Berlini zyrtar: Asnjë argument nuk e justifikon bojkotin e PS

Tiranë, 3 Shkurt NOA Duke qenë se në
sistemet demokratike, roli i parlamenteve është i një rëndësie tejet të madhe,
sigurisht që nuk është një ide e mirë bojkotimi i parlamentit, nuk ka rëndësi
se me çfarë argumentimi dhe sigurisht që kjo ide e bojkotimit nuk përmirëson
cilësinë e vet, edhe nëse bazohet në precedentë të mëparshëm.
Ky është qëndrimi zyrtar që vjen nga Presidenti
i Bundestagut Gjerman, Norbert Lammert i cili i bëri pohimet sot në Tiranë në
ceremoninë e hapjes së zyrës, së fondacionit gjerman Konrad Adenauer ku u
ndodh së bashku me kryeministrin shqiptar Berisha.
Gjatë fjalës së tij kryeparlamentari gjerman
Lammert u ndal ndër të tjera, në momentin e bojkotit parlamentar që po kalon
Shqipëria duke deklaruar se një parlament është platforma, apo forumi më i
rëndësishëm demokratik që mund të ekzistojë në një sistem demokratik.
Ndaj unë do të doja të shfrytëzoja rastin e
hapjes së kësaj zyre, që të mund të mbështesja çdo lloj përpjekje për
kapërcimin e të gjitha rezervave të mundshme, përplasjeve të mundshme në
cilëndo lloj mënyre, në mënyrë që të garantohet funksioni kaq thelbësor i
parlamentit, - theksoi z. Lammert.
e.r/NOA