E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Konflikti duhej shmangur

Një nga eksponentët e Partisë Demokratike, që pranoi të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes në një moment tepër delikat, vetëm pak ditë pas tragjedisë së Gërdecit, thotë se përplasja e fundit brenda partisë së tij mund të shmangej. "Nuk bëhet fjalë për luftë klanesh, por absolutisht mendoj se është diçka që mund të evitohej. Imazhi i vendit dhe i vetë z. Biberaj, i cili na ka përfaqësuar, në gjykimin tim shumë mirë, si zv/president i Asamblesë Parlamentare të KE, vlen shumë herë më shumë se disa bileta udhëtimi", thotë ai. Gjatë një interviste ekskluzive për "Shqip", me pyetje jo vetëm rreth politikës, Oketa flet për zgjedhjet në qershor të këtij viti, problemet brenda partisë së tij, listat e kandidatëve për deputetë, tragjedinë e Gërdecit, NATO-n dhe përfitimet nga anëtarësimi në këtë Aleancë, misionet shqiptare paqeruajtëse nëpër botë, karrierën e tij politike, raportet që ka me Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren Topalli, "përvojën gjermane" etj. Por ai flet edhe për familjen e tij që jeton në Durrës, qytetin ku gjen kënaqësi si askund tjetër.

Zoti ministër, ta nisim nga fundi. Pse u ndërpre misioni paqeruajtës i komandove shqiptare në Irak? Janë dëgjuar shumë versione, të themi në formë jozyrtare, por pak është thënë saktësisht dhe zyrtarisht...

Po e nis dhe unë me një saktësim. Misioni i trupave shqiptare në Irak nuk është ndërprerë, por ka përfunduar. Ky mision, i cili ka zgjatur për afro pesë vjet e gjysmë, ka përfunduar me sukses të plotë. Në ceremoninë e zhvilluar në Irak me këtë rast, ku kisha kënaqësinë të isha i pranishëm, vlerësimi i shprehur për ushtarakët shqiptarë ishte tepër pozitiv dhe i mbushur me nota mirënjohjeje. Përfitoj edhe një herë nga kjo mundësi për të rifalënderuar të gjithë ata ushtarakë shqiptarë, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në këtë mision të vështirë. Janë 1338 ushtarakë, të cilët e meritojnë këtë mirënjohje.

Ndoshta ka qenë koincidencë, por tërheqja e trupave tona nga Iraku erdhi fill pas vizitës suaj në Pentagon. Fundi i një bashkëpunimi sjell gjithmonë nisjen e një bashkëpunimi të ri, apo jo? Nëse po, cila do të jetë "kontrata" e ardhshme e Shqipërisë me SHBA?

Përfundimi i misionit ishte diçka e njohur më parë dhe nuk kishte lidhje me vizitën time në Pentagon. Natyrisht, kur zyrtarisht udhëton diku, temat e bisedimeve janë gjithmonë të fokusuara në bilancin e bashkëpunimit dhe në mundësitë për bashkëpunime të reja. Kjo nuk ndodh vetëm me ministrin e Mbrojtjes, por me cilindo ministër apo zyrtar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë dhe, sigurisht, ky bashkëpunim do të vazhdojë. Duke përdorur të njëjtën fjalë, si në pyetjen tuaj, mund të them se "kontrata" me SHBA është një "kontratë" afatgjatë.

A do të jemi në të ardhmen pjesë e misioneve paqeruajtëse në botë?

Ne vazhdojmë të jemi pjesë e misioneve paqeruajtëse në botë. Aktualisht, kontribuojmë me trupa në misionin ISAF të NATO-s në Afganistan, kemi një kompani në Herat dhe një togë në Kabul, si dhe një ekip mjekësor prej katër ushtarakësh po në Kabul. Kemi një togë me ekspertë çminimi në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe një kompani me 63 ushtarakë në misionin e BE-së në Çad. Gjatë vitit 2008, numri i ushtarakëve shqiptarë në misione paqeruajtëse ishte 428, shifër e konsiderueshme kjo, duke iu referuar numrit total të Forcave të Armatosura Shqiptare.

