukur dhe shtresuar diku në vetëdijen e artistit, befas i shpërthen furishëm, fillon e afrohet me shpejtësi, e shqetëson, bëhet pjesë e jetës së tij, kërkon të formësohet, shtyhet e tërhiqet në një luftë artistike të pandërprerë. “Ky imazh i dikurshëm ishte thelbësor, - shprehet skulptori, - sepse, kur erdhi koha që do të bëja monumentin, e kisha të freskët figurën e tij. Sigurisht, materiali fotografik, leximi më i thellë i poezive dhe i biografisë së tij më dhanë dorë që të thellohesha më tepër, të mos mbetesha me atë takim të kufizuar të bërë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve.”
Në mendje i ringjallen detaje të shumta, silueta dhe tiparet, sytë e zjarrtë e buzëqeshja e përhershme, mollëzat e dukshme, vështrimi i ngulët e zhbirues e mbi të gjitha silueta, ecja, qëndrimi. Kjo është ana e jashtme. Kërkon brenda figurës për të kapur atë çka e dallon, veçon dhe e ngre lart poetin. Të gjitha i kthehen në pikënisje për kompozimin, plotësimin dhe realizimin e shtatores.
Kjo është mrekullia e artit të skulptorit, kur nga shpirti i del dhe i zhvillohet vepra si një vegim i largët, që kërkon shumë më tepër, ku mblidhet përvoja e gjatë, talenti, qëndrueshmëria ndaj së vërtetës, realizmi dhe kërkesat artistike që krijuesi mbart, cilësi që artisti i ka zhvilluar në kohë. Ai nuk shmanget nga arti i tij, del në vetvete, pas ka me dhjetëra monumente që ka realizuar, e megjithatë për të secili është diçka e re e paprovuar më parë.
Këtë herë ka të bëjë me një poet, një artist dhe ndien detyrimin e kthimit sadopak të nderimit që ka ndier në vite ndaj poezisë e tharmit poetik, të vargjeve që ka recituar në moshën e rinisë e më pas dhe kërkon e kërkon me ngulm.
Te skulptorët fuqia e forcës fizike lidhet me fuqinë e ndjenjës e të mendjes. Ata janë njerëzit me duart më të fuqishme, dhe kjo fuqi shprehet në shtrëngimin e dorës kur takohesh me skulptorin. Këtë forcë kërkon ta derdhë në formësimin e shtatores së ardhshme. Nuk ka asnjë ngurrim. Lasgushi është i tij, e ndien, e ka brenda vetes dhe kështu fillon ngjizja e figurës. Si fillim ka një shtysë, një vegim, një feksje si shkrehje blici, ku ravijëzohet takimi i largët.
Bëri njeri pas tjetrit rreth 12 bocete, veç vizatimeve të ndryshme, duke i ballafaquar me njëri-tjetrin. Ishte, si të thuash, një konkurs brenda vetvetes. E ka imagjinuar Lasgushin herë pranë liqenit e herë të tjera të shoqëruar me pulëbardhat, me qenin e tij, me bashkëkohësit dhe diku në një bocet e mendonte figurën e poetit të zgavruar dhe brenda tyre të ishin valët e liqenit, pulëbardhat... Mirëpo disa i dukeshin trajtime formaliste. Gjithsesi, nuk i largohet abstragimit të figurës dhe abstragimi i figurave për të mund të bëhet në pjesë të veçanta, por për sa i përket trajtimit të plotë të figurës mendon se duhet të jetë realist, ku shikuesit ta njohin atë që trajton në një vepër arti. U krijuan kështu një tërësi figurash, që gjatë procesit krijues disa nga ato u shmangën, për të kaluar në mbylljen e figurës si një zinxhir krijues, duke kërkuar monumentalen
Skulptorin gjithnjë e më shumë e tërheq Lasgushi, mënyra se si fliste e lëvizte me duar, si dialogonte, si të shikonte. Vështrimi bëhet pikë nyjeje e kompozimit. Është vështrimi i poetit, një vështrim i thellë nën buzagazin idhnak në buzë. Këto do të bëheshin detajet më domethënëse të portretit të shtatores. Por nga trupi ai vinte i imët dhe duhej dhënë në mënyrë monumentale, në të kundërt shtatorja do të bjerrë në vlera. Atëherë i rikthehet edhe një herë punës, kërkon e kërkon detaje të tjera. Zgalemat në liqen... jo, jo, duhet diçka më domethënëse, më njerëzore e përgjithësuese. “Bastuni... po sikur pranë t’i vë mikun e tij të madh, qenin, Cucin e dashur, që sillej aq besnikërisht këmbëve të poetit?” Kush e ka takuar poetin, e di se qeni ishte miku më i mirë dhe a nuk kishte shkuar bashkë me të në një takim në Komitetin Ekzekutiv të qytetit, ku nuk e kishin lejuar, por ai nuk kishte ngulmuar më tej dhe ishte larguar. “E po, nëse nuk më pranoni Cucin, as unë nuk futem brenda!”
