E Diel, 1 Nëntor 2026

Oli Ren: Mbyllim negociatat po u bën zgjedhje të lira

14/04/2005  KE rithekson rëndësinë e votimeve parlamentare

Komisioni Evropian do të jetë i gatshëm të propozojë mbylljen e negociatave të stabilizim-asociimit me Shqipërinë, nëse kjo zhvillon zgjedhje sipas standardeve evropiane. Komisioneri evropian për zgjerimin e BE-së, Oli Ren, ka shprehur shqetësimin lidhur me situatën në Shqipëri dhe, veçanërisht për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të kësaj vere. Në një letër që ai i ka nisur Kryeministrit Fatos Nano, Ren ka theksuar se, “komisioni evropian do të jetë i aftë të propozojë mbylljen e negociatave për stabilizimin dhe asociimin, vetëm nëse zgjedhjet parlamentare të kësaj vere do të realizohen në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Shqetësim për komisionerin Ren përbën dhe realizimi i reformave me sukses në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto çështje kanë qenë gjithmonë në qender të këshillave dhe rekomandimeve të bëra nga institucionet ndërkombëtare ndaj qeverisë shqiptare dhe faktorit politik në vend. Në një kohë që në Shqipëri, situata politike është ndezur, komisioni i Evropës rikujton se në përafrimin e vendit në strukturat e BE-së, ka më shumë rëndësi standardet sesa fitorja e njërës apo tjetrës forcë politike në zgjedhje. Zgjedhjet e përgjithshme janë cilësuar shansi që Shqipëria do të nënshkruaj ose jo mbylljen e negociatave për asociim-stabilizim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›