E meqë jemi te komandot. Ju vetë u kthyet me trupën e tyre në Shqipëri. Unë e besoj që, shumëkush, në raste të tilla, ka disa emocione të forta, që ndonjëherë është e vështirë t‘i shpjegosh. Aty ndjehesh krenar që je shqiptar, ndjehesh krenar për ta, por edhe për veten. Dhe nuk është çudi të kesh edhe lot gëzimi. A është vërtet kështu? Sinqerisht, çfarë keni menduar me vete në çaste të tilla?

Ju falënderoj për mënyrën se si e shtruat pyetjen, pasi vërtet është e vështirë të gjesh fjalët e duhura për të shprehur emocionet. Të gjitha ato që thoni janë vërtet ashtu. Unë e dua vendin tim, flamurin, himnin kombëtar dhe respektoj maksimalisht të gjithë ata që i bëjnë nder vendit, flamurit, himnit, pavarësisht faktit se janë nën uniformë apo jo. Të tillë janë ushtarakët që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë në misione. Nuk mund ta fsheh se pozicioni i ministrit të Mbrojtjes vërtet më ka dhuruar momente të tilla, ku ndjehesh krenar për vendin, për ushtarakët me të cilët punoj dhe natyrisht, edhe për vete.

Të themi të vërtetën, ka dhe një pjesë skeptike të popullsisë, që shpesh ka menduar: Përse duhet t‘i çojmë djemtë tanë në Irak, Afganistan e gjetkë, që të luftojnë për të tjerë. Si do t‘i përgjigjeshit kësaj pjese? Pse komandot dhe paqeruajtësit shqiptarë duhet të jenë pjesë e këtyre misioneve të rrezikshme për jetën? Për më tepër, kur ne ende nuk jemi bërë anëtarë të NATO-s...

Besoj se kjo është një pjesë fare e vogël e popullsisë, e megjithatë skepticizmi i tyre duhet mirëkuptuar. Rreziqet që i kanosen sot sigurisë në botë janë të një natyre krejt tjetër dhe të gjitha vendet demokratike duhet të japin kontributin e tyre për një botë më të paqtë e të sigurt, pa pritur që rreziku të vijë te dera e gjithsecilit. Mjafton t‘i kthehemi memories dhe të kujtojmë Shqipërinë e viteve të diktaturës. Shumë shqiptarë e shihnin shpresën te Perëndimi. Kjo është një arsye më shumë për ne, shqiptarët, për të mbështetur çdo mision që u kthen lirinë dhe demokracinë popujve kudo në botë. Pavarësisht se na duhen dhe dy muaj për të qenë anëtar me të drejta të plota, pikërisht pjesëmarrjet në këto misione kanë kontribuuar pozitivisht në shpejtimin e rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO.

Zoti Oketa, në vijim të pyetjes: këtë pranverë, Shqipëria pritet të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO. E thënë me fjalë të thjeshta, ç‘do të thotë kjo për shqiptarët? Ǒpërfitime do të kenë ata dhe vendi ynë nga ky status?

Po përpiqem ta shpjegoj me fjalë sa më të thjeshta. Parë në këndvështrimin e sigurisë, apo ushtarak, do të thotë garanci për paprekshmëri të territoreve shqiptare. Por NATO nuk është thjesht aleancë ushtarake. Ky anëtarësim do të thotë certifikim i demokracisë shqiptare si një demokraci funksionale, certifikim i vendit si një vend me ekonomi tregu, shtet ligjor, të drejta e liri të siguruara. Për këta elementë, shqiptarët kërkuan ndryshimin e madh në dimrin e vitit 1990. Anëtarësimi nuk është fundi i reformave, por është vazhdimi dhe konsolidimi i tyre. Nga ana tjetër, të mos harrojmë për asnjë çast çfarë ka bërë kjo Aleancë për Kosovën dhe pavarësinë e saj.

Edhe nëse bëhemi anëtarë të kësaj Aleance, a do të thotë kjo se kemi plotësuar standardet e kërkuara, apo kemi të bëjmë edhe me interesa strategjike e politike? D.m.th, NATO do të mbyllë njërin sy e njërin vesh për të na pranuar sepse i duhemi...?

