E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olimpiada shorti i futbollit

Përfaqësuesja britanike, e cila do të marrë pjesë në aktivitetin e parë të futbollit në Lojërat Olimpike prej vitit 1960 do ta nisë aventurën në “Londër 2012” ku synon medaljen e artë kundër Senegalit në stadiumin e Mançester Junajtid, “Olld Traford” më 26 korrik. Kjo është përcaktuar nga shorti I hedhur në ambientet e stadiumit mitik “Uembli”.

Senegali është kualifikuar për herë të parë në histori në fazën finale të një olimpiade, pasi fitoi 2-0 në ndeshjen ‘play-off’ me Omanin, në stadiumin e Koventit. Kundërshtarë të tjerë të ekipit olimpik britanik në Grupin A janë edhe Uruguai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, Brazili pesë herë kampion bote, por që nuk ka triumfuar në asnjë rast në Lojërat Olimpike, do të përballet me Egjiptin, Bjellorusinë dhe Zelandën e Re në Grupin C. Spanja, fituese e medaljes së artë në vitin 1992, si edhe kampione e botës dhe Europës në fuqi do të vihet përballë Japonisë, Hondurasit dhe Marokut në Grupin D, ndërsa Meksika cilësohet si kokë serie në Grupin B, ku do të ketë si kundërshtarë Zvicrën, Korenë e Jugut dhe Gabonin.

Ndeshja e parë e futbollit në “Londër 2012” do të luhet në “Milenium Stadium” të Kardifit më 25 korrik, vetëm dy ditë pas ceremonisë së hapjes së evenimentit, kur përfaqësuesja britanike e femrave do të luajë me Zelandën e Re në Grupin E, ku ndodhen edhe Kameruni dhe Brazili.

Japonia, kampione e botës në futbollin e femrave luan përballë Suedisë, Afrikës së Jugut dhe Kanadasë në Grupin F, ndërsa përfaqësuesja e SHBA-ve, kampione olimpike në fuqi do të kenë si kundërshtarë Francën, Kolumbinë dhe Korenë e Veriut në Grupin G. finalja e femrave është parashikuar të luhet në “Uembli” më 9 grusht, vetëm dy ditë përpara finales së meshkujve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›