E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango prezanton Shqipërinë në panairin e Berlinit

• Alpet shqiptare, trashëgimia kulturore, e deri tek turizmi ujor, prezantohen në Berlin.Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, Ministria shqiptare e Turizmit dhe Kulturës, për katër ditë me radhë në një pavijon të veçantë në formë ishulli ka ekspozuar vlerat shqiptare. Në një konferencë të veçantë organizuar enkas për turizmin shqiptar gjatë këtyre ditëve në Berlin, nga ministri Ylli Pango, u vu theksi se qeveria shqiptare e konsideron zhvillimin e industrisë së turizmit si një nga prioritetet e saj. Madje, sipas tij, synimi është që vendi të shndërrohet në një destinacion kryesor mesdhetar, me një vend të denjë në hartën botërore turistike. Gjatë konferencës ministri shqiptar i Turizmit, u ndal dhe në strategjinë e zhvillimit të sektorit të turizmit, që ka si objektiva parësore, përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, si dhe krijimi i një produkti të promovueshëm me çmim të leverdisshëm. Në këtë strategji vend të veçantë zë rritja e imazhit të Shqipërisë në botë (një spot për turizmin shqiptar me sloganin "Albania new mediterranean love!", do të transmetohet në periudhën mars-prill 2008 në rrjetin televiziv ndërkombëtar CNN. Në bashkëpunim me ambasadat shqiptare dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, po planifikohet edhe ngritja e qendrave të turizmit dhe kulturës shqiptare në disa prej shteteve kryesore evropiane. Në të njëjtën kohë, do të vijoj edhe rinovimi i vazhdueshëm i faqes zyrtare të turizmit  www.albaniantourism.com, pasqyra e zhvillimit të turizmit shqiptar në botë. Në planet tona afatmesme për zhvillimin e turizmit, është edhe krijimi i kushteve për hotelet shqiptare, që të bëhen pjesë e "online booking", tha ministri Pango. Gjithashtu Pango zhvilloi takime dhe me operatorë turistikë të vendeve të tjera pjesëmarrëse. Në vitin 2007, për herë të parë Shqipëria kalon numrin e 1 milion hyrjeve të vizitorëve të huaj. Së bashku me vizitorët shqiptarë rezidentë në vendet e huaja kjo shifër arrin në 2,1 milionë hyrje, duke vazhduar tendencën pozitive me një rritje 19 % për vitin 2007 dhe 45 % në krahasim me vitin 2005. Turistët e ardhur në Shqipëri kërkojnë gjithnjë e më tepër turizmin e aventurës, apo udhëtime në grup të përqendruara rreth turizmit kulturor dhe atraksioneve turistike. Shqipëria është pjesëmarrëse në këtë panair turistik që prej vitit 1992, si vizitor dhe nga viti 1993 dhe në vazhdim ka qenë prezente në këtë panair turizmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›