Olldashi, vizitë virtuale në Rrëshen-Kalimash
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ironizoi opozitën, duke i kërkuar të vizitojë rrugën Durrës-Kukës. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit mori pjesë dje në përurimin e ekspozesë lëvizëse me pamje nga punimet e realizuara në aksin rrugor Rrëshen-Kalimash. Olldashi bëri me dije se "kjo ekspoze, përveçse vlerëson veprën më të madhe të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, u jep mundësinë edhe qelbësve të politikës, të paktën virtualisht, ta përshkojnë këtë rrugë, të vijnë ta shikojnë përmes fotove, pasi nuk kanë marrë kurrë mundimin ta shikojnë atë realisht, të shikojnë veprat e saj". Në këtë aktivitet të organizuar nga pedagogë të Inxhinierisë së Ndërtimit ishin të pranishëm gjithashtu dhe deputetët Ilir Rusmali, Fatos Hoxha, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Rrugëve, Andi Toma, zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, si dhe studentë të Fakultetit të Inxhinierisë. "Është një rrugë e bukur, e cila vlen të shihet në terren, por vlen të shihet edhe këtu", tha Olldashi.