E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi inspekton depon e re të ujit në Dajt, akuzon Ramën

TIRANË- Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, inspektoi sot përfundimin e punimeve në zonën e gurores, në malin e Dajtit duke theksuar se depoja e re është pjesë e një pakete investimesh prej 18 milionë dollarësh.

“Përmes saj janë shtruar 82 kilometra rrjet transmetimi dhe rrjet shpërndarës ujesjellësi në Tiranë, janë shtuar 26 mijë m3 kapacitete mbajtëse dhe është përmirësuar furnizimi me ujë në zonën e qendrës së kryeqytetit, Tiranën e Re, Komunën e Parisit, Kodrën e Diellit, Sauk, Selitë, Misto Mame, Uzinën Traktori, Shkozë, Laknas, Bërxull , Yzberisht, Kombinat, Babrru dhe Paskuqan”,- theksoi Olldashi.

Ministri i Punëve Publike përgëzoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për pjesëmarrjen në administrim të ujësjellësit, ndërkohë ka akuzuar ish kreun e Bashkisë Edi Rama për bllokim të projektit.

'Transferimi i ujësjellësit duhet të ishte mbyllur që në fundvitin 2007, por z.Rama, me një qëndrim tërësisht politik dhe logjikisht të paqëndrueshëm, refuzoi të merrte administrimin, ndonëse kishte dy vjet që akuzonte qeverinë se nuk i jepte ujësjellësin",- deklaroi Olldashi.

Ministri Olldashi njoftoi se pritet të ndërtohen dy depo të reja, prej 8 mijë m3 në Kinostudio dhe 15 mijë m3 në zonën e qytetit 'Studenti', gjë që do të bëjë të mundur fillimin e heqjes së depozitave individuale të banorëve nga tarracat e pallateve të kryeqytetit.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›