Operacioni sekret i MEICO, që eksportoi predhat në Iran
• Në ditët e para të marsit 2006, dhjetë mijë predha mortajash të kalibrit të rëndë janë nisur nga Rinasi për në Iran.
Operacioni i fshehtë i MEICO-s për të çuar municionet e artilerisë së lehtë në republikën islamike, bëhet i ditur së fundi, nga burime të gazetës pranë aeroportit të Tiranës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Plot 9996 predha të mortajave 82 m/m janë ngarkuar në orët e para të mëngjesit të 6 marsit 2006, në një avion transporti dhe janë adresuar për në Iran, i cili aktualisht ndodhet në embargo ndërkombëtare për tregtinë e armëve e municioneve luftarake. Siç pohojnë specialistët që kanë menaxhuar operacionin e tregtimit të predhave në bazën ajrore të Rinasit, kjo nuk ka qenë ngarkesë e vetme me këtë destinacion. Ndërkaq, ekspertë të doganave vënë në dukje se, që nga viti 2005 ato kanë kryer veprimet e tyre në rreth 10 ngarkesa të tilla. Gjithsesi, misteri i operacionit të fundit i zbuluar pas tragjedisë së Gërdecit, është vetëm një nga eksportet e shumta, që MEICO bënte jashtë të gjithë kontrolleve shtetërore. Madje duke thyer edhe embargon e vendosur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Predhat
Nga 1666 arka municioni që janë sjellë në bazën ajrore të Rinasit, në datat 3, 4 dhe 5 mars të vitit 2006, janë grumbulluar e riambalazhuar plot 9996 predha mortajash 82 m/m. Pastaj janë ngarkuar në një avion transporti. Municionet luftarake që janë nisur drejt Iranit, u përkasin armëve të zjarrit që bëjnë qitje në distancën deri në katër kilometra. Përmasat e vogla dhe mënyra e thjeshtë e përdorimit, siç vënë në dukje specialistët, i bëjnë ato të kërkuara nga grupet terroriste. Mjaft nga sulmet e Al Kaedës janë konstatuar se janë bërë me mortaja të këtij kalibri. Një nga përfaqësuesit e operacionit të MEICO-s nëpërmjet të cilit u eksportua kjo sasi arsenali, deklaroi për gazetën "Panorama", se e gjithë procedura e kryer për të çuar predhat e mortajave në Iran, është bërë në kushte të fshehta. Sipas tij, hangarët e MIG-ve të Forcave Ajrore u kthyen në ditët e para të marsit 2006 në magazina të MEICO-s, ku makina të ushtrisë sillnin nga depot e Shmillit arkat me predha. Njerëzit e zgjedhur nga ndërmarrja e eksport-importit të armatimeve, bënin njëherazi shkarkimin, heqjen e predhave nga arkat e drurit dhe pastrimin e tyre. Një grup tjetër merrej me lyerjen e pjesës metalike të mortajave, ku ishte stampuar viti i prodhimit dhe uzina përkatëse. Procesi i mëtejshëm, sipas dëshmitarit kishte të bënte me riambalazhimin dhe ngarkimin në një avion transporti. Tre ditë dhe tre netë me radhë, sipas burimit të gazetës "Panorama", vendstrehimet e MIG-ve luftarakë të Forcave Ajrore, ku operohej për të eksportuar ngarkesën 50 ton me predha për në Iran, ruheshin me masa të rrepta sigurie. Veç personelit të zakonshëm që ka për sigurinë baza luftarake, autoritetet ushtarake kishin organizuar një truproje të veçantë që mbante të rrethuar objektin ku përgatitej ngarkesa për në republikën islamike. Kjo truprojë speciale nuk lejonte, madje që aty të hynin as punonjësit e regjimentit të MIG-ve. Në masa të rrepta sigurie dhe kushtet e një fshehtësie të plotë ka mbërritur aty edhe avioni i