E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Dosjet komuniste hapen për të mbyllur ato të korrupsionit

Kryetari i PS, Edi Rama para mediave (Fotot: NOA)

Kryetari i PS shpreh vlerësime negative për ligjin e Dosjeve

Tiranë, 15 dhjetor 13:32 NOA – Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama vlerësoiu sot se “është e trishtueshme që 18 vjet pas shembjes së diktaturës komuniste, Shqipëria nuk ka arritur të bëjë një ligj evropian për hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste”.

Kurse akuzoi se “sot, 18 vjet pas shembjes së diktaturës komuniste, kryeministri i Shqipërisë dhe forcat qeveritare, duan të hapin dosjet e diktaturës komuniste për të mbyllur dosjet e diktaturës së korrupsionit”.

“Është e trishtueshme që pas 18 vjetësh liri, fryma që karakterizon komunikimin publik dhe aksionin politik të Sali Berishës, mbetet thelbësisht komuniste”, - theksoi z.Rama.

Ai akuzoi më tej kryeministrin se ai “gënjen për arritjet e tij njësoj si një propagandist i rëndomtë komunist, akuzon kundërshtarët e tij njësoj si një persekutor i zakonshëm komunist, shpif ndaj atyre që nuk i pëlqejnë njësoj si një karrierist i zellshëm komunist, fyen të tjerët njësoj si një fodull i prapambetur komunist dhe, më keq akoma, vepron kundër ligjit, kundër institucioneve dhe kundër kujtdo që i kundërvihet, njësoj si një bajraktar i pandreqshëm komunist”.

Këtu Rama citoi se “Sali Berisha thotë se projektligji i dosjeve është një arritje në rrugën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare”.

Por komentoi: “Projektligji i dosjeve është një shprehje brutale e komunistizimit të marrëdhënieve mes qeverisë së Sali Berishës e atij vetë me pushtetin gjyqësor në Shqipëri”.

Duke sulmuar sërish Berishën se “kërkon të shkatërrojë pushtetin gjyqësor për të shpëtuar in extremis oborrtarët e tij nga hetimi e gjykimi i pavarur i dosjeve të mëdha të korrupsionit qeveritar”, Rama citoi se “Berisha akuzon se opozita nuk dashka të bëjë transparencën e së kaluarës dhe pengoka hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste”.

Sipas Edi Ramës, “socialistët, përmes grupit tonë parlamentar, që kemi depozituar më shumë se dy vjet më parë në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj për hapjen e dosjeve.

Është Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe shpura e tyre që e ka kyçur atë në sirtar, vetëm e vetëm për ta përdorur fabulën e spiunëve të diktaturës në funksion të interesave politike të ditës”.

Për kreun e PS, projektligji që maxhoranca kërkon të kalojë në Kuvend, jo vetëm nuk ka asgjë parimore, po përkundrazi, është fundekrye një mekanizëm interesash klanore e korruptive, i cili synohet të ngrihet me dhunën e kartonëve duke shkelur çdo parim kushtetues”.

Në këtë pikë, Edi Rama ka drejtuar një apel për Sali Berishën: “I kemi të gjitha mundësitë të bëjmë një ligj evropian për këtë çështje, e cila në thelb nuk është e asnjë partie më vete, po e të gjithë shoqërisë shqiptare si një e tërë. Mos votoni sot me ngut atë që keni gatuar pa asnjë debat dhe asnjë mirëkuptim as me opozitën, as me shoqërinë civile, as me kategoritë drejtpërdrejtë të interesuara dhe as me partnerët ndërkombëtarë”.

Sugjerim tjetër i Ramës, ishte: “Kthehuni në tryezën e diskutimit për të gjetur mirëkuptimin e të gjithëve, sepse të gjithë e dëshirojnë miratimin më në fund të një ligji evropian për çështje e dosjeve të diktaturës komuniste”.

Në këtë pikë, z.Rama premtoi se “ne jemi gati të japim konsensus mbi cilindo model të suksesshëm të vendeve të ish-Lindjes komuniste ku duhet të bazohet ky ligj dhe jemi të bindur se të gjithë do ta përshëndesnin një proces të hapur e konstruktiv në hartimin e këtij ligji, për të cilin s'ka asnjë ngut në një moment si ky, kur ende duhet të përfundojmë detyrën tonë të përbashkët për nxjerrjen e Kodit Zgjedhor nga Kuvendi dhe hapjen e rrugës për implementimin e tij”.

d.r/NOA

Shkarko attachment >> 9edi_rama_me_gazetare_big_noa_459476891.jpg

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›