Konsumatorët e punonjësit e OSSH-së, burg po abuzuan me energjinë
Dollapi: Kush vjedh energjinë, tani përfundon në pranga
Në prag privatizimi, përmirësohen arkëtimet e humbjet
Konsumatorët e energjisë elektrike, si dhe punonjësit që e faturojnë atë, nëse do të abuzojë me këtë mall, do të përfundojnë në të njëjtin vend, në burg. Ky është paralajmërimi që ka bërë dje drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Seit Dollapi, në një konferencë për shtyp. Dollapi ka deklaruar se është i vendosur të përmirësojë gjithë treguesit e kësaj shoqërie në prag privatizimi. Por nga ana tjetër, jo vetëm vjedhja e energjisë elektrike do të dënohet me burg, por edhe rastet kur konsumatorët nuk e paguajnë atë, duke u bërë debitorë ndaj OSSH-së, e duke dëmtuar gjendjen e saj ekonomike. Dollapi ka paralajmëruar dje të gjithë abonentët që të paguajnë faturat e energjisë elektrike, pasi në prag të privatizimit, nuk do të lejohen më abuzimet. “Masa e dënimit me burg do të jetë jo vetëm për konsumatorët që ndërhyjnë në rrjet, por edhe për punonjësit që kapen me shkelje”, - ka deklaruar dje Seit Dollapi, drejtor i OSSH-së. Një draft po bëhet gati nga ekspertët e METE-s, që parashikon ndryshimet në ligj dhe ndëshkimin e atyre që abuzojnë me energjinë. “OSSH do të ketë zero tolerancë për çdo konsumator, i cili nuk do të paguajë energjinë elektrike dhe do të ketë zero tolerancë për çdo punonjës, i cili nuk do të jetë korrekt me konsumatorët, si në mënyrën faturimit të energjisë elektrike, ashtu edhe me problemet që kanë të bëjnë me vendosjen e pagesës apo edhe me detyrimet që kanë të tretët kundrejt kompanisë”, - ka deklaruar Dollapi. Dy ditë më parë një gjë të tillë e deklaroi edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i cili bëri me dije se do të bëhen ndryshime në ligjin përkatës dhe do të parashikohen dënime të rënda për ata që prekin rrjetin elektrik. Sipas Rulit, abuzimi me energjisë do të quhet vepër penale dhe jo më një kundërvajtje, siç e parashikon deri më tani ligji. Dollapi sqaroi dje se ndërhyrjet lidhen me forcimin e masave ndëshkuese dhe se qeverisë i është propozuar që çdo ndërhyrje në rrjetin e energjisë elektrike nga çdo konsumator të mos quhet më kundërvajtje, që kalon me një gjobë, por shkelësi i ligjit të përballet me dënimin me burg. Por jo vetëm konsumatorët janë ata që e pësojnë nga ligji. Tani dhe punonjësit që punojnë pranë OSSH-së do të penalizohen rëndë. “Kemi propozuar që në këtë ligj të përfshihet edhe ndëshkimi për të gjithë ata punonjës të OSSH-së, të cilët vërtetohet se kanë ndërhyrë në mënyrë antiligjore në rrjetin elektrik, në sistemin e matjes apo në aparaturat që kanë të bëjnë me matjen e energjisë elektrike. Standardet do të jenë të njëjta dhe ata do të kenë të njëjtin fat si abonentët abuzues”, - është shprehur Dollapi. Sipas tij, ndaj punonjësve që bëhen bashkëpunëtorë në vjedhjen e energjisë nuk do të ketë vetëm masë administrative me largim nga puna, por masa do të jetë ndjekje penale sipas të gjitha procedurave ligjore. Dollapi, i pyetur për masën e dënimet që do të marrin abuzuesit e energjisë, ka sqaruar se kjo ende nuk është përcaktuar. “Se sa do të jetë masa maksimale e dënimit kjo do të vendoset nga një komision pranë ministrisë. Projekti është ende në diskutim, por ne do të kemi sërish komunikime të tjera, kur gjithçka të ketë marrë formë përfundimtare”, - ka sqaruar drejtori i OSSH-së.
