E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romela Begaj vetem e 11-ta

Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj nuk ka mundur të shkojë më shumë se vendi i 11-të në konkurrimin e saj në Lojrat Olimpike “Londër 2012”, në peshën deri 58 kg.
Begaj 25-vjeçare ngriti 216 kg në dygarësh, duke arritur peshën 101 kg në stilin e shkëputjes dhe peshën 115 kg në atë të shtytjes.
Ky është rezultati më i mirë i arritur nga sportistët tanë deri tani në Olimpiadë, ndonëse Begaj pretendonte për më shumë, duke synuar të ngrinte të paktën 226 kg në dygarësh.
Edhe nëse do ta kishte realizuar këtë synim, sërish Begaj nuk do të ishte renditur më mirë sesa vendi i 10-të.
Me peshën që arriti të ngrejë, ajo barazoi rezultatin e katër viteve më parë në Olimpiadën e Pekinit në 2008, ku gjithashtu kishte realizuar 216 kg në dygarësh. Veçse, në atë Olimpiadë, renditja e Romelës ishte shumë më e mirë sesa tani, sepse ajo doli në vendin e 6-të.
Gjithsesi, peshëngritësja jonë arriti një rezultat paksa më të mirë sesa ai që i dha titullin nënkampione e Europës në muajin prill të këtij viti në Antalia dhe ku ngriti 215 kg në dygarësh.
Veçse, ndryshe nga Europiani, në Londër 2012, shumica e konkurrenteve ishin aziatike dhe amerikanojugore, ndërsa ukrainasja Kalina nuk mori pjesë fare në Antalia.
Medaljen e artë në këtë peshë e fitoi kinezja Li me 246 kg në dygarësh, e ndjekur nga tajlandezja Sirikajev me 236 kg dhe ukrainasja Kalina me 235 kg.
Deri më tani, për Shqipërinë kanë konkurruar edhe notarja Noel Borshi që ka dalë e 40-ta, qitësi Arben Kuçana që ka dalë i 20-ti në 10 metra me pistoletë në ajër dhe xhudistja Majlinda Kelmendi që arriti të futej mes 16 më të mirave të Olimpiadës në peshën deri 52 kg.
Nesër pritet të garojnë peshëngritësit Briken Calja e Daniel Godelli në peshën 69 kg dhe notari Sidni Hoxha në 100 metra stil i lirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›