Emergjencat civile, nënshkruhet marrëveshja me Italinë
Ministria e Brendshme shqiptare dhe Departamenti i Mbrojtjes Civile të Italisë nënshkruan dje një marrëveshje mirëkuptimi dyvjeçare për të konsoliduar bashkëpunimin midis sistemeve kombëtare të emergjencave civile, si dhe për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të përbashkëta. Kjo marrëveshje mirëkuptimi pason një marrëveshje të mëparshme të nënshkruar rreth tre vjet më parë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, në bazë të kësaj marrëveshjeje palët marrin përsipër që të nxisin zhvillimin e veprimtarive kërkimore të përbashkëta, me synim përmirësimin e aftësive parashikuese, parandaluese, zbutëse dhe të administrimit të rreziqeve. Po ashtu, Ministria e Brendshme dhe Departamenti i Mbrojtjes Civile të Italisë do të përcaktojnë dhe zbatojnë strategji për forcimin institucional të sistemeve kombëtare të Mbrojtjes Civile, përmes formimit të personelit, si dhe sigurojnë shkëmbimin e të dhënave dhe të përvojave personale në këtë fushë, apo të përmirësojnë edhe mekanizmat e bashkëpunimit dhe të asistencës reciproke.
Programet dhe projektet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e mbrojtjes civile, sikundër parashikon marrëveshja, do të rregullohen në vijim me marrëveshje teknike midis strukturave përkatëse të të dyja vendeve.
#