Olldashi: Gati tapitë për banesat e palegalizuara
Legalizimet e banesave kanë qenë një tjetër temë rreth së cilës deputetët kanë debatuar dje në sallën e Kuvendit me ministrat. Ky shqetësim u ngrit nga deputeti i PDK-së, Jak Ndokaj, i cili i kujtoi qeverisë që të realizojë premtimet që ka bërë në 2005-ën dhe një nga këto premtime është edhe procesi i legalizimeve. Ndokaj theksoi se prej disa kohësh dëgjohet në media dhe lexohen lista legalizimesh, por deri më tani nuk është bërë asnjë hap konkret, nuk kanë dalë dokumentet ligjore dhe kështu nuk ka zhbllokim të procesit. Nga mungesa e legalizimit, tha deputeti Ndokaj, lind edhe konflikti që ka mbetur ende i hapur midis pronarëve ligjorë dhe pronarëve të rinj që përfitojnë nga legalizimet. Duke kujtuar premtimet e qeverisë, Ndokaj konstatoi se është thënë që procesi do të ishte i dyfishtë dhe se përfitimet nga legalizimet do të kalonin në masë kompensuese te pronarët legjitimë. Por, shtoi ai, për shkak se nuk ka ndodhur ende legalizimi dhe nuk ka ende vlera monetare në dispozicion, premtimi për kompensimin e pronarëve ka mbetur në vend dhe ky tashmë nuk është lajm i ri. Jak Ndokaj ka kërkuar që t‘u jepet fund premtimeve të pambajtura 18-vjeçare për çështjen e legalizimeve. Pretendimet e deputetit të PDK-së janë kundërshtuar nga ministri i Transporteve, Olldashi, i cili duke folur për legalizimet ka theksuar se tashmë janë të përfunduara 150 mijë dosje që përfshihen në ligjin për legalizimet. Sipas ministrit, shumë shpejt do jepen tapitë e para për banesat e legalizuara. Më tej ai theksoi se deri tani nuk ka pasur asnjë ankesë për sa i përket procesit të legalizimit. Duke iu referuar këtij procesi të legalizimit, ai kërkoi që të gjithë ata persona që kanë kryer të gjitha procedurat, të bëjnë edhe pagesën, në mënyrë që bëhet përfundimi i plotë i procesit