E Diel, 1 Nëntor 2026

Leigh- Topallit: Realizimi i punës së madhe, në drejtim të standardeve zgjedhore

Drejtori për zgjerimin në KE, Michael Leigh gjatë një takimi që ka zhvilluar me kryetaren e parlamentit Topalli ka përgëzuar qeverinë shqiptare për gjithçka ka bërë, duke shtuar se në sfidat e vendit, parlamenti ka një rol thelbësor. Është shumë e rëndësishme, që ka nisur shpërndarja e kartave të identitet, është realizuar një listë e rregullt e zgjedhësve, dhe vihet re se është bërë një punë e madhe në drejtim të standardeve zgjedhore, është shprehur Leigh, i cili duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave, u shpreh në mbështetje të kërkesës prioritare të politikës dhe qytetarëve shqiptarë: lëvizjen e lirë. Ndër të tjera drejtori i përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Europian, Michael Leigh ka theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe hyrja në fuqi e MSA-së, është njohje e progresit që Shqipëria ka bërë në këto vite. Nga ana e saj, kryeparalamentarja Topalli duke e njohur drejtorin e KE Leigh me procesin e përgatitjes se zgjedhjeve, theksoi se realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është në fokusin kryesor. Realizimi i një infrastrukture moderne zgjedhore, kartat e identitetit, regjistri elektronik i votuesve janë shenjë e vullnetit tonë për të realizuar zgjedhje me standarde, theksoi ajo. Ndër të tjera, kryetarja e kuvendit, ka përmendur edhe zhvillimin e ceremonisë së dorëzimit të instrumenteve të anëtarësimit në NATO, në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuar këtë një ndër ngjarjet më të rëndësishme për vendin, pas pavarësisë dhe pas vendosjes së sistemit demokratik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›