E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtohen aparatura luksi për "Nënë Terezën"

Viti 2009 mendohet të jetë i mbarë si për blerjet e vogla ashtu edhe për ato të mëdha, në spitalin "Nënë Tereza". Sipas disa prej parashikimeve të bëra nga administrata e spitalit, këtë vit, do të jenë pjesë e "arkivit" mjekësor një akselerator linear, teknikë e avancuar e terapisë me rreze, si dhe pajisja e liptotripit. Kjo e fundit thyen gurët në veshka. Ato do të blihen të reja dhe do të vendosen pranë shërbimeve përkatëse. Duke qenë se akseleratori nuk u vendos në shërbimin e onkologjisë dy vjet më parë si pjesë e një donacioni të huaj, as pajisja e liptotriptit nuk u arrit të rregullohej. Ndaj u vendos që në planifikimet për blerjet e vitit 2009, të ishin pjesë edhe këto dy pajisje "luksoze".

Vetë shërbimi i urologjisë kishte kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të parashikonte blerjen e aparaturës së thyerjes së gurit në veshka, në mënyrë që shumica e pacientëve, të cilët kishin mundësi t‘i thyenin ato të evitonin ndërhyrjet kirurgjikale.

Aparatura, e cila prej tre vitesh qëndron në spital, nuk mund të rregullohej, pasi pjesët e nevojshme për rehabilitimin e saj kushtojnë shumë shtrenjtë, aq sa me të njëjtin fond leverdis më mirë të blihet një e re. Ndërkohë që, akseleratori linear është një nga teknikat që përdoren në të gjitha spitalet e vendeve të Bashkimit Evropian dhe që ka zëvendësuar me sukses trajtimet e kobaltoterapisë. Ky shërbim do të niste nga puna dy vjet më parë, falë një donacioni të një spitali të huaj, por që nuk u realizua edhe pas kalimit të afatit të parashikuar, për mbërritjen dhe montimin e tij në qendër. Një nga kërkesat, ankesat, dhe sugjerimet më të përfolura vitet e fundit nga pacientë, mjekë apo "teknicienë" të shëndetit ka qenë edhe blerja e një apo dy pajisjeve të koronarografisë. Vendosja e tyre në spitalet e qyteteve të tjera apo edhe te "Nënë Tereza" do të lironte radhët e gjata të pacientëve dhe do të sillte më shumë komoditet edhe në QSUT. Ende nuk ka asnjë parashikim konkret lidhur me këtë pajisje, pavarësisht kërkesave të ardhura edhe nga vetë shërbimi i kardiologjisë.

Sakaq, pjesë e ndryshimeve të mëdha që presin spitalin, në kuadër të përmirësimit janë edhe kontratat e reja të servisit që do të nënshkruhen deri në fund të muajit mars. Kjo pikë, pritet të zgjidhë edhe problemet e mëdha që ka aktualisht qendra me serviset e aparaturave, të cilat prishen herë pas here.

Pritjet dhe afatet deri në mbërritjen e një tekniku bllokojnë punën në mënyrë periodike dhe lënë në radhë pacientë nga i gjithë vendi. Aparatura që kryejnë ndërhyrjen invazive të koronarografisë për pacientët e sëmurë me zemër bashkë me 50 aparaturat e tjera të shtrenjta që aktualisht ndodhen në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", do të lidhin kontratën e mirëmbajtjes me firmat prodhuese përkatëse, në muajin mars. Në bazë të ligjit, ky është afati më i mirë dhe i afërt që qendra spitalore ka mundësi të ofrojë. Duke nisur nga ky vit, spitalet do të bëjnë vetë blerjet, tenderat, do të plotësojnë të gjitha kërkesat duke kryer vetë parashikimin, administrimin e të ardhurave dhe kërkesën e llogarisë. Ai që do t‘u rrijë mbi kokë veprimeve do të jetë Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ministrja nga ana tjetër do të jetë politikëbërëse dhe katalizatori mes legjislacionit, zbatimit në praktikë apo menaxhimit të kërkesave dhe fondeve që i nevojiten shëndetësisë në vazhdimësi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›