Kjo e dyta as që duhet çuar nëpër mend, pasi në radhë të parë do të vinte në dyshim seriozitetin e vetë Aleancës. Anëtarësimi është arritje e shumë përpjekjeve dhe reformave të ndërmarra nga qeveritë shqiptare në vite. Reformat e viteve të fundit, serioziteti dhe përkushtimi i mazhorancës aktuale, besoj, se kanë qenë vendimtare në marrjen e ftesës për anëtarësim. Këtë nuk e thotë thjesht qeveria shqiptare, por drejtuesit kryesorë të vetë Aleancës dhe kryetarë shtetesh, anëtare të saj. Përsëris se, reformat në çdo sektor, po ashtu dhe në mbrojtje, do të vazhdojnë. Deri tani, ne kemi përmbushur të gjitha ato detyrime e standarde që na janë kërkuar për të merituar këtë anëtarësim. Jemi të vetëdijshëm se puna jonë duhet të vazhdojë dhe pas anëtarësimit.

Zoti ministër! Shpërthimi në Gërdec ishte një tragjedi e madhe njerëzore. Ju pranuat detyrën e ministrit të Mbrojtjes në një moment delikat, kur sulmet e opozitës dhe të opinionit publik ishin ndaj këtij dikasteri. Pse? Kur fare mirë mund të qëndronit në detyrën e mëparshme, atë të numrit dy të qeverisë...

Mendoj se marrja e përgjegjësive, përballimi i momenteve delikate duhet të jetë një detyrim moral i cilitdo politikani. Mund edhe të kisha bërë, siç thoni ju, por nuk besoj se do të ishte zgjedhja e duhur. E kam pranuar këtë sfidë me bindje të plotë, dhe pavarësisht momenteve të vështira kur m‘u propozua, e kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj si një vlerësim që më bëhej. Uroj që të bëj më të mirën që mundem e të përmbush më së miri të gjitha ato detyrime që kam.

Tani, afro gati një vit pas kësaj tragjedie dhe po kaq si ministër i Mbrojtjes, mendoni se ngjarja shumë e rëndë mund të ishte parandaluar? Cilat ishin gabimet fatale, sipas jush, të ushtarakëve dhe pjesës civile të Ministrisë së Mbrojtjes?

Pasi ndodh një ngjarje, e rëndë apo jo, gjithnjë më pas ka një analizë dhe duke kuptuar shkaqet, më pas thuhet se nëse nuk do ishte bërë kjo apo ajo, ngjarja nuk do të ndodhte. Ngjarja është ende në hetim dhe çdo koment do të linte shteg për interpretime, prandaj për këtë arsye gjykoj se komentet duhet të jenë të rezervuara. Minimalisht, mund të them se nëse do të ishin respektuar rregullat e sigurisë brenda fabrikës, ngjarja, edhe po të ndodhte, nuk do të kishte kurrë të tilla përmasa. Besoj se këtë e ka të qartë kushdo dhe një koment i tillë nuk interferon apo ndikon hetimet.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, por edhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë (SHIU) ishin në qendër të kritikave. Si po funksionojnë aktualisht këto dy struktura? A ka ndryshuar diçka që pas Gërdecit dhe çfarë konkretisht?

Jam përpjekur gjithmonë të jem shumë i kujdesshëm në deklarimet e mia, sidomos për çështje, me të cilat merren organet kompetentë të drejtësisë. Referuar ngjarjes së Gërdecit, qendra e kritikave është lëvizur dhe zhvendosur shpesh. Besoj se zbardhja totale e ngjarjes do të sqaronte gjithçka dhe do t‘i jepte fund çdo komenti. Aktualisht, si Shtabi i Përgjithshëm, ashtu dhe SHIU funksionojnë normalisht dhe natyrisht secili prej tyre ka nxjerrë mësimet përkatëse nga ajo ngjarje.

Po te MEICO ç‘po ndodh? Ka ndryshime, përveç Pinarit, që ndodhet në burg?

MEICO është ristrukturuar. Tashmë ka një strukturë të reduktuar dhe, besoj, më eficiente.

Zoti ministër! A është kryer trafik armësh? Nga struktura të Ministrisë së Mbrojtjes ose të tjerë?

