E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Regjistrimi i biznesit të shënojë rekord në rajon



Brenda vitit, Qendër Kombëtare për Licencat

Në 6 muaj aplikojnë pranë QKR-së rreth 50 mijë subjekte

Çelja e një sporteli të posaçëm për regjistrimin e biznesit tregoi se sa të nevojshme e kishte ky komunitet një lehtësi të tillë. Vetëm 6 muaj pasi u hap Qendra e Regjistrimit të Biznesit, numërohen afërisht 50 mijë aplikime për të regjistruar aktivitetin nga biznese të ndryshme. Ndërkaq, numri total i bizneseve të regjistruara shkon në 110 mijë të tillë. Kjo procedurë e re ka krijuar lehtësi të tepërta për biznesit, duke u thënë fund alkimive nëpër gjykata që zgjasnin pa mbarim. Shifrat u bënë dje publike nga QKR-ja, ku i pranishëm ka qenë edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Ndërsa në Tiranë duket se është arritur numri i madh i regjistrimit të bizneseve pranë QKR-së, në rrethe nuk është e njëjta atmosferë. Ndaj ministri Ruli kërkoi dje rritjen e bashkëpunimit me pushtetin vendor për regjistrimin e biznesit. Ministri Ruli i kërkoi administratës së QKR-së intensifikimin e bashkëpunimit me pushtetin vendor për të bërë të mundur që jo vetëm në dy prej qyteteve kryesore të shënohen nivele rekord në rajon, për sa i përket regjistrimit të biznesit, por mundësisht ky regjistrim të shtrihet në të gjitha qytetet. Duke vlerësuar punën e bërë nga QKR-ja, Ruli u shpreh se kalimi i regjistrimit të biznesit nga procedura gjyqësore në atë administrative dhe ulja e kontakteve mes biznesit dhe shtetit janë ato që përmirësojnë klimën e biznesit.

"Procedurat e regjistrimit të QKR-së kanë thjeshtuar dhe reduktuar dukshëm koston e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, duke reduktuar në një ditë të vetme periudhën e nevojshme për të regjistruar një biznes të ri dhe për të bërë ndryshime në informacionin për kompaninë e regjistruar", - u shpreh Ruli. Sipas Rulit, QKR-së iu deshën 6 muaj të rregullonte atë çka ishte bërë mbrapsht në regjistrimin e shoqërive tregtare shqiptare për 14 vjet, për arsye se trashëgoi një arkivë të tërë dokumentare nga të gjitha gjykatat e vendit me të gjitha problematikat në këto dosje.

Bizneset, në regjistrin e QKR-së rezultojnë 110 mijë subjekte

Drejtori i Qendrës Kombëtare për Regjistrimin e biznesit, Tomi Kola, tha se në të gjithë vendin numri i bizneseve të regjistruar arrin në 110 mijë. "Hapja dhe shërbimi i shpejtë që ofrohet nëpër sportelet e regjistrimit të bizneseve në "One Stop Shop" pranë zyrave të QKR-së, ka ndikuar në rritjen e shpejtë të numrit të bizneseve të reja", - u shpreh Kola.

Sipas tij, në fund të 6 muajve të parë të këtij viti, mbi 13 mijë biznese të reja janë regjistruar në sportelet e Qendrës së Regjistrimit të Biznesit (QKR). Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR) ka tashmë regjistrin tregtar elektronik të të gjitha kompanive të regjistruara në Shqipëri, sipas modelit të direktivave të BE-së, ndërsa ka mbyllur procesin e skanimit dhe indeksimit të të gjitha dosjeve të regjistrimit në gjykata të bizneseve.

Tashmë, të gjitha bizneset kanë një mundësi të re për të kontrolluar në mënyrë elektronike (online) dosjet e tyre, të krijuara që nga 1991, pasi Qendra e Regjistrimit të Biznesit (QKR) ka hapur këto ditë faqen e internetit për këtë qëllim. Në të, bizneset mund të kontrollojnë në formë elektronike dhe online dosjet e tyre historike, por edhe skanime të dokumenteve, vendime të gjykatës, që lidhen me aktivitetet e regjistrimit të biznesit.

QKR-ja u shërben gjithashtu të gjitha bizneseve të tjera që kanë aktivitet prej kohësh, por që duan të kryejnë ndryshime në to, sikurse mund të jetë edhe ndryshimi i statusit aktual të biznesit. Pas përpunimit të dokumentacionit në mënyrë elektronike, pas marrjes së të dhënave nga klienti pranë sporteleve të QKR-së, certifikata e regjistrimit shoqërohet bashkë me numrin e NIPT-it.

BOX

Ruli: Brenda vitit, Qendër Kombëtare për Licencimin

Licencat dhe lejet do të jepen në një institucion të vetëm. Brenda këtij viti pritet të ngrihet një qendër e posaçme që të japë leje dhe licenca për aktivitete të ndryshme. Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka siguruar dje se brenda këtij viti pritet të hapet edhe Qendra Kombëtare për Licencimin e Biznesit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, tha dje se "hapi i dytë në reformat rregullatore drejt përmirësimit të klimës së biznesit është edhe lehtësimi i procedurave të licencave". "Shumë shpejt licencat do të përqendrohen në një qendër të re, që do të jetë e ngjashme me atë të regjistrimit të biznesit, që do të jetë Qendra Kombëtare e Licencimit, e cila me praktika të shpejta dhe afate optimale të aplikimit, biznesmenët do të pajisen, që nga lejet profesionale e deri te licencat", - u shpreh ministri Ruli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›