Opel Astra , së shpejti edhe në versionin karvan
Një lajm i mirë për të gjithë adhuruesit e automjeteve të prodhuesit Opel. Astra, në versionin e ri të saj do të prodhohet edhe me modelin karavan. Premiera është përcaktuar për fillimit të tetorit në panairin e automjeteve në Paris, ku vizitorët do të mund ta shohin drejtpërsëdrejti. Për të qenë më të qartë, do t’u tregojmë se çdo gjë që vlen për modelin më të madh “Insignia Sports Tourer” (ST) tani vlen edhe për versionin të ngjashëm konceptual Astra. Me fjalë të tjera, dizajnuesit e Opel-it të cilët udhëhiqen nga Mark Adams kanë arritur që t’i japin Astras atë që nuk kanë arritur sukses asnjëri prej paraardhësve të tij, pamjen dinamike të karavanit. Vërehet qartë se vlerat estetike këtë radhë janë marrë si një prej prioriteteve kryesore. Ajo që gjithsesi ka mbetur e njëjtë është largësia në mes boshteve prej 2.685 mm, si dhe gjurmët e rrotave të cilat janë 1.544 mm përpara dhe 1.558 mm prapa. Këtij automjeti do t’i mbetet enterieri identik me modelin burimor, si nga pikëpamja vizuale ashtu edhe kur bëhet fjalë për komfortin.
Volkswagen Jetta
Jo vetëm Golf me bagazh
Portali automobilistik britanik “AutoExpress” ka arritur të fusë në dorë fotografitë e tjera të gjeneratës së re të Volkswagen Jetta. Në dallim nga automjetet e tjera kompakte nga Volkswagen, të cilat në fakt janë një lloj Golfi me bagazh limuzine, modeli i ri, gjykuar sipas fotografive, është zgjeruar në mes boshteve. Edhe më tutje ajo mbetet platforma e Golfit, mirëpo e zgjatur prapa për të pasur më shumë hapësirë për gjunjët e udhëtarëve. Pritet që Jetta e re do ketë një komplet motorësh me benzinë dhe naftë, prej atij me benzinë TSI ekonomik 1.2 litërsh, deri tek dylitërshi TDI me 140 KF. Motori ekonomik me naftë në ofertë do të duhej të jetë 1.6 TDI me 105 KF, e motori më i fuqishëm me benzinë do të duhej të vinte në formë të 1.4-litërshit TSI me 122, respektivisht me 160 KF.
Lenovo
Risia, sjell laptopin e parë 3D
Lenovo është shndërruar në një nga prodhuesit e parë të kompjuterëve i cili ka sjellë në treg laptopin e parë 3D, bashkë me shtesën IdeaPad Y560d. Qasja e kësaj kompanie ndryshon nga modeli Toshiba, pasi nuk aplikon mënyrën e përdorur nga NVIDIA.
Përkundrazi, kompania ka përvetësuar qasjen e rrallë të TriDef 3D e cila lejon grafikët e ATI për efektin stereo-skopik 3D, duke përdorur dhe Mobility Radeon HD 5730. Ruajtja e të dhënave është gjithashtu diçka e re për sistemin e lojërave, pasi pajisja e Lenovo’s. RapidDrive shkrihet me hard diskun e zakonshëm bashkë me një SSD të vogël, për të rritur shpejtësinë e bartjes së të dhënave. Disku kryesor mban deri në 750GB hapësirë, ndërsa në SSD mund të ruhen deri në 64GB. Laptopi me 15.6 inç mund të përdorë deri në 1.86GHz quad Core i7, 8GB RAM dhe drajverët Blu-ray për shikimin e filmave në efektin tri-dimensional.
Torch
Emri i ri i BlackBerry 9800
Modeli i ri i BlackBerry 9800 mund të quhet Torch. Besohet se versioni më i ri BlackBerry 9800 do të quhet Torch, ndërsa më herët ishte paramenduar që ky model i telefonit të RIM, të ketë shtesën Bold. Nga burime jozyrtare merret vesh se kompania BlackBerry dëshiron që modelet e telefonave të ngjashëm me BlackBerry 9800 të cilët posedojnë edhe rrëshqitësin dhe tastierën QËERTY të hyjnë në familjen e BlackBerry Torch.
Në anën tjetër, merret vesh që BlackBerry emrin Torch e ka regjistruar si markë tregtare, gjatë muajit Prill, raporton CrackBerry, kështu që tani pritet që kompania të fillojë ta përdorë emrin e regjistruar. Disa modele me rrëshqitës BlackBerry me emrin Torch janë aktualisht në fabrikën e RIM në Meksikë.
19 Qershor 2010