Lazgushi vijon e futet më thellë brenda shpirtit të skulptorit, e shqetëson. Tashmë i është ngjitur pas, është bërë hija e tij e dytë. Kërkon me mendje format plastike, ëndërron monumentin e ardhshëm, vendin ku duhet të vendoset, gjurmën që duhet të lërë dhe si duhet të jetë ajo, realizimin në natyrë, në mjedisin përreth dhe gjithçka tjetër që lidhet me veprën e artit. Disa herë do të marrë rrugën deri në Pogradec, do të endet buzë liqerit të qytetit, do të bisedojë me njerëz të njohur e miq të poetit, duke kërkuar gjurmët e tij kudo ku u ngjiz magjia e poezisë lasgushiane.
Fillon e skicon përsëri dhe dalëngadalë imazhi i Lasgushit kthehet në një formë jetësore, që merr frymë me anë të formave skulpturore, nën ritmin e plastikës dhe ravijëzimet e siluetave. Kështu, monumenti i ardhshëm kërkon të dalë jashtë qenies së tij dhe skulptori nuk e mban dot. Punon me orë të tëra, të gjata, shpeshherë i vetëm. Ndihet në studio aroma e poetit, vargjet e tij kumbuese.
Kjo është rruga e krijuesit, kur gjetjet artistike në forma vëllimore fillojnë e kërkojnë trajtimin, gjetjen e çastit të artë, kur veprën e shikon të plotë dhe duart të hanë për punë. Por ende është larg. I duhet punë, përsëri punë në përsiatje të vazhdueshme.
Pogradecarët janë njerëz të veçantë, shumë të lidhur me poetin. Dhe sot ai është i gjallë mes tyre. Shpesh në biseda ai është aty, jep e merr me ta e sikur dëgjojnë kumbimin e zërit i tij të paktë, por të kthjellët, me atë timbrin veçantë e të folurën plot zjarr në një e rrjedhshmëri poetike të paparë. Poezitë e tij i dinë të tërë përmendsh, e përkujtojnë në përvjetorë dhe kërkesa e tyre është e qartë: ata duan një Lasgush jetësor, të thjeshtë e të madhërishëm, siç ishte vjershëtori i qytetit dhe miku i tyre në gjallje e në vdekje. Krijimi i skulptorit do të mbarte edhe peshën e kërkesën e qytetit. Rrallë të qëllon që në vepër arti të ndiesh peshën e rëndë emocionale që të përcjellë një qytet i tërë, ndaj dhe skulptori mediton e mediton, u rikthehet poezive, fotografive, skicave dhe miqve të poetit.
Vepra artistike nuk është vetëm trill, dhe skulptori e ndien këtë. Ajo kërkon edhe tharmin, veçanësinë dhe artin e mirëfilltë, vlerën në radhë të parë. Pa vlerë nuk ka vepër arti.
Lasgushi ishte poet krejt i veçantë, me vlagë krijimi drithërues, një zgalem me gjoksin hapur, krejt larg kohës dhe njëherazi brenda saj më shumë se askush tjetër. Rebel dhe kokëkrisur, ëndërrimtar dhe kryeneç, i vetëdijshëm dhe i papërkulur ndaj çdo regjimi, i pastër dhe filozof, i thellë dhe mendimtar, ironik dhe kritikues, fjalëpakë e punëtor i madh, përkthyes i jashtëzakonshëm dhe njëherë do të shprehej se nuk është poet ai që nuk është orvatur një herë të vrasë veten në jetën e tij, gjë që ai e kishte bërë vërtet ato ditë të ftohta nëntori, kur ishte çliruar Tirana, duke u futur në qilar me revolen në gojë dhe... por gishtin nuk e kishte ngritur. Lemeria e Luftës së Dytë Botërore për të kishte qenë më shumë se mbresëlënëse. Milionat e të vrarëve i përmendte sa herë që binte fjala. Artisti nuk ua nënshtroi kurrë artin e tij kërkesave dhe synimeve të diktaturës, nuk u përkul e mbijetoi me artin e tij të madh.
