E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takohet me homologun malazez Vujanoviç

Presidenti Bamir Topi ka zhvilluar takim me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç në ditën e parë të vizitës zyrtare në Mal të Zi. Në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes dy vendeve tona si dhe u shpreh vullneti politik për intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellta, duke rritur dhe zgjeruar sidomos marrëdhëniet dhe shkëmbimet ekonomiko-tregtare dhe ato në kuadër të bashkëpunimit rajonal me synim integrimin e përbashkët në strukturat euro-atlantike dhe në gjirin e familjes së madhe evropiane. Presidenti Topi vuri në dukje se Forumi i Cetinjës është një shembull i mirë dhe i dobishëm për të diskutuar çështje që preokupojnë rajonin dhe për nevojën e një koordinimi e bashkëpunimi më të gjerë. Kreu i shtetit shqiptar vuri në dukje domosdoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri, demokratik e shumetnik të Kosovës në forume dhe nisma rajonale, gjë do të pasqyronte realitetin e ri gjeo-politik të rajonit tonë dhe do ti kontribuonte thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe rritjes së qëndrueshmërisë afatgjatë. Në këtë drejtim, presidenti Topi shprehu bindjen se intensifikimi e zgjerimi i mëtejshëm i këtyre nismave  i hap rrugë zhvillimit të shpejtë, investimeve të ndërsjella, projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, turizmit, shkëmbimeve kulturore, artistike, sportive, tregtisë kufitare, etj. Nga ana e tij, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, duke vlerësuar këtë takim të radhës si të rëndësishëm e të frytshëm për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, theksoi se dhe vendi i tij është mjaft i interesuar për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal në përmbushje të aspiratave integruese të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euro-atlantike dhe në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›