Çështja "Glover", Solana i "tërheq veshin" qeverisë
Këshilli i Evropës reagoi dje zyrtarisht për çështjen "Glover" përmes zyrës së përfaqësuesit për politikën e jashtme dhe sigurisë në Bashkimin Evropian, Havier Solana. "Tashmë është një fakt, që personi që duhet të drejtojë misionin e ODIHR-it në një farë mënyre nuk është pranuar nga qeveria. Ky është një fakt dhe është publik tashmë. Ja pse Bashkimi Evropian del hapur dhe publikisht duke thënë: Ne nuk mendojmë se kjo gjë është e pranueshme dhe mendojmë se ky qëndrim duhet të përmbyset. Mendojmë se duhet të ketë bashkëpunim të plotë me të gjitha delegacionet e vëzhguesve dhe kreu i ODIHR-it duhet të përfshihet plotësisht në këtë proces", nënvizoi zëdhënësja e Solanës, Kristina Galak. "Vendi juaj, u shpreh ajo, kërkoi anëtarësimin në Bashkimin Evropian vetëm pak javë më parë. Pra është e qartë se këto lloj praktikash nuk kanë asnjë përputhshmëri me të qenit anëtar i Bashkimit Evropian", nënvizoi ajo. E pyetur se cilat ishin mënyrat e përdorura nga qeveria shqiptare për të larguar shefen e misionit të ODIHR-it në Tiranë, Galak tha se ishin përdorur mënyra diskrete, për të cilat ajo nuk mund të flasë. Lidhur me besueshmërinë e raporteve të ODIHR-it, nisur nga fakti se më parë ato janë kontestuar në Shqipëri, zëdhënësja e Havier Solanës shpjegoi se "vlerësimet e Bashkimit Evropian do të bazohen në këtë raport". "Çfarë kemi parë nga ODIHR-i është se ata zhvillojnë procese vëzhgimi, ekstremisht profesionale sa u takon zgjedhjeve. Nuk kemi asnjë dyshim për të thënë qartë se ne presim që të ndodhë e njëjta sjellje profesionale nga ekipi i udhëhequr prej zonjës Glover. Për këtë arsye, ne mendojmë se ajo, në mbështetje të qeverisë do të jetë në gjendje të ketë një mision të suksesshëm vëzhgimi të zgjedhjeve", përfundoi Kristina Galak. Dy ditë më parë, përfaqësuesit ndërkombëtarë të akredituar në Tiranë zbarkuan në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha. Disa prej ambasadorëve kyç qëndruan për disa momente në përpjekje për të zgjidhur ngërçin e krijuar mes qeverisë dhe misionit të ODIHR-it. Burimet diplomatike konfirmuan prezencën e përfaqësuesit të Komisionit Evropian, ambasadorit të prezencës së OSBE-së, Robert Bosh, ambasadores çeke, Marketa Filkova, dhe përfaqësuesit të Suedisë. Po sipas burimeve, mësohet se ndërkombëtarët ia bënë më se të qartë Kryeministrit Sali Berisha pasojat që sjell përplasja me misionin e ODIHR-it dhe insistimi për të larguar kryesuesen e këtij misioni, Audry Glover. Takimi ka zgjatur më pak se një orë dhe, sipas burimeve, Kryeministri ka përsëritur qëndrimin kundërshtues ndaj emërimit të ambasadores Glover, me argumentet se raporti për zgjedhjet problematike të 1996-ës, kur ambasadorja Glover ishte drejtuese e ODIHR-it, nuk ka qenë plotësisht realist. Megjithatë, Kryeministri mësohet të mos ketë përdorur terma të një refuzimi kategorik.