Ky ishte Lasgushi, mjeshtër dhe gjeni i vargut, i veçuar dhe i harruar, i gjallë dhe në dhe i kallur... dhe vargëzonte në shqip mjeshtrit e mëdhenj Eseninin, Majakovskin, “Eugen Onjegin" e Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe të Hajnes, poezi të Lenaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj. në një punë rraskapitëse... Por Lasgushi ishte i thjeshtë e madhështor, emblemë e qytetit, pjesë e peizazhit artistik të tij.
Përsëri e përsëri në kërkim. Skulptori nuk është ende i mbushur. Kërkon miq të afërt dhe u drejtohet dy figurave që e kanë njohur nga afër. Takohet me poetin e arkitektin Petraq Kolevica dhe me shkrimtarin Nasho Jorgaqi. Ata bëhen në njëfarë mënyre konsulentët e tij në punë. “Për fat të keq, - shprehet autori, - Petraq Kolevica nuk më dha dot ndonjë mendim për zgjidhjen kompozicionale, sepse nuk shikonte nga sytë, por gjithsesi ai me bisedat e librat që ka shkruar më dha një ndihmë shumë të madhe, e cila më ndihmoi në procesin e punës. Nasho Jorgaqi e ka ndjekur punën gjatë modelimit nga bocetet në përmasat e mëdha. Ishin personalitete që e kanë njohur më nga afër Lasgushin dhe ishin më kompetentë për të bërë vërejtje të karakterit të figurës, të kompozimit e të zgjidhjes plastike.”
Bisedat e gjata në studio, ku skulptori dëgjon rrëfenja për poetin, bëma të tij, reciton poezitë e mrekullueshme dhe shpirti i mbushet, duart ngjeshin e kthejnë baltën, ngrenë vepra, pasurohet në detaje shprehëse, duke e nxjerrë gjithnjë e më shumë nga qëndrimi statik. Lasgushi merr jetë. Si valët e Liqenit i vijnë dallgë-dallgë bashkë me poezitë edhe modelimet e formave, gjetjet artistike.
Nga studioja shkon në Pogradec, sepse vepra aty do të vendoset, duhet të jetë e njësuar me të. Të gjitha këto kthehen e rikthehen në shpirtin e skulptorit. Këtë radhë ka marrë me vete një skicim të madh në karton, aq sa mendon se do të ngrihet shtatorja dhe e vendos pranë liqenit. Ulet diku në një stol e shikon e shikon monumentin e ardhshëm. Por duhet me vështrim nga liqeni, të cilit i thuri aq vargje të bukura, ku ende endet shpirti i tij. Shtatorja duhet të hyjë natyrshëm në jetën e pogradecarëve. Pa një siluetë të fortë, të dukshme dhe të ngjashme shtatorja nuk do të pëlqehej. Atëherë skulptori ngulmon në mijëra e mijëra silueta që përbëjnë skulpturën, sepse e di se qoftë dhe një siluetë t’i mungojë vepra e artit do të ishte e mangët.
Poeti duhet të japë e të marrë me liqenin, të ndihet flladi i erës në fytyrën e tij dhe ai paqëtim ngazëllues në sytë e qeshur nën kapelën simbolike në kokë. Një detaj shpesh bëhet mjet zbërthimi për veprën e artit dhe që vepra të qëndrojë duhet të dalë vetvetiu nga shpirti, të përmbledhë e të qendërformojë thelbin e njeriut, në këtë rast të poetit, gjë që Muntaz Dhrami arrin ta kapë, e mbërthen fort, për ta shprehur më pas në forma të thjeshta plastike nën një ritëm të rrjedhshëm plot ngacmime të bukura, që fillojnë nga këpucët, bastuni në dorë, kapota e madhe, tufa e letrave në dorë e kapela, që si një hijerore e argjendtë hijeshojnë portretin fisnik të poetit.
Puna zgjat me muaj, ngulmohet në zgjidhjen kompozicionale. “Kur ta bësh bocetin, - shprehet skulptori, - duhet të procedosh me armaturën”. Ajo të ngurtëson. Ndërsa duke bërë vizatimet, nuk je i preokupuar për to. Mund të zgjidhësh siluetat në vizatim, anën e kompozimit të përgjithshëm, atë se çfarë konfiguracioni do të formojë figura nga larg. Vizatimi të ndihmon në këtë aspekt, por pastaj, kur konkretizohet një vizatim dhe merr forma në forma më të qarta, atëherë kalohet në baltë dhe ngrihet armatura e vogël dhe bëhen bocetet.”
