Ruli: Qeveria ka investuar për fshatin 17 herë më shumë se socialistët
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës është ndaluar në komunën e Lunxhërisë, gjatë turit të tij, të ndërmarrë në qarkun e Gjirokastrës. Në bashkëbisedimin me banorët e zonës, Ruli e ka vënë theksin në investimet e qeverisë për fshatin. Qeveria shqiptare gjatë katër viteve të fundit ka investuar për fshatin 1.2 miliardë dollarë, 3 herë më shumë se gjatë qeverisjes 8-vjeçare të socialiste.
Vetëm në rrugët e fshatrave janë investuar 7 miliardë, domethënë 17 herë më shumë se në qeverisjen socialiste. Kjo, sepse Shqipëria nuk mund të hyjë në Evropë me dy standarde, me atë të grataçelave të Tiranës, Vlorës apo Durrësit ,dhe nga ana tjetër me një fshat të prapambetur, është shprehur ministri Ruli. Sipas tij, qeverisja demokratike nuk i ka parë komunat me ngjyrime politike, por investimet kanë qenë të njëtrajtshme, me të vetmin synim, atë të zhvillimit të zonave rurale. Më tej ministri Ruli ka premtuar rifillimin shumë shpejt të punimeve të rrugës që do të lidhë komunën e Lunxhërisë me aksin nacional Gjirokastër- Kakavijë dhe qytetin e gurtë.