Treguesit e humbjeve 3 muajt e fundit
Prill 2008 - 34.39 %
Maj 2008 - 33 %
Qershor 2008 - 29.5 %
Treguesit e arkëtimeve për familjarët
Prill 81%
Maj 88 %
Qershor 85 %
OSSH përmirëson treguesit në 3 muaj
Nga ana tjetër, Dollapi ka bërë me dije se gjatë tremujorit të dytë të këtij viti janë përmirësuar treguesit e arkëtimeve dhe humbjeve. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të muajit qershor, niveli i humbjeve arriti në 29.5 për qind, ndërsa arkëtimet në 85 për qind tek familjarë dhe 98 për qind tek privatët. Sipas tij, në këto 3 muaj, që nga muaji prill deri në fund të qershorit, treguesi i humbjeve ka ardhur vazhdimisht duke u përmirësuar. “Këto shifra tregojnë një përmirësim të vazhdueshëm të punës, për një ulje të vazhdueshme të nivelit të humbjeve dhe të vjedhjeve të energjisë elektrike. Gjithashtu kemi edhe një përmirësim të ndjeshëm të treguesve në arkëtimet familjare dhe një rritje të vazhdueshme të këtij treguesi”, - u shpreh drejtori i OSSH-së. Nga ana tjetër, Dollapi ka nënvizuar se arritjet në privat, përveç rritjes së peshës specifike ose rritjes së nivelit të faturimit tek abonentët privatë, vërehen edhe rritje të nivelit të arkëtimeve dhe të pagesës tek këta abonentë.
BOX
Rreth 80 mijë abonentë s’kanë matës elektrik
Një pjesë e mirë e abonentëve që konsumojnë energji elektrike nuk e kanë ende një matës të energjisë elektrike. Kësisoj, ata vazhdojnë të paguajnë energjinë në formë aforfe, pa mundur të masin konsumin real të energjisë. Por në drejtim të kësaj çështjeje, OSSH po punon shumë dhe synohet që dhe ata konsumatorë që s’kanë matës të pajisen me to. Drejtori i OSSH-së, Seit Dollapi, tha dje se rreth 70 për qind e abonentëve ka matës dhe pjesë tjetër, që shkon në rreth 80 mijë nuk është pajisur ende me to. “Problemin e instalimit të matësve ne e ndjekim me grafik ditor. Mund t'ju them se janë rreth 80 mijë abonentë të pa pajisur me matës. Deri tani, tek abonentët familjarë janë vendosur rreth 40 mijë matës, tek abonentët privatë janë vendosur mbi 5 mijë matës dhe tek subjektet që klasifikohen me konsum të lartë janë vendosur 1.400 panele matjeje. Pra, janë vendosur rreth 70 % e aparaturave të gjithë sistemit të matjes. Ne besojmë se deri në fund të vitit edhe kjo çështje do të konsiderohet e mbyllur dhe të gjithë abonentët do të pajisen me matës”, - ka sqaruar Dollapi.
Procesi i privatizimit sipas parashikimeve
Procesi i privatizimit të Operatorit të Sistemimit të Shpërndarjes të energjisë po ecën sipas parashikimeve të bëra nga qeveria. Pasi janë shpallur kompanitë parakualifikuese pritet muaji shtator që ato të bëjnë publike ofertat e tyre financiare dhe teknike. Drejtori i OSSH-së, Dollap, ka siguruar dje gazetarët se procedurat po ecin sipas parashikimeve dhe se dokumentacioni është gati. “Meqë detyra jonë kryesore është përgatitja e të gjithë dokumentacionit për privatizimin e kompanisë, mund të konfirmoj se janë mbyllur dhe janë dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme sipas kërkesave të ministrisë dhe të institucioneve ndërkombëtare në lidhje me procedurën e privatizimit. Pra, kompanitë që janë të interesuara për blerjen e OSSH-së e kanë në dispozicion dokumentacionin e plotë si për verifikimin në terren, ashtu edhe në bazën e të dhënave që është ngritur pranë kompanisë”, - tha dje Dollapi. Në qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendosi që 76 për qind e paketës shtetërore të aksioneve të kapitalit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) t'u afrohet investitorëve strategjikë. Në garë për privatizimin e OSSH, janë kompanitë EVN, CEZ, ENEL dhe "Stetmarker Energy", të cilat në fillim të muajit shtator do të paraqesin në ministri ofertat e tyre.