E Diel, 1 Nëntor 2026

"Po nuk zhvilluat zgjedhje të lira harrojeni BE-në"

28/02/2005  Eurodeputja Doris Pack, thotë se ky është shansi i fundit i Shqipërisë për integrimin

Komisionerja e lartë në BE, Doris Pack, ka thënë dje në një intervistë për "Top Çhanel" se, që Shqipëria të ndryshojë imazhin e saj, duhet që së paku të zhvillojë një herë të vetme zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pack, ka thënë se Shqipëria nuk ka plotësuar detyrat në luftën kundër korrupsionit dhe për këtë arsye, BE-ja nuk është ende e bindur për të përfunduar negociatat për marrëveshjen e asociim stabilizimit. "Ne të gjithë jemi të vëmendshëm për atë që po ndodh në vendin tuaj. Nëse dikush do të guxojë të manipulojë zgjedhjet, atëherë kjo do ta çojë Shqipërinë mbrapa", tha Pack. Eurodeputetja Gjermane, e ka cilësuar gjendjen në Shqipëri si shumë të rëndë. Duke iu referuar bllokimit për disa muaj të reformës elektorale, Pack, u shpreh se manipulimet e vitit 2001 nuk duhet të ndodhin më. "Gjendja në Shqipëri është shumë e rëndë, pasi jemi tre muaj para zgjedhjeve. Siç e dimë, në votimet e vitit 2001 pati manipulime dhe që atëherë nuk u bë pothuajse asgjë, për të përmirësuar sistemin zgjedhor. Kemi humbur shumë kohë dhe vazhdojmë të jemi shumë vonë", u shpreh Pack. Sipas saj, Shqipëria nuk i ka plotësuar detyrat që i janë vënë nga komuniteti Evropian. Shqipëria shfaq akoma probleme në luftën kundër korrupisionit dhe në zbatimin e ligjeve nga administrata. Pyetjes se çfarë nuk shkon me ecurinë e bisedimeve për asociim-stabilizimin, Pack iu përgjigj; "Nuk ka ardhur ende koha për të mbyllur bisedimet, detyrat nuk janë bërë dhe qeveria e di mirë këtë. Korrupsioni duhet luftuar me të vërtetë, administrata duhet të jetë e aftë dhe ligjet dueht të zbatohen. Dua të them se ju duhet të na dëgjoni shumë, por hapi i parë që duhet bërë,0 është që një herë të vetme të zhvilloni zgjedhje të ndershme dhe korrekte". Deklaratat e eurodeputetes gjermane, Doris Pack, vijnë në një moment kur qeveria shqiptare mori vërejtje dhe nga Task Force Evropiane. Reinhard Priebe, kryenegociatori me qeverinë shqiptare për marrëveshjen e asociim-stabilizimit, e konsideroi të pamjaftueshëm progresin e bërë nga qeveria shqiptare në përmbushjen e standarteve. Komisioneri Evropian, ecurinë e deritanishme të zgjedhjeve e quajti si të mbipolitizuar dhe kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare brenda standarteve evropiane. Komisioni Evropian nga ana e tij duke parë ecurinë e zhvillimeve politike ka shprehur shqetësimin se zgjedhjet e ardhshme do të jenë sërish problematike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›