E Shtunë, 31 Tetor 2026

Omari: Si vihet në lëvizje Komisioni i Venecias

Konstitucionalisti thotë se mazhoranca ka mundësi ta bëjë kërkesën

Opsioni i një gjykimi profesional nga Komisioni i Venecias lidhur me kërkesat e Partisë Socialiste duket se nuk është i mundur nga pikëpamja procedurale. Kjo, pasi si palë para këtij organi konsiderohen vetëm institucionet kushtetuese dhe jo partitë politike që janë vetëm subjekte të Kushtetutës. Aspektin teknik të këtij arsyetimi, që është bërë pjesë e debatit politik për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, e ka sqaruar dje juristi Luan Omari. Në një prononcim për “Alsat”, ai ka shtjelluar rrugën që ndiqet deri në Komisionin e Venecias dhe që jep të kuptojë se edhe në rastin konkret, Partia Socialiste ka nevojë për konsensusin e Partisë Demokratike apo qeverisë.

“Mundësi lëvizjeje ka nga Presidenti i Republikës, nga Këshilli i Ministrave, nga Kryeministri në emër të tij, ose nga ministrat, zakonisht ai i Drejtësisë, me autorizim të Kryeministrit. Nga Kryetari i Parlamentit dhe nga Gjykata Kushtetuese, po kjo e fundit vetëm në rastin kur ka në dorë të gjykojë një çështje”, është shprehur Omari. Nga ky interpretim, deri më tani i munguar edhe nga selia rozë, merret me mend se pretendimet e opozitës për hapjen e kutive edhe në arenën ndërkombëtare do të duhet të kenë konsensusin e kundërshtarit politik. Po kështu, duke iu përmbajtur zhvillimeve të fundit, PS nuk mund të shpresojë në një nismë të këtillë nga Presidenti i Republikës, që ka zgjedhur një neutralitet që jep idenë e një vëzhguesi të krizës.

Për më shumë që lëvizja në këtë sens e kreut të shtetit mund të eliminonte edhe atë pak klimë marrëdhëniesh normale me shumicën e djathtë, të cilës Bamir Topi i detyrohet për detyrën e tij. Kështu, rruga e vetme “apolitike” që i mbetet PS-së, sipas argumentit që jep Omari, është përmes Gjykatës Kushtetuese, të cilën ajo do të duhet ta vërë paraprakisht në lëvizje. Skenari juridik duket se nuk jep shumë shpresa për opozitën qoftë edhe në kuptimin e afateve që do të kërkonte ndjekja e tij. Një element që ka rëndësi të thuhet është edhe fakti se vlerësimet e Komisionit të Venecias kanë vetëm karakter rekomandues dhe nuk diktojnë mbi ligjet e një vendi. Ky organ thirret kështu si një arbitër i paanshëm për cilësitë profesionale që me autoritetin e vet minimalisht konfirmon drejtësinë e një çështjeje, por jo vendimmarrjen mbi të.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›