Onkologjiku, mungojnë ilaçet e kimioterapisë
• Cisplatina dhe adriamincina janë dy ilaçet bazë për kryerjen e kimioterapisë(trajtimit me medikamente që luftojnë qelizat kanceroze).Që prej një jave ato mungojnë në spitalin onkologjik të kryeqytetit. Në të tilla kushte të sëmurët janë detyruar të blejnë vetë medikamentet e shtrenjta. Vetëm një flakon me secilën prej tyre kushton mbi 10 mijë lekë. Ndërsa pacientët me tumor sipas stadit të sëmundjes duhet të bëjnë kimioterapinë më shumë se 3 herë në javë. Burime nga spitali onkologjik bëjnë me dije se në mungesë të tyre mjekët janë detyruar të zëvendësojnë skemën e trajtimit. Kjo duke përdorur ilaçe të ngjashme që kanë në gjendje, por që nuk kanë të njëjtat efekte si dy medikamentet që mungojnë. Eshtë vetëm fillimi i krizës së barnave në këtë spital. Muajt e fundit nuk ka pasur probleme madhore pasi pjesa dërrmuese e medikamenteve për kimioterapinë kanë qenë në magazinë. Por në vijim të këtij viti, sipas vetë drejtuesve të spitalit fondet e akorduara nga Ministria e Shëndetësisë janë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e të sëmurëve. Në spitalin Onkologjik marrin trajtim më shumë se 80.000 raste në vit. Një pjesë e tyre i nënshtrohen operacioneve dhe radioterapisë, ndërsa pjesa tjetër bëjnë kimioterapi dhe radioterapi.