Duhet të dallojmë qartësisht trafikun nga tregtia e armëve. Trafiku është diçka ilegale, e padeklaruar. Tregtia është diçka legale, e deklaruar dhe transparente aq sa lejohet, pa cenuar sigurinë, me procedura të sakta e të qartësuara mirë. Tregti është bërë dhe kjo nuk ka asnjë arsye të komentohet negativisht. Tregti armësh quhet edhe blerja e armatimeve të reja për nevoja të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe besoj se biem dakord që është tregti tërësisht e ligjshme.

Para pak kohësh, jeni shprehur se ministria ka një plan të qartë për eliminimin e municioneve të rrezikshme për jetën e qytetarëve. A mund të themi edhe tani që flasim se depot e vjetra që kanë shërbyer si reparte ushtarake e rrezikojnë jetën tonë?

Është plotësisht e saktë që kemi një plan të qartë, i cili ka filluar të zbatohet. Nuk dua as të minimizoj rrezikun që vjen nga këto municione, por nuk duhet as të krijojmë panik dhe aty ku ai nuk ekziston. Municionet e tepërta janë një shqetësim për sigurinë e vendit e të qytetarëve, janë një problem jo thjesht i Ministrisë së Mbrojtjes, por një problem kombëtar. Nëse të gjitha institucionet qendrore e lokale bashkëpunojnë, nëse tregohet nga të gjithë, përfshirë edhe vetë qytetarët, kujdes maksimal, rreziku reduktohet. Ne kemi besim se zbatimi i planit tonë të veprimit do të japë shumë shpejt efekte pozitive dhe do të rrisë sigurinë në vend.

Le të flasim tani pak edhe për politikë. Keni një karrierë, të themi as të shpejtë e as të ngadaltë. Në fillim, deputet i Durrësit, më pas zëdhënës i PD-së, më tej zëvendëskryeministër dhe, pas tragjedisë së Gërdecit, morët drejtimin e Ministrisë së shumëkritikuar të Mbrojtjes. E mbani mend ditën e parë që vendosët të hyni në politikë? Si ndodhi dhe kush jua propozoi? Për ç‘arsye e morët një vendim të tillë?

Është e vështirë të saktësoj një ditë të parë, pasi që në vitin 1990, si student kam marrë pjesë në lëvizjen studentore, në grevën e urisë dhe menjëherë jam anëtarësuar në PD. Kam pasur vazhdimisht kontakte me drejtuesit e PD-së në Durrës, dhe të gjithë ata pa asnjë përjashtim, janë treguar të hapur, më kanë mirëpritur, shpesh dhe propozuar për të kandiduar. Më pas, për nivele më të larta të politikës, mund të them se 2003 ka qenë viti i fillimit. Ishte një vendim që besoj se e mora në kohën e duhur, në kuptimin që ndjehesha se kisha krijuar një përvojë qoftë profesionale, qoftë jetësore dhe se mund të kontribuoja e të jepja diçka në politikë.

Jeni pjesë e qeverisë dhe njiheni si mbështetës i Presidentit Topi. Ndërkaq, ajo që po përvijohet në opinionin publik është edhe një ndarje, një ngërç në marrëdhëniet midis Kryeministrit dhe Presidentit, pa lënë mënjanë edhe ftohjen e kahershme midis Kryetares së Parlamentit dhe kreut të shtetit. Sinqerisht, a ju ka krijuar kjo një kosto në raportet tuaja me Berishën dhe Topallin? Apo ua keni vënë "kufirin te thana", pra ia keni bërë të qartë secilit raportet që keni me njëri-tjetrin?

Së pari, njihem si një mbështetës i Partisë Demokratike, i partisë që besoj fort se përfaqëson idealet e mia të dhjetorit ‘90. Së dyti, secili prej tre drejtuesve të Partisë Demokratike, pra kryetari Berisha dhe dy nënkryetarët Topi e Topalli, më kanë mbështetur vazhdimisht, ashtu siç dhe unë kam mbështetur secilin prej tyre. Pikërisht, e para ka qenë Kryetarja e Kuvendit, znj. Topalli, e cila mori mbështetjen e të gjithë deputetëve të mazhorancës për t‘u zgjedhur në krye të Kuvendit. Më pas, kam mbështetur me bindje të plotë qeverinë e kryesuar nga Kryeministri Berisha, në të gjitha iniciativat e saj, për të ardhur te mbështetja për kandidaturën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për t‘u zgjedhur President. Nuk kam qenë i vetmi në këtë mbështetje, pasi z. Topi mori votat e 85 deputetëve të Kuvendit. Kam qenë një mbështetës i fortë i kësaj kandidature dhe i qëndroj asaj bindjeje.

