E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, mbeten pezull regjistrimet

 

zirina llambro

Mbeten pezull regjistrimet në sistemin Part-time. Kuotat tashmë janë miratuar nga qeveria, por Ministria e Arsimit vijon të shtyjë udhëzimin përkatës për mënyrën se si do të përzgjidhen studentët. Në të, duhet të saktësohen edhe datat e nisjes së vitit akademik. Ndonëse u premtua se brenda muajit nëntor, i gjithë ky proces do të kishte përfunduar, ende në universitete nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare. Sakaq, nga ana e tyre shkollat e larta nuk kanë nxjerrë asnjë kriter pranimi për kandidatët, të cilët e kanë tashmë një diplomë dhe duan të ndjekin me kohë të pjesshme edhe një tjetër degë. Sipas vendimit të qeverisë për "rekrutimin" e kësaj kategorie, i lihet dorë e lirë universiteteve. "Kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme në një program të dytë studimi do ta fitojnë këtë të drejtë sipas kritereve të vendosura nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë", thuhet në vendimin e qeverisë. Por këta të fundit duket se nuk duan të dalin përpara Ministrisë së Arsimit. "Kriteret janë në proces dhe do të përfundojnë, pasi të na ketë ardhur në duar udhëzimi i ministrisë për programet e ciklit të parë me kohë të pjesshme, që kanë edhe numrin më të lartë të kuotave", sqaruan burime nga Universiteti i Tiranës. Për këto pranime pritet që nëse numri i konkurrentëve është më i lartë se kuotat të vendoset mesatarja si kusht pranimi. "Deri tani ky është opsioni më i pranueshëm. Por gjithçka do të jetë zyrtare, vetëm pasi të dalë udhëzimi që mban firmën e ministrit", pohuan burime pranë MASH. Nga sa ka përcaktuar qeveria, këtë vit akademik do të pranohen 4845 kandidatë në ciklin e studimeve me kohë të pjesshme. Sa i përket tarifave të shkollimit, krahasuar me vitet e mëparshme, ato kanë pësuar një ulje mesatarisht prej 10 000 lekësh. Kuotat e Part-time do të ndahen në katër cikle. "Për programin e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme janë parashikuar 3 045 kuota, për programet e dyta të studimit 1 400 kuota. Ndërkaq, për transferim studimesh dhe për shtetasit e huaj janë përcaktuar 200 vende për secilin sistem", cilësohet në vendimin e qeverisë. Rishpërndarja e kuotave për programet e ciklit të parë është bërë sipas degëve të caktuara të universiteteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›