Pollo, në Kozarë: Vetëm Rama nuk bën thirrje për aplikimin me letërnjoftime
Zëvendëskryeministri Genc Pollo ka akuzuar liderin socialist për mosangazhimin e tij në thirrjen për aplikimin për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike. Duke përmendur këtu krerët më të lartë të vendit, mazhorancën në tërësi, udhëheqësit e opozitës, të cilët kanë bërë thirrje për aplikim, Pollo është ndaluar tek Rama, si i vetmi individ që tregohet neglizhent ndaj këtij fakti. Këtë thirrje e kanë bërë të tërë, kryeministri, maxhoranca, udhëheqës politik të opozitës si Meta e Milo, gjithë komuniteti ndërkombëtar.
I vetmi njeri që në mënyrë të çuditshme nuk arrin ta bëjë këtë gjë, është Edi Rama kryetar i Partisë Socialiste, ka theksuar Pollo duke bërë thirrje edhe për banorët e Kozarës për të aplikuar për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike. Në takimin e zhvilluar me këta banorë, zëvendëskryeministri foli për ndryshimet që kanë ndjerë fermerët nga reformat e qeverisë në bujqësi, që nga viti 2005 e deri në ditët e sotme. Duke përmendur kohët e kaluara, ku pjesa më e madhe e fshatarëve nuk ishin në gjendje të shisnin prodhimet bujqësore dhe blegtorale, për shkak të prodhimeve të huaja, që kishin zaptuar tregun, Pollo ka fajësuar qeveritarët, të cilët sipas tij nuk kishin interesin e prodhimit vendas, por të importit nga vendet fqinje, sepse ishin vetë në krye të biznesit. Ky është ndryshimi nga viti 2005-a e këtej. Kemi tarifa doganore që respektojnë prodhimin tuaj dhe ju keni produkte që mund ti shisni dhe të zhvilloni ekonominë e familjes suaj dhe të ardhmen suaj, ka nënvizuar ai. Zëvendëskryeministri është ndaluar tek mbështetja që qeveria i ka dhënë bujqësisë në subvencionim e prodhimeve bujqësore. Sipas tij, ka pasur edhe më parë programe 2 KR, por paratë e këtyre programeve në letra nuk shkonin për bujkun, fermerin, për blegtorin e Kozarës dhe të komunave të tjera, por në realitet ktheheshin aty ku ishin nisur, te zyrtarët e këtyre programeve. Ndryshimi real tjetër, nga 2005 është, që nëse qeveria ka caktuar çdo vit për mbjelljen e vreshtave, pemëve frutore, të rrënjëve të ullirit, ato para janë destinuar për fermerët, që i përmbushin kriteret. Kanë shkuar te ata dhe prej tyre ka shumë në këtë komunë, që janë dëshmitarë të mbështetjes reale për bujqësinë dhe të faktit që bujqësia ka ndryshuar jashtë mase në Kozarë, në Kuçovë, në Berat e gjithë Shqipërinë, veçoi Pollo. Kjo sipas tij ka ardhur sepse numri i hektarëve me tokë të mbjellë, numri i rrënjëve të pemëve të të gjitha llojeve është rritur pakrahasimisht, krahasuar me 2005-ën.