Onkologjiku pa ilaçe, Dashi vonon tenderin prej 84 milionë lekësh
Edhe pse gjendja e medikamenteve në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza është kthyer në një makth pa fund, jo vetëm për pacientët e të afërmit e tyre por së fundmi edhe për vetë mjekët, sërish tenderët e përfunduara nga Agjencia e Prokurimeve Publike
nuk vihen në zbatim nga drejtoria e QSUT-së. Sipas njoftimeve nga Agjencia e Prokurimeve tenderi i emërtuar si Blerje Medikamente Citostatike në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza Tirane, i ndarë në lote, me vlerë totale të kontratës ku të gjitha lotet shkojnë në fondin përfundimtar prej 8.452.880 Lekë, pa TVSH është kërkuar nga vetë drejtoria e QSUT-së të çelet e të vihet në zbatim me një periudhë të shkurtër kohore, për arsye të mungesave të theksuara për medikamente Citostatike. Por edhe pse ka kaluar afërsisht një muaj dhe tenderi për ilaçet është miratuar nga Agjencia e Prokurimeve Drejtoria e QSUT-së nuk e ka vënë këtë tender në zbatim. Për më tepër që këtë gjë e ka kërkuar vetë kjo e fundit. Sipas njoftimit të Agjencisë së Prokurimeve ky tender duhet të ishte vënë në zbatim që prej fillimit të muajit Prill. Në tender numërohen rreth 20 medikamente të cilat mungojnë në pavijonet e pavijoneve në spitalin Onkologjik gjë të cilën e kanë pohuar ditën e djeshme edhe vetë mjekët e këtij spitali. Sipas tyre gjendja në spital është tejet e rënduar për shkak të mungesave të theksuara të ilaçeve. Ndër të tjera mjekët theksojnë faktin se ka pasur raste që edhe pse gjendja e disa pacientëve ka qenë problematike, ka pasur shumë pak rezerva ilaçesh me të cilat janë bërë edhe ndërhyrjet apo mjekimet e nevojshme. Ndërsa vetë të afërmit e pacientëve që janë shtruar në pavijonet e Onkologjikut kanë deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOT se shumicën e ilaçeve ua sigurojnë të afërmit e tyre ose e blejnë nga jashtë shtetit. Sipas vetë pacientëve mungesa e ilaçeve është problem tepër serioz e Ministria e Shëndetësisë por edhe Drejtoria e QSUT-së duhet të marrë sa më shpejt masa. Ndërsa nga ana tjetër vetë mjekët të cilët e kanë sinjalizuar disa herë Drejtorinë e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza për mungesën e theksuar të medikamenteve kanë deklaruar ditën e djeshme se nga drejtuesit e saj nuk ka patur ndonjë përgjigje konkrete.
Ilaçet e Tenderit, për Onkologjikun janë Docetaxel 80mg/2ml i cili do të blihej me vlerën 10,257,400 lekë, Trastuxumab 150mg me vlerën 9,164,200 lekë, Capecitabin 500mg me vlerën 2,246,400 lekë, Cisplatin 50mg/50ml me vlerë 302,400 lekë Rituximab 500mg/50ml me vlerën 2,070,710 lekë Fluorouracil 500mg/10ml me vlerën 413,000 lekë, Acid Folinik 50mg/50ml me vlerën 804,000 lekë, Acid Zaledronik 4mg me vlerën 1,029,690 lekë, Bleomicin 15mg me vlerën 396,000 lekë, Methotrexat 50mg/50ml me vlerën 544,300 lekë, Paxlitaxel 150mg/50ml me vlerë 888,840 lekë Irinotecan 100mg/5ml me vlerë 665,280, Epirubicina 50mg/25ml me vlerë 471,720 lekë, Epirubicina 100mg me vlerë 453,600 lekë, Carboplatin 150mg/5ml me vlerë 703,050 lekë, Doxorubicin 50mg me vlerë 967,400, Oxaliplatin 50mg me vlerë 1,209,600, Neorecormon 10000 me vlerë 411,570, Triptorelina 11.25mg me vlerë 232,000 lekë, Fosfamid 1g me vlerë 870,000 lekë. Por edhe pse në Drejtorinë e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza ankesa të shumta kanë shkuar si nga pacientët ashtu edhe nga mjekët, drejtori Dashi duket sikur vonon pa shkas tenderin e ilaçeve për të sëmurët. Madje ky nuk ka qenë rasti i parë që nga drejtoria e QSUT-së vonesat e medikamenteve kanë qenë problematike për pacientët. Mungesa e theksuar e ilaçeve është më së shumti në spitalin nr 1 ku mjekohen sëmundjet e brendshme, por jo vetëm aty. Edhe në spitalin pediatrik mungesa e ilaçeve ka shkaktuar herë pas here reagimin e prindërve që kanë të shtruar fëmijët e tyre në këtë spital e jo vetëm kaq. Në disa raste kanë qenë edhe vetë mjekët që e kanë deklaruar këtë problem.
Arta AGOLLI