Jam i sigurt se cilido prej tyre di të ndajë mirë raportet e punës më raportet miqësore dhe në asnjë rast nuk jam ndjerë se duhet të zgjedh ndërmjet njërës apo tjetrës miqësi.

Por shkarkimi i z. Aleksandër Biberaj si zëvendëspresident i Asamblesë së KE-së pikërisht nga kryeparlamentarja znj. Jozefina Topalli, është komentuar si një "luftë" klanesh brenda PD-së, që tashmë ka dalë jashtë zyrave të partisë. Sipas jush, cilat janë arsyet e kësaj përplasjeje?

Lidhur me këtë çështje, nuk kam informacion përveç atij të marrë nga media. Absolutisht nuk bëhet fjalë për luftë klanesh, por absolutisht mendoj se është diçka që mund të shmangej. Imazhi i vendit dhe i vetë z. Biberaj, i cili na ka përfaqësuar, në gjykimin tim shumë mirë, si zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të KE-së, vlen shumë herë më shumë se disa bileta udhëtimi. Besoj se ditën e hënë, në mbledhjen e grupit parlamentar, kjo çështje do të qartësohet. Para se të bëhej mediatike, besoj se do të ishte mirë që kjo çështje fillimisht të diskutohej në grupin parlamentar. Le të durojmë. E hëna është nesër.

Duke qenë ministër, sigurisht që shpresoni në fitoren tuaj. Por nga ana tjetër, kemi një betejë të PD-së me prokurorinë, përplasjen herë të butë e herë të ashpër të qeverisë me ndërkombëtarët për ligjin e ish-spiunëve, marrëdhëniet e brishta të Kryeministrit me Presidentin. Me gjithë këto e probleme të tjera, si p.sh. kriza ekonomike, kartat e identitetit, ç‘rezultat prisni më 28 qershor?

Rezultati për të cilin do të bëj të gjitha përpjekjet e mia maksimale dhe rezultati që pres në zgjedhjet e 28 qershorit është ai i fitores së mazhorancës aktuale. Jam i sigurt se 28 qershori do të jetë një rikonfirmim i mazhorancës dhe i reformave të saj gjatë këtyre katër viteve.

Fushata e këtij viti, ndoshta do t‘i kërkojë si nevojë PD-së një makijazh të ri të PD-së, pak a shumë si KOP-i i dikurshëm. Janë dy pyetje brenda së njëjtës: Si e konsideroni punën e KOP-it dhe ku janë tani themeluesit e tij? E nga ana tjetër, ç‘platformë do të ndjekë kampi blu në përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë?

Nuk mendoj se PD-ja ka nevojë për transformim apo makijazh për të fituar një mandat të dytë, ashtu siç dhe nuk mendoj se KOP-i ishte thjesht një makijazh i PD për zgjedhjet e 2005-ës. Mazhoranca aktuale shkon në zgjedhje me çfarë ajo ka mundur të bëjë gjatë mandatit të saj katërvjeçar. Mazhoranca aktuale shkon në zgjedhje me një Shqipëri të ndryshuar e të transformuar jo vetëm në imazh, por dhe në arritje. Shkon me një marrëveshje të nënshkruar me BE-në, shkon me Shqipërinë anëtare të NATO-s, shkon me një ekonomi funksionale e të qëndrueshme, me taksa të ulura e paga të rritura. Shkon me investime madhore në infrastrukturë e arsim. Transformimi që Shqipëria ka pësuar nuk besoj se ka nevojë të shoqërohet me një transformim të mazhorancës. Dhe në të gjitha këto arritje, personalisht shoh kontributin e të gjithëve, përfshirë pa mëdyshje edhe anëtarët e KOP-it. Sa për listat, mendoj se është ende herët për të folur dhe besoj se do të jenë strukturat përkatëse të PD-së që do të vendosin.