Rrugëtimit i vjen fundi. Ka kaluar nga skicat e shumta në bocetet, ku ka kërkuar vëllimet plastike e ka ndërtuar në format të madh, në karton me vizatime të realizuara me karbon, ka shkuar në Pogradec, ka vëzhguar me kujdes lidhjen e monumentit me mjedisin, plein-air (në natyrë të hapur), me arkitekturën në një ecuri brenda logjikës së krijimit të parë si një vazhdimësi drejt zgjidhjes kulmore, ku mblidhen e formësohet gjithçka, të gjitha mjetet shprehëse: vëllimet, dritëhija, kompozicioni, plastika, format e rrumbullakëta, ajo çfarë ke lënë në vizatim plotësohet në skulpturë, lidhet konfiguracioni i detajeve të ndryshme, shprehja e tyre drejt mbylljes së plotë të figurës.
Ky kalim i shpejtë është një punë e madhe, ku skulptori ditë pas dite ka ndërtuar armaturën e madhe dhe, kur e shikoje të hipur në skelat e larta me një forcë mbinatyrale, mendoje për shpirtin e madh që mbart ne vetvete artisti, forcën e brendshme, që e bën të hidhet përpara, të harrojë lodhjen e shpeshherë veten.
Aty në atë studio krijohet magjia e artit, një magji prekëse dhe shpesh lënduese, ku ka jo vetëm gëzim e emocion, por mbi të gjitha punë e punë të pandërprerë, një mendim e përjetim i gjatë, një sfilitje për të mbajtur gjallë emocionin, ritmin e punës në ndeshje e ndeshje të gjata, që shpeshherë janë më të lodhshme, kur duke pirë një cigare me sytë e ngulur mbi monument lodhesh më shumë, ku kërkon gjithë veprën ta rrokësh brenda vetes si një të tërë e të mbyllur.
Të gjitha këto Skulptori i Popullit Muntaz Dhrami i kalon, i kalon sepse tek ai asnjëherë nuk është shuar tharmi i krijimit. Puna e mban në jetë, krijimi është ferri e parajsa e tij. Lasgushi do të thoshte: “Vdekja është një (ri)lindje. Njeriu (ri)ngjallet te një tjetër. Para meje duhet të ketë qenë patjetër një poet në gjeneratat e mia pa kam dalë edhe unë poet. Poeti i parë është (ri)zgjuar tek unë.” Këtë herë shpirti i poetit është ringjallur nga dora e skulptorit artist…
Shtatorja e poetit tashmë është bërë pjesë përbërëse e qytetit, pranë lulishtes në buzë të liqenit. Përballë ka shtatoren e Mitrush Kutelit, vepër po e Muntaz Dhramit. Të dy bisedojnë si dikur në të ritë e tyre. Poeti duke parë nga Mali i Thatë në një udhëtim ndoshta të fundit, tha: “Atje është Shën-Naumi. Është toka jonë, është Shqipëri!...”
Nga thellësitë e liqenit vargjet nanurisen mbrëmjeve në dallgët kur peshkatarët kthehen nga peshkimi e dritat fillojnë e ndizen në qytet.
“Perëndim i vagëlluar mbi liqerin pa kufi...
Po përhapet dalëngadalë si pëlhurë një hije...”
Dhe atje tutje ndën Malin e Thatë vijnë lodruese përmbi liqen dritat e Shën-Naumit... një zgalem trimohet përmbi dallgë... Dhe aty pranë i pret poeti i dashur, tashmë si një far ngrohtësie, kur në rrugëtimin e gjatë u takuan dy artistë, një poet e një skulptor, dhe kur ky i fundit i kthen homazhin, duke e përjetësuar në bronz dhe ashtu në përjetësi do të jetojë figura e poetit, që tashmë është në shoqërinë e shtatores së prozatorit të madh, mikut të tij të madh Mitrush Kuteli, vepër po e Muntaz Dhramit dhe që të dy në një bashkëbisedim e ndoshta presin pranë ndonjë piktor.... në pavdekësinë e qytetit malor...
Vepra e Muntaz Dhramit është një arritje e skulpturës monumentale dhe të parkut aq e dëshiruar për qytetet tona, është jetësuar në mjedisin pogradecar, është e dashur për të gjithë. Askush më nuk e ndien mungesën e poetit. Ai është pranë tyre dhe çmallen me të...
*Studiues arti