Real Madrid ne SHBA do te luaje kater ndeshje

Shfaqja e madhe amerikane është gati për të filluar. Reali i Madridit është diçka tepër tërheqëse, qoftë edhe për publikun e madh amerikan, të mësuar me çdo lloj spektakli. Skuadra e Zhoze Murinjos, kampione e Spanjës në fuqi, prek tokën e Botës së Re me yjet e saj të mëdhenj dhe të shumtë si Kristiano Ronaldo, Iker Kasijas, Kaka, Mesut Ozil apo Sergio Ramos.
Reali do të luajë 4 ndeshje përgatitore, duke nisur me atë të fundjavës ndaj Galaksisë ku luan Dejvid Bekam. Më tej, do të jenë takimet e tjera në Las Vegas, Nju Jork dhe Filadelfia.
Turneu amerikan është pjesë e fazës përgatitore, diçka jo e lehtë për lojtarët dhe stafin teknik, por i rëndësishëm për klubin në aspektin financiar.
Portieri dhe kapiteni Iker Kasijas vlerëson se qëllimi është përmirësimi i mëtejshëm i skuadrës me synim fitoren e titujve.
“Është hera e parë që shkojmë në Las Vegas dhe duam që të kënaqim tifozët. Ky është një nga qëllimet tona këtu në Shtetet e Bashkuara. Jemi duke u përgatitur për nisjen e sezonit, ndërsa ndeshjet këtu në Amerikë nuk do të jenë të lehta. Është pak a shumë si vjet. Duam që të hedhim një tjetër hap përpara, të konsolidohemi dhe të fitojmë titujt. Sa për Luka Modriçin, mendoj se ai është lojtar i nivelit tonë dhe do të ishte një përforcim i mirë për ne”, u shpreh Kasijas.
Reali u shpall kampion i Spanjës me një rekord prej 100 pikësh, ndërsa synimi kryesor tani është Liga e Kampionëve.