Rivotimi, Dell: KQZ të respektojë vendimin e KZAP edhe për Gjilanin
Blerina Olldashi
Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, pas një takimi të zhvilluar me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta është shprehur se KQZ-ja duhet të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan. Në një komunikatë për opinion, të lëshuar nga Ambasada amerikane, thuhet se “Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e KQZ-së, të datës 22 dhjetor, për të vënë në zbatim, pjesërisht, vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), të datës 19 dhjetor, i cili udhëzoi përsëritjen e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan. Ne besojmë se, pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi detyrimin e vet, të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan. Qëllimi i ligjit në këtë çështje është i qartë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgjegjësi të qartë të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në të tri komunat sipas vendimit të KZAP-it, të datës 19 dhjetor”, thuhet në komunikatë. “Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet e kryetares së KQZ-së, zonjës Lushta, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe i inkurajojmë të gjitha partitë dhe entitetet politike, të respektojnë frymën e ligjit, gjersa ky proces vijon, si dhe të përmbahen nga përpjekjet për të minuar institucionet dhe proceset e vendosura me ligj, për avantazhet e tyre partiake”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada amerikane. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se anëtarët e KQZ-së pritet të marrin një informatë nga Sekretariati i këtij mekanizmi, në lidhje me datat se kur Prizreni e Lipjani do të mund të jenë gati, në aspektin teknik, për të përsëritur zgjedhjet. Lushta nuk përjashtoi mundësinë që në këtë takim të shtrohet sërish në tryezën e diskutimeve vendimi i mëparshëm për komunën e Gjilanit, për të cilën u votua që fillimisht të zhvillohen hetime dhe të rinumërohen votat, e pastaj të vendoset nëse do të ketë rivotim. “Sa i përket komunës së Gjilanit, vendimi është për rinumërim dhe për hetim, ndërsa se si do të veprohet më tutje do të diskutojmë me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të shohim se çfarë vendimi do të marrim në fund”, u shpreh Lushta.
Kosovë
LDK feston 20-vjetorin e krijimit
Partia Lidhja Demokratike e Kosovës ka festuar dje 20-vjetorin e krijimit të saj. Nën udhëheqjen e kryetarit Fatmir Sejdiu, njëkohësisht president i Kosovës, deputetët kanë bërë homazhe tek varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Gjatë fjalës së tij, presidenti Sejdiu ka dhënë vlerësimet makimale për veprimtarinë e Rugovës për themelimin e LDK-së dhe për shpalljen e pavarësisë. “Unë erdha me ekipin tim për të bërë homazhe tek varri i presidentit Rugova, personalitetit më të fuqishëm të lëvizjes politike të fundshekullit të kaluar dhe fillimshekullit të ri, i cili bëri epokë”, tha Sejdiu.
24 Dhjetor 2009