Ardhja e Genc Pollos në PD tregon qartë se selia blu u ka hapur derën "të penduarve". Sa e gatshme është në fakt partia juaj për të bërë pjesë të programit të saj ish të larguarit e saj, kur në fund të fundit, ata ikën nga partia për shkak të Berishës, përplasjeve dhe kontradiktave me të, e ata kthehen kur përsëri kryetar partie është po Berisha?

Kjo është një pyetje për ata që janë larguar dhe janë kthyer. Unë mendoj se dera e PD-së ka qenë gjithmonë e hapur. Ndoshta ata kanë pasur nevojë për kohën e duhur për ta gjetur se ku ishte kjo derë. Fakti se ka afro katër vjet që ata janë pjesë e kabinetit, besoj e bën të parëndësishme ditën apo datën kur ata u rikthyen në PD, pasi praktikisht kjo gjë kishte ndodhur që pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005.

Të kalojmë pak te familja. Jeni ministri i vetëm i kabinetit që punoni në Tiranë dhe jetoni me familjen në Durrës. Sa i vështirë është për ju ky ritëm jete?

Kam rreth 20 vite që e bëj një gjë të tillë dhe është bërë pjesë e mënyrës sime të të jetuarit. Përveç pak më shumë lodhje nuk përbën asnjë shqetësim tjetër. Përkundrazi, Durrësi më jep shumë kënaqësi, të cilat nuk i gjej në vend tjetër.

Po kështu, thonë se jeni ndër ministrat më korrektë e të përpiktë. Në orare, në veprime. I rregullt si një "gjerman" i vërtetë. Ka lidhje kjo me kohën e studimeve tuaja në Gjermani?

Është e vërtetë se bëj përpjekje maksimale të jem korrekt në gjithçka dhe do të më vinte mirë nëse vërtet ekziston një opinion i tillë për mua. Në Gjermani, kam shkuar në moshë jo të vogël, dhe me karakter të formuar, që i bie kam shkuar një shqiptar i vërtetë. Korrektesa, natyrisht, më ka ndihmuar të ndjehem më mirë e komod gjatë qëndrimit tim në Gjermani, por është diçka që e kam mësuar në familjen time.

Çfarë ju mësoi tjetër Gjermania?

Gjëja më kryesore që fitova apo më mirë testova në Gjermani ishte besimi te vetvetja. Kam arritur atje gjithçka me shumë mund e përpjekje. Arrita të konstatoj se shkolla dhe formimi që kisha marrë ishin shumë të vlefshme dhe, me pak më shumë përpjekje, mund të ecja më përpara. E thënë më thjesht, ishte një test tjetër për mua pas studimeve universitare, të cilin e kalova me sukses.

Në fakt, jeni një ndër ministrat që mediat ju trajtojnë me një lloj dashamirësie të dukshme. Ǒraporte keni ju me to?

Besoj se ky konstatim qëndron, së paku kjo është edhe ndjesia ime. Po ashtu, besoj se me të njëjtën dashamirësi, pavarësisht pozicionit tim si deputet, zëvendëskryeministër apo ministër, kam bashkëpunuar edhe unë me median. Jam përpjekur të kem vërtet një raport korrekt, luajal dhe pa kompromise. Jam përpjekur gjithmonë të mirëkuptoj punën e gazetarit dhe ndoshta kjo ka krijuar një klimë përgjithësisht pozitive në raportet tona. Megjithatë, unë kam mirëpritur dhe mirëpres çdo vërejtje, kritikë apo sugjerim kur ato qëndrojnë pa u ndikuar fare nga motivet se përse ato mund të bëhen. Personalisht më vjen mirë që kemi arritur të krijojmë të dyja palët një raport të tillë me njëri-tjetrin, ku korrektesa për të cilën ju folët, mendoj se ka ndikuar.

Dhe e fundit. Një ditë, ndoshta nuk jeni në politikë. Ǒdo të bëni, me ç‘do të merreni? A keni ndonjë plan?

Numri i politikanëve në raport me popullsinë e një vendi është i vogël. Në një vend të lirë, demokratik, me shanse e mundësi të shumta, njeriu që vërtet do të bëjë diçka nuk ka përse të shqetësohet se çdo ndodh me të nëse nuk është në politikë. Besoj se është ende herët për mua për të menduar seriozisht për një ditë të tillë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›