E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oktapodi Paul dhe neopaganizmi europian

Gjergj Meta

Profeti i vdekjes së Zotit, Niçja, teorizoi dëshirën që njeriu të kthehej aty ku lindi tragjedia, sipas tij te irracionalja, te koha e Eskilit, duke parë te lindja e filozofisë (Sokrati, Platoni, Aristoteli) fatkeqësinë e njerëzimit. ç'lidhje ka kjo hyrje në këtë shkrim? Po e shpjegoj. është pothuajse e pabesueshme se sa i ka stresuar një palë tifozë dhe se sa i ka entuziazmuar të tjerë, për sa bastexhinj është kthyer në një shpresë këto ditët e fundit ky ujori Paul. I madh e i vogël, të rinj e të reja, të shkolluar e të pashkolluar, të gjithë i kanë sytë te tentakulat e oktapodit Paul. A ka ndodhur kjo gjë në fiset animiste afrikane, në fiset aborigjene të Australisë, në indogjenët e Amerikës Latine, te eskimezët, në ndonjë popull aziatik, që nuk e ka të lartë koeficientin e shkollimit? Jo! Kjo ka ndodhur dhe po ndodh mu në mes të Europës iluministe. Në zemër të asaj Europe, që në emër të emancipimit dhe të iluminimit, ka hedhur tej "irracionalen", duke ngritur perëndeshën Arsye në fronin më të lartë të ekzistencës së saj. Sikur të ishte ky fenomen i rrethshkruar në një grup fanatikësh tifozë, asnjë çudi, por çështja është se fakti i këtij oktapodi ka zënë faqet e para të mediave të shkruara dhe elektronike, që në raste të tjera do të ishte i shijshëm në ndonjë tryezë restoranti peshku.
Historia e njerëzimit ka njohur në zhvillimin e saj momente kur kafshë apo objekte, apo fenomene të natyrës mbaheshin si të shenjta e përcaktonin gjoja fatin e njerëzve. Por kjo kishte të bënte edhe me jetën e njerëzve, sepse ata prisnin një shi për të korra, që të shërohej një fëmijë, që të fitohej një luftë. Mund të ishte një lloj parareligjioni apo religjion i devijuar, ose forma të hershme të mendimit filozofik mbi Zotin, sikurse mitologjia e Homerit, por kësaj radhe, me të vërtetë, jemi në kufijtë e absurdit dhe të irracionales. E ku kjo? E përsëris, pikërisht në Europë; në atë Europë që në emër të iluminizmit, si arritje të saj, nuk pranon të vendosë Zotin dhe krishtërimin që e kanë themeluar në preambolin e Kushtetutës së saj, që mendon se Zoti është një fakt privat dhe nuk ka të bëjë me jetën publike dhe me shtetin, në Europën e universiteteve të para në këtë planet të vogël; në Europën e Greqisë së lashtë, që për herë të parë ngriti në nivel spekulimi dijen me anë të filozofisë. Po! Pikërisht këtu një oktapod, një ujor i zakonshëm dhe shumë i rëndomtë, u mban frymën pezull miliona njerëzve aty ku i drejton tentakulat e tij për ushqim. Ky oktapod ka më shumë fuqi se mundi i 22 lojtarëve, se zotësia e tyre, se bukuria e të luajturit futboll. Këtij oktapodi njerëzit europianë i kanë besuar shpresën e tyre për një rezultat pozitiv.
Në "Shkencën e hareshme" të Niçes njeriu i marrë me dritëzën në dorë klith duke shpallur vdekjen e Zotit, çka do të thotë edhe më shumë sesa vdekja e religjionit. Ndaj kësaj shpalljeje dëgjuesit mbeten indiferentë e të çuditur, e atëherë njeriu i marrë përplas përdhe dritëzën duke thënë: "kam ardhur tepër shpejt..., nuk është ende koha ..., veprimet kanë nevojë për kohë, edhe pasi janë përmbushur, për t'u parë e për t'u dëgjuar. Ky veprim (vrasja e Zotit) është ende më i largët se yjet më të largët." Vdekja e Zotit do të ishte akti më i madh i njeriut, pasi do të fshinte horizontin, do t'i hiqte diellin tokës. Por Niçja sigurisht nuk i priti pasojat e profetësisë së tij. Koha që Niçja, profeti i marrë, nuk ka parë, sepse ishte tepër shpejt, erdhi. Njerëzit goditën Zotin për ta vrarë dhe vunë në altarin e tij diktatura të majta e të djathta, e tani kanë vënë një oktapod, një kafshë. Ndoshta një gjë parashikimet e tij u realizua, që njeriu u kthye te irracionalja, aty ku lindi tragjedia.
Zoti nuk vdiq dhe tokës nuk iu hoq dielli, por arsyes iu hoq Zoti dhe ajo u kthye në joarsye, në irracionale, e njerëzit tani nuk këshillohen me dijetarët dhe madje as me ata frymorë racionalë, por me ujorë irracionalë, me një oktapod. Dua ta përsëris: kjo ndodh në Europë, në Europën e Platonit, Aristotelit, Agustinit, Averroesë, Tomë Akuinit etj., por edhe në kohën e internetit, të cyberspace-it, të inxhinierisë gjenetike etj.
Gjithsesi, t'i lëmë Platonët e Aristotelët e po e mbyll këtë shkrim me një citim pikërisht mbi oktapodin Paul nga një gazetar sportiv i "Corriere della Sera": "Ha i qetë Paul, ha çfarë të teket ty e nga cila kuti të duash. Të marrët jemi ne!"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›