"Omonia" mbështet ndarjen zonale
28/02/2005 Organizata greke "Omonia", është shprehur e kënaqur për krijimin e e zonës së pastër minoritare që u përftua nga marrëveshja e dy partive më të mëdha shqiptare PS dhe PD, me propozim të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Sipas kësaj marrëveshjeje, vija e bregdetit që nga Himara, bashkohet me Delvinën, duke krijuar një zonë elektorale me rreth 20 fshatra me pakicë greke. Por, ky bashkim ka hasur në kundërshtinë e socialistëve të Vlorës, të cilët shprehen të pakënaqur se u është hequr një zonë midis Sarandës dhe Delvinës. Në 15 vjet të pluralizmit shqiptar, kjo është hera e parë që krijohet një zonë etnikisht e pastër me pakicë greke. Krijimi i kësaj zone u shndërrua në mollë sherri mes forcave politike shqiptare, gjë që solli dhe bllokimin e bisedimeve për hartën e re elektorale. Ishte presioni i BE-së që i detyroi forcat politike shqiptare të uleshin në tryezën e bisedimeve dhe të pranonin variantin e OSBE-së. Ndërkohë, sot pritet që përfaqësuesit e PS-së dhe PD-së, të firmosin marrëveshjen më të fundit për reformën elektorale.