E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD denoncon abuzimet e Bashkisë së Durrësit

Kryetari i degës lokale të Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara ka denoncuar abuzimet e bashkisë së këtij qyteti për lejen e dhënë ditën e fundit për shfrytëzimin e rërës në plazhin e Currilave. Sipas tij, ky plazh vetëm 1.5 km larg nga qendra e Durrësit, po bëhet pre e betonizimit si pasojë e abuzimeve me lejet e dhëna nga bashkia e qytetit. Shumë pranë bregut, në një sipërfaqe prej mbi 1.000 metër katrorë, një subjekti privat ka ndërtuar një platformë. Shtrimi me beton dhe përgatitja e pilotave janë tregues i abuzimit, nënvizoi ai. Ndër të tjera ai ka përmendur edhe faktin se pas ndërtimit katër vjet më parë të rrugës me katër korsi, në këtë zonë u ngritën një sërë lokalesh buzë detit për ndërtimin e të cilave u hodhën qindra metër kub inerte të ndryshme, duke bllokuar pamjen e bregdetit si dhe mundësinë e shfrytëzimit si plazhe publike. Në vitet 1950-1960 plazhi i Currilave ishte më i frekuentuari nga qytetarët e Durrësit. Në mesin e viteve 1970 aty u ndërtuan një kompleks pallatesh dykatëshe, me apartamente shumë të vogla për pushuesit 15-ditorë, të cilat prej 18 vjetësh janë zënë nga familje të pastreha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›