E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria cakton dy zëvendësministra të rinj

Marrëveshjet paraelektorale sjellin riformatimin e nivelit të dytë qeveritar. Kryeministri Sali Berisha ka firmosur dje shkarkimin e zv/ministrit të Integrimit, Zef Bushati, dhe në vendin e tij ka vendosur Jorida Tabakun. Shefi i qeverisë ka emëruar edhe zv/ministrin e tretë të Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Adriatik Alimadhi. Emërimi dhe shkarkimi i zv/ministrave është e drejtë ekskluzive e Kryeministrit Sali Berisha. Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë kështu lëvizjet e radhës, të cilat lidhen edhe me zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Gjatë mbledhjes së qeverisë u miratua shkarkimi i zëvendësministrit të Integrimit, i cili u zëvendësua me Jorida Tabakun. Ndërkohë që kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Adriatik Alimadhi, do të jetë zëvendësministri i tretë i Transporteve. Jorida Tabaku është diplomuar për Ekonomik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vitin 2005 ka filluar doktoraturën në Universitetin e Tiranës, por kërkimet për doktoratën i ka ndjekur edhe në Universitetin e Oksfordit. Tabaku është 30 vjeçe dhe futja e saj "surprizë" në kabinetin "Berisha" lidhet me iniciativën e Kryeministrit për "thithjen e trurit në Shqipëri". Adriatik Alimadhi është kryetar i Partisë Balli Kombëtar dhe para disa ditësh nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Premtimi i Kryeministrit Berisha se do të bashkëqeverisë me aleatët, duket si një sinjal që të "vegjëlve" pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kreu i qeverisë pritet t‘u japë poste zv/ministrash. Kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, gjatë firmosjes së marrëveshjes paraelektorale me Partinë Demokratike tha se Partia e Ballit Kombëtar konsideron një vlerë kombëtare marrëdhëniet politike me Partinë Demokratike që në fillimet e proceseve demokratike dhe deri më sot. Ai theksoi se PBK-ja i vlerëson si shumë të suksesshme dhe eficente politikat me përmbajtje kombëtare në vitet e qeverisjes së vendit nga qeveria Berisha 2005-2009, si dhe realizimin e qëllimit historik të shqiptarëve, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›