E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Dara”, prangoset Edmond Koçi

16/12/2008  Plagosi një shtetas. Konsiderohet si një nga “ushtarët” më besnikë të Lulëzim Berishës

U survejua dhe u neutralizua pas një pune të organizuar dhe pjesëmarrjen e RENEA-s

DURRES- Pistoleta me 9 fishekë, njërin prej të cilëve në gojë të armës, nuk ka dhënë asnjë efekt për të nxjerrë nga kurthi i policisë shtetasin Edmond Koçi. 30-vjeçari nga Durrësi i njohur si një nga besnikët e bandës së Lulëzim Berishës është arrestuar në orët e mbrëmjes të së dielës teksa ishte në një lokal në shoqërinë e miqve të tij. Efektivat speciale të RENEA-s nuk i kanë dhënë asnjë sekondë kohë Koçit të njohur me pseudonimin Mond Çekiçi, i cili edhe pse ka tentuar të shkrehë armën nuk ka mundur t’ia arrijë qëllimit, pasi është paralizuar nga ndërhyrja e kualifikuar e trupave speciale. Edmond Koçi kërkohej nga drejtësia shqiptare, pasi mbi të rëndonte akuza e vrasjes me dashje, por që nga koha që Prokuroria ka nxjerrë urdhër-ndalimi të datës 21 tetor 2006 e deri më tani ai ka mundur t’i shmanget policisë. Të dielën forcat speciale kanë organizuar operacionin e koduar “Dara” dhe të gjitha të dhënat e përpunuar në rrugë operative kanë rezultuar të suksesshme duke vënë në pranga një nga anëtarët e bandës së Durrësit, bandë e cila është identifikuar si e kryesuar nga Lulëzim Berisha. Shtetasi Edmon Koçi, i njohur me pseudonimin Mond Çekiçi, është akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Kastriot Lamçe duke e lënë atë të plagosur më 19 tetor 2006.

Arrestimi, pas një survejimi

Operacioni i koduar “Dara” ka pasur në përbërje efektivë të forcave speciale RENEA të mbërritura nga Tirana. Operacioni në fjalë ka nisur rreth orës 19.30, ndërsa oficerë të operacionit kishin në terren agjentët civil. Sipas të dhënave Koçi, ishte i armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë. Ai ka tentuar të nxjerrë armën dhe të shtjerë mbi policinë, por efektivat specialë e kanë paralizuar menjëherë duke e prangosur.

Akuza, plagosi një shtetas

Edmond Koçi ka shtënë me armë ndaj Kastriot Lamçes më 19 tetor 2006, i cili i ka shpëtuar vdekjes pas ndërhyrjes kirurgjikale. Për këtë ngjarje Prokuroria e Durrësit ka nxjerrë urdhrin e ndalimit, ndërsa gjykata e rrethit ka vendosur ndaj të akuzuarit masën e sigurisë “arrest me burg”. Deri një ditë më parë Mond Çekiçi u ka shpëtuar efektivëve të policisë dhe përballjes me drejtësinë për veprën penale të vrasjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›