E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Rend brenda Rendit”, policët të njohin ish-kolegët e “inkriminuar”

13/05/2005  Një fletore zyrtare me emrat dhe precedentët e të përjashtuarve do t’u lexohet gjithë bluve në vend

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Shqiptar, ka harutar një listë të të gjithë efektivëve të përjashtuar nga detyra gjatë reformës “Rend brenda Rendit”. Në këtë listë të gjatë, krahas emrave të të përjashtuarve nga policia, janë përcaktuar edhe preçedentët e tyre penalë për të cilët janë akuzuar nga vetë Ministria e Rendit Publik. Ndërkaq, kjo broshurë, do tu shpërndahet gjithë drejtorive të qarqeve në vend, me qëllim që gjithë efektivat e Policisë së Shtetit të njihen me preçedentët për të të cilët akuzohen në përjatshtuarit. Në kuadër të reformës së MRP, për luftën e korrupsionit brenda strukturave të saj, Policia e Shtetit, ka parë të arsyeshme edhe krijimin e kësaj fletorje zyrtare. Eprorët e drejtorive të policive dhe komisariateve në vend, do t’i njohin vartësit e tyre me ish-efektivët e përjashtuar të cilësuar si të inkriminuar, duke u lexuar fletoren zyrtare që po hartohet. Kjo, me qëllim reflektimin e gjithë punonjësve të policisë dhe distancimin e tyre nga çdo shkelje ligjore të mundshme dhe nga ish-kolegët e përjashtuar.

Lista

Në regjistrin që po përpilon Policia e Shtetit, janë të shënuar emrta e gjithë efektivëve dhe zyrtarëve të policisë të përjashtuar nga vetë MRP, si me dhe akuzat e ngritura ndaj tyre. Pas përfundimit të kësaj fletoreje zyrtare, gjithë punonjësit e policisë në rang vendi do të njihen me të nga eprorët e tyre. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol”, nga burime pranë Ministrisë së Rendit, të cilat sqaruan se qëllimi i kësaj proçedure të reformës “Rend brenda Rendit”, është njohja e gjithë policëve në vend me preçedentët për të cilët akuzohen ish-kolegët e tyre. Sipas po këtyre burimeve, është e nevojshme që ata të njihen me efektivët e cilësuar si të inkriminuar nga MRP dhe precedentët për të cilët akuzohen. Kjo fletore zyrtare do t’u vihet në dispozicion gjithë drejtorive të policisë së qarqeve dhe eprorët do t’ua diktojnë efektivëve. Burimet theksojnë se është vlerësuar si e nevojshme që punonjësit e policisë të njihen me këto fakte, me qëllim që të mos shkelin statusin e tyre dhe ligjet që mbrojnë. Gjithashtu të kryejnë detyrën me përpikmëri dhe të mos bashkëpunojnë me të përjashtuarit, theksojnë burimet.

Reforma

Pas emërimit si Ministër i Rendit Publik, Igli Toska, një nga procedurat kryesore që ndoqi në ushtrimin e detyrës së tij, ishte reforma “Rend brenda Rendit”. Ai theksoi atëherë se nuk mund të vendosim rend dhe siguri në vend, nëse nuk vendosej “Rend brenda vetë Rendit”. Për këtë shkak, ai urdhëroi strukturën e Shërbimit të Kontrollit në MRP, që të denonconin çdo shkelje që mund të kryhej nga zyrtarët dhe efektivët e policisë. Kjo reformë e filluar rreth një vit më parë, pasoi me përjashtimin nga policia të disa ish-zyrtarëve të lartë të policië në kryeqytet dhe në rrethe. Madje ndaj tyre u hapën edhe proçese hetimore nga prokuroria pas kallëzimeve të Kryera nga SHKB. Prokuroria vetëm pak prej dhjetra të denoncuarve nga SHKB, i mori të pandehur për vepra të ndryshme penale dhe akuzat e ngritura ndaj tyre, po shqyrtohen në gjykatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›