E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni antidrogë “Durrës 2009”, kapet edhe një tjetër shqiptar

ITALI- Një javë pas arrestimit të 8 shtetasve shqiptarë në Itali, në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Durrës 2009”, është vënë në pranga dhe një tjetër shqiptar.

Mediat italiane bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Armando Salillari, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e arrestit me burg nga autoritetet e drejtësisë italiane. Pas valës së arrestimeve në Itali, Salillari kishte arritur të largohej për në Britani, ku jetonte me një identitet të rremë dhe gjatë ditës së sotme i janë vënë prangat për llogari të drejtësisë italiane.

Dyshohet se Salillari ishte organizator i bandës kriminale për shpërndarjen e lëndës narkotike në Rimini si dhe në qendër të Italisë. Ndërkaq policia italiane ka bërë të ditur se janë shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë. Organizata shqiptaro-italiane vepronte në Gjermani, Itali dhe Shqipëri duke shpërndarë qindra kilogramë kokainë në pak kohë.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›