Ceremonia; Shpërndahen certifikatat për Avokatët e Shtetit
Spanja mbështet Republikën e Shqipërisë në reformën dhe profesionalizimin e Avokaturës së Shtetit, nëpërmjet ligjit të ri për Avokaturën e Shtetit dhe trajnimin e brezit të parë me konkurs të Avokatëve të Shtetit të Shqipërisë. Në kuadër të projektit “Mbështetje për forcimin dhe konsolidimin e Avokaturës së Shtetit të Shqipërisë” që implementohet nga Spanja përmes Agjencisë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), në bashkëpunim me Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit të Spanjës dhe Avokaturës së Shtetit të Shqipërisë, u zhvillua dje ceremonia e emërimit të brezit të parë të Avokatëve të Shtetit Shqiptar, të cilët kanë kaluar një fazë trajnimi dhe provimi në një sistem me konkurs të pashembullt në Shqipëri. Ceremonia u zhvillua në selinë e Ministrisë dhe në të kanë marrë pjesë ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Shqipërisë, Eduard Halimi dhe Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Spanjës, Joaquin de Fuentes. Në këtë akt kanë qenë të pranishëm përfaqësues të shumtë të institucioneve të shtetit shqiptar, të misioneve ndërkombëtare që punojnë në fushën juridike në Shqipëri, si dhe përfaqësues të mediave. Realizimi i këtij projekti përkon me objektivin strategjik të ndihmesës për konsolidimin e shtetit ligjor, dhe më konkretisht në forcimin e Avokaturës së Shtetit. Në fjalën e tij, ambasadori Montobbio theksoi se ky projekt është në përputhje me përpjekjet për reformën gjyqësore dhe forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri, të ndërmarra në fusha të tjera të rëndësishme, në të cilat është implikuar Kooperacioni Spanjoll nëpërmjet projekteve të bashkëpunimit me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Sistemin Penitenciar. Nga ana e tij, Avokati i Shtetit Spanjoll, Joaquin de Fuentes, theksoi se kjo është hera e parë që Avokatura e Shtetit të Spanjës, një institucion me prestigj të rrënjosur thellë, ndihmon në formimin e avokaturës së një shteti tjetër sipas modelit të saj. Gjithashtu, nënvizoi rëndësinë e madhe për Shqipërinë, që ka mbështetja në një njësi të Avokatëve të Shtetit, që për herë të parë në historinë e tij, i është nënshtruar një sistemi konkurrimi, duke garantuar kështu një trup juristësh profesionistë, të aftë të mbrojnë shtetin në mënyrë të pavarur dhe efikase. Në këtë mënyrë, ka theksuar që Avokatura e Shtetit është një institucion kyç për t’u garantuar të gjithë qytetarëve cilësinë juridike të veprimeve të shtetit, duke evituar në shumë raste arritjen deri në gjyq dhe ta mbrojë atë me efikasitet kur kjo gjë të ndodhë. Nga ana tjetër, ministri Alibeaj ka theksuar kompromisin e tij për të zhvilluar funksionet dhe teknikën e shkëlqyer të Avokaturës së Shtetit në të gjithë potencialin e saj, në kuadrin më të gjerë të reformës së sistemit gjyqësor në zhvillim dhe konsolidimin e shtetit ligjor të nevojshëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.