E Martë, 3 Nëntor 2026

Operacionet në Itali, verifikim pasurive të arrestuarve shqiptarë

13/05/2005  Prokuroria dhe policia po evidentojnë bizneset e anëtarëve të organizatave të trafikut të drogës

Prokuroria në bashkëpunim me policitë e rretheve kanë filluar verifikimin e pasurive të anëtarëve të organizatave të trafikut ndërkombëtar të drogës, që janë goditur tri javët e fundit në Itali. Prokuroria, e cila ka marrë në dorë dublikatet e dosjeve hetimore të Antimafias italiane ndaj këtyre organizatave, ka urdhëruar policinë të verifikojë të gjitha pasuritë e të arresturve në disa rrethe të vendit. Kështu, verifikimi është përqëndruar në Durrës, Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Peqin, prej nga janë edhe të arrestuarit. Ndërkaq, Prokuroria po verifikon dhe heton mbi identitetin e personave që kanë kryer biseda telefonike me të arrestuarit prej Shqipërisë, në periudhën e transportimit të ngarkesave. Kjo, pasi këta persona që dyshohen të jenë krerët e organizatave, kanë përdorur kryesisht nofka.

Verifikimi i pasurive

Verifikimi i pasurive të të arrestuarve është shtrirë në të gjitha rrethet e vendit prej nga ata janë. Mësohet se policitë e rretheve të Durrësit, Tiranës, Vlorës, Elbasanit dhe Peqinit, prej nga edhe janë të arrestuarit, janë urdhëruar nga Prokuroria e Kirmeve të Rënda, që të verifikojnë të gjitha pasuritë e tyre. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se ky verifikim pritet të nxjerrë në dritë edhe kohëzgjatjen e trafikut dhe lidhje të tjera të mundshme të anëtarëve të organizatave në fjalë. Burimet thonë se do të verifikohen të gjitha pasuritë në emër të tyre si edhe ato në pronësi të familjarëve të të arrestuarve si pjesëtarë të organizatave kriminale. Gjithashtu të evidentohet prejardhja e këtyre investimeve.

Hetimi

Tashmë, Prokuroria shqiptare ka në dorë të gjitha dosjet hetimore në ngarkim të tetë bandave të goditura tri javët e fundit nga Antimafia italiane në vendin përtej Adriatikut. Nga burimet e akuzës mësohet se janë vënë në dispozicion të gjitha përgjimet e bisedave telefonike të kryera gjatë trafikimit të ngarkesave të heroinës. Këto përgjime kanë korresponduar edhe me kapjen e sasive të ndryshme që ishin trafikuar prej Shqipërisë, pohojnë burimet. Ndërsa po verifikohen lidhjet e të arrestuarve në Shqipëri, ku dyshohet se qëndrojnë organizatorët e këtyre rrjeteve. Burimet pohojnë se po verifikohen të gjithë numrat celularë të përgjuar, të cilët mbeten pa identitetet e poseiduesve. Pikërisht këta persona ende enigmë dyshohet të jenë organizatorët e trafikut, pohojnë burimet. Gjatë tri javëve të fundit, policia italiane ka kryer tetë operacione antidrogë, ku janë shkatërruar grupe, të cilat kishin në përbërje shqiptarë. Nga hetimet ka rezultuar se këto organizata kanë pasur lidhje mes tyre, pasi në kohë e vende të ndryshme kanë bashkëpunuar në trafikun e drogës.

Operacionet antidrogë në Itali, të koduara me nofkat e shqiptarëve

Operacioni “Actros” vuri në pranga 24 korrierë dhe 10 shqiptarë, së fundmi. Ndërsa për nëntë muaj u sekuestruan 150 kilogramë heroinë dhe anija “Plava”. Dy ditë më vonë, Prokuroria e Leçes urdhëroi arrestimin e 17 personave të akuzuar si pjesëtarë të organizatës mafioze “MAROBITO’, ku ndër ta tre shqiptarë nga qyteti i Vlorës. Operacioni i radhës u përqëndrua në Torino, ku u arrestuan 34 persona, ndër ta edhe shqiptarë dhe u sekuestruan 116 kilogramë heroinë. Një tjetër operacion antidrogë u përfshi në Milano, ku kokaina vinte nga Holanda dhe që u pasua nga ai i koduar me emrin “Peqini”, që përfundoi me arrestimin e 13 shqiptarëve, sekuestrimin e 115 kilogramëve heroinë dhe një laboratori të përpunimit të drogës. Ky u pasua nga një operacion në Venecia, ku u arrestuan 8 persona, ndër ta 6 shqiptarë dhe u sekuestruan 6 kilogramë kokainë. Tjetër operacion antidrogë i koduar me emrin “Lali” (nofka e një prej shqiptarëve), në Aleksandri të Italisë, ku u arrestuan 18 persona dhe u ndaluan gjashtë të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë.

Hetim për prejardhjen e kokainës që trafikohet prej Shqipërisë

Policia dhe Prokuroria italiane i ka kërkuar autoriteteve shqiptare që të hetojnë për prejardhjen e kokainës në Shqipëri. Kjo, pasi kohët e fundit, nga rezultatet e disa operacioneve antidrogë është konstatuar se kokaina importohet drejt Italisë, kryesisht me skafe. Burime pranë organit qendror të akuzës, kanë pohuar dje për gazetën se drejtësia italiane e ka parë si shqetësues këtë fakt. Nga po këto burime mësohet se mbetet enigmë burimi i kokainës që mbërrin në Shqipëri, e që më pas trafikohet në vendet e Evropës Perëndimore. Sipas Prokurorisë, tashmë është vërtetuar se heroina mbërrin nga vendet e Lindjes së Mesme, kryesisht nga Turqia, ku edhe prodhohet. Por mbetet enigmë fakti se nga mbërrin kokaina, e cila kultivohet në vendet e Amerikës së Jugut, ku janë kushtet e përshtatshme për rritjen e bimës bazë të kësaj substance. Nisur nga pozita gjeografike, mendohet se nuk duhet të jetë e leverdisshme që kokaina të mbërrijë prej Amerikës Latine në Shqipëri e më pas të trafikohet drejt Evropës, thonë burimet. Ato sqarojnë se po hetohet mbi ndonjë mundësi tjetër prodhimi të drogave sintetike, kryesisht kokainës. Gjithashtu po hetohet për ndonjë linjë të mundshme të trafikut të kokainës nga Amerika Jugore drejt Shqipërisë, nga ku më pas shpërndahet në Evropë, përfundojnë burimet.

I teti operacion antidrogë, kapen gjashtë, një shqiptar

I teti operacion antidrogë është zhvilluar dje nga policia italiane në Siçili dhe në Lacio. Lajmi është bërë publik nga mediat italiane, të cilat kanë pohuar se policia vendase ka arrestuar gjashtë persona, ndër ta edhe një shqiptar. Ndërkaq, policia financiare ka denoncuar edhe 22 persona të tjerë të dyshuar për lidhje me këtë organizatë të trafikut ndërkombëtar të drogës. I arrestuari shqiptar quhet Salo Xhelaj, 41 vjeç, ndërsa pesë të tjerët janë italianë. Gjatë disa muajve hetime mbi këtë organizatë, policia italiane ka kapur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 4 kilogramë kokainë dhe 1100 kilogramë marijuanë. Në mediat italiane thuhej se policia kishte arriur të zbardhte skemën e trafikut të drogës. Sipas policisë, kokaina vinte nga Shqipëria me skafe dhe magazinohej më vonë në vende të caktuara në provincën e Romës, ku dhe tregtohej kryesisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›