METE: Negociatat për shitjen e ARMO-s, brenda afatit
Negociatat për shitjen e ARMO-s janë brenda afateve të përcaktuara nga qeveria. Kjo gjë është konfirmuar dje edhe nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Duke iu përgjigjur interesit të medias, ministri Ruli tha se javën që vjen përfundon edhe afati i parë i dhënë dhe jemi shumë afër konkludimit të disa aspekteve teknike të kontratës. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës po zhvillon negociata me konsorciumin amerikano-zviceran "Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises&Mercuria Energy Group", fituese për blerjen e 85% të aksioneve të kompanisë ARMO. Sipas burimeve zyrtare të METE-s, negociatat ku merr pjesë dhe kompania konsulente e privatizimit të ARMO-s, "Pattom Boggs”, po ecin mirë dhe synohet që ky proces të mund të përfundojë shumë shpejt. Më 18 qershor, Këshilli i Ministrave shpalli fitues konsorciumin amerikano-zviceran "Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises&Mercuria Energy Group", për blerjen e paketës kryesore të kompanisë ARMO, në bazë të vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në METE, si dhe ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për negocimet dhe nënshkrimin e marrëveshjes me "Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises & Mercuria Energy Group".