E Diel, 1 Nëntor 2026

Olimpiada dita e dyte Volmer rekord ne 100 m flutur femra

Plot 4 ishin medaljet e arta të dhëna nga noti në ditën e dytë të Lojrave Olimpike, ndërsa 2 nga fitoret sollën edhe rekorde botërore. Habia e ditës ishin 2 medaljet e arta të fituara nga Franca, ndërsa pritej një dominim më i madh nga ana e notarëve amerikanë.
Veçse ishte pikërisht një amerikane, Sandra Volmer, që vendosi rekordin e parë botëror të së dielës me 55”98 në garën e 100 metrave stil flutur. Volmer kishte thyer edhe rekordin olimpik në gjysmëfinale, ndërsa la gati 1 sekondë prapa kinezen Jing Lu. Alisia Kuts e Australisë mori medaljen e bronzit.
Rekordi tjetër botëror u vendos nga afrikanojugori Kameron Van der Burg në garën e 100 metrave bretkosë për meshkuj. Ai dha kohën 58”46 duke e thyer rekordin e mëparshëm të australianit Rikard me 12 të qindat.
Në vendin e dytë doli Kristian Sprenger i Australisë, 47 të qindat pas fituesit dhe medaljen e bronzit e fitoi Brendan Hansen i SHBA.
Francezja Kamilë Myfat fitoi garën e 400 metrave stil i lirë për femra, duke vendosur një rekord olimpik me kohën 4’01”45. Në një konkurrim tepër të fortë, e dyta doli amerikania Elison Shmit me vetëm 32 të qindat pas fitueses. Britanikja Rebeka Adlington i realizoi shpresat e vendasve duke fituar medaljen e bronzit, e para medalje për ekipin e Britanisë së Madhe në këto lojra deri tani.
Emocione të mëdha dha stafeta 4x100 metra për meshkuj ku pretendentja kryesore, skuadra amerikane, u shtang nga Franca, duke u detyruar të kënaqet me vendin e dytë.
Ndonëse pati në përbërje dy notarë të mëdhenj si Majkëll Felps dhe Rajan Lohti, sërish Amerika mori vetëm medaljen e argjendit duke humbur garën në metrat e fundit. Franca fitoi me kohën 4’09”93, amerikanët dhanë kohën 4’10”38, ndërsa Rusia doli e treta me 3’11”41.
Gjithsesi, kjo ishte medalja e 17-të olimpike për Majkëll Felpsin, dhe ai është tani vetëm 1 medalje prapa rekordit që mbahet nga sovjetikja Larisa Latinina me 18 medalje gjithsej në olimpiada.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›