Olldashi: Në Tiranë ka troje vetëm për ata që Rama do ti bëjë deputet
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, zhvilloi disa takime me simpatizantë e mbështetës të Partisë Demokratike në Bulqizë. Duke u ndalur në reformat e ndërmarra nga mazhoranca, kreu i transporteve kritikoi Ramën, duke e cilësuar atë si një politikan, që e përdor pushtetin në shërbim të interesave.
Rama është politikani simbol i korrupsionit dhe i përdorimit të pushtetit për para dhe përfitime vetjake i akuzuar publikisht nga biznesmenë se i ka kërkuar 1 milion dollarë për nxjerrjen e 1 leje ndërtimi, politikan që në mbledhje të KRRT i jep 19 leje në qendër të kryeqytetit, ish-drejtorit të urbanistikës, nënvizoi ai, duke shtuar se nuk ka troje në Tiranë për shkolla, por ka troje për ata që Edi Rama kërkon ti bëj deputetë. Ndër të tjera, Olldashi u ndal dhe në reformat konkrete për zonën e Bulqizës në të cilën përfshihen ndërtimi dhe rehabilitimi i akseve rrugore. Në këtë drejtim ministri Olldashi është ndalur tek investimi rreth 10 herë më shumë për rrugët duke theksuar se të gjitha akset e rrugëve kombëtare të Shqipërisë janë ose të ndërtuara ose në ndërtim.