Opera zbardh programin për stinën skenike të 2009-s
Petrika GROSI
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka shpallur kalendarin për stinën skenike 2009, i cili fillon me koncertin “Virtuozët sërish në Tiranë”, për t’u mbyllur me “grand ballon”, mbrëmjen gala të 30 dhjetorit, që tashmë është shndërruar në një traditë të festave të fundvitit për këtë institucion. Pas virtuozëve, programi i TKOB-it vijon të planifikojë më tej, datë 25 janar, një balet gala “Dansi i Puanteve”, për të vazhduar me operën “Norma” të Belinit, e cila rivjen si produksion më datën 7 shkurt. Për ditën e Shën Valentinit (14 Shkurt) është planifikuar një tjetër performancë e titulluar “Cupidon Canta”, e cila sjell variacione mbi temën e dashurisë. Aktiviteti i fundit për shkurtin (17.02.09) është menduar të jetë një mbrëmje akademike e titulluar “Përvjetori historik”, e cila organizohet me rastin e 1-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Për muajin mars, programi parashikon aktivitete për vitin muzikor “Nikolla Zoraqi”. Në skenë do të vihet baleti “Gjenerali”, me autorët Kadare, Aliaj dhe Zoraqi. Më datën 20 mars, “Karakter Trio” do të japë një koncert, gjithashtu në TKOB. Prilli vjen me një tjetër opera, “Andrea Chenier”, e cila ngjitet në skenë në datat 4, 6, 8, 10 dhe 12. “Trio Bravo” është një tjetër grup instrumental që do të japë shfaqje, e cila vjen nga Gjermania. Më tej, radhën e mban Viti Ndërkombëtar Muzikor “J. Haydn”, ku do të shohim sërish në një bashkëpunim italo-shqiptar, koreografin Toni Kandeloro, i cili do të inskenojë një pjesë. Kështu vijmë në muajin maj ku nuk mungojnë festivalet, recitalet, koncertet për pianoforte, violinë dhe orkestër, apo piano dhe perkusion. Një tjetër mbrëmje për Zoraqin do të organizohet në maj, por që kësaj here mban siglën e Papavramit. Muaji mbyllet me premierën e madhe “Falstaff” të Xhuzepe Verdit. Qershori vjen me një produksion shqiptaro-amerikan për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Bashkëpunimi bëhet me koreografin Leonard Ajku dhe studion e tij “Ajkun productions” në Nju Jork. Qershori mbyllet me galanë operistike “Bursistët Ndërkombëtarë të Vienës”. Për periudhën korrik-shtator, TKOB njofton se ka një kalendar të veçantë për veprimtaritë verore me bashkëpunime jashtë institucionit. Kështu arrijmë në tetor ku do të shohim teatrin muzikor “Maria Gallante”, për të kaluar sërish në një tjetër bashkëpunim shqiptaro-amerikan siç është opera “Porgy and Bess”, e cila mbyll aktivitetet e planifikuara për këtë muaj. Nëntori sjell një shfaqje koreografike në skenën e TOB-it, të titulluar “Tirana by night”, e cila është një novelë nga tranzicioni e koreografit Sukniqi dhe Dergjini. Më pas është planifikuar të vihet premiera absolute e Strauss-it - opera “Salome” - dhe për të mbyllur muajin me një mbrëmje homazh. Dhjetori i këtij viti do të risjellë një tjetër shfaqje të madhe në skenën e operës shqiptare, siç është baleti “Arrëthyesi” i Çajkovskit, që do të realizohet nën koreografinë e Ilir Kernit.
PROJEKSIONI
Në hijen e Skënderbeut
Në sajë të diskursit të tij artistik që trajton stereotipin "mashkullor" të imazhit të heroit në historinë kulturore europjane, Franz Kapfer u ftua nga TICA për të marrë pjesë në programin e rezidencave për artistë në Tiranë. Instalacioni me dritë "Në hijen e Skënderbeut", i cili u ngjiz nga hija e shtatores së Skënderbeut në Tiranë, do të shërbejë për ta "thirrur" Skënderbeun, sipas modelit të Batmanit, që t’u vijë në ndihmë shqiptarëve sa herë që ata do të kenë nevojë. Përmes hijes, Kapfer kërkon të hedhë dritë mbi përdorimin politik apo social të figurës së Skënderbeut në historinë e shkuar e të tashme të Shqipërisë. Projekti i Franz Kapfer realizohet në formën e një projeksioni me dritë mbi fasadën e Akademisë së Arteve, gjithashtu kjo ngjarje shoqërohet nga një debat i hapur mbi përvetësimin dhe ndërtimin e figurave të heronjve. Në anën tjetër, projekti plotësohet nga një projeksion mbi ngrehinën e skenës në tarracën e Teatrit të Operës dhe Baletit
16 Janar 2009