Republikanët prezantojnë kandidatët për deputetë në qarkun e Korçës
Kryesia e Partisë Republikane ka prezantuar në Qarkun e Korçës, 12 kandidatët për deputetë të këtij subjekti politik për zgjedhjet e 28 Qershorit, midis të cilëve tre kandidate femra. Kryetari i kësaj partie, Fatmir Mediu në fjalën e tij u ndal në antëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe hapat për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.
Në këtë drejtim ai ka theksuar si garanci për këtë integrim, investimet e shumta dhe kryerjen e reformave të thella në vend. Shqipëria është i vetmi vend në botë që investon 18 % të buxhetit të tij për infrastrukturën rrugore, si dhe investimet e realizuar në shëndetësi dhe arsim, u shpreh Mediu. Me sloganin Sot në NATO, nesër në BE me të cilin Partia Republikane paraqitet në fushatën për zgjedhjet e 28 Qershorit, kreu i kësaj partie bëri thirrje për të votuar në këto zgjedhje për të djathtën, në mënyrë që ti jepet një shans shqiptarëve për të kthyer në realitet atë që ata besojnë, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kandidatët për deputetë të përzgjedhur nga PR në Qarkun e Korçës, janë figura të spikatura si gratë Myrvete Pazaj, Afroviti Gusho dhe Evelina Riska, krahas kandidatëve Ilir Koroveshi, Ylli Qirinxhi, Gerond Sevrani, Avdyl Spaho, Artan Dvorani, Alfred Gega. Kandidatja Pazaj gjatë fjalës së saj u shpreh se kryesia e partisë Republikane e shikon Qarkun e Korçës, si një rajon që do të garantojë suksesin e fitores në zgjedhjet e 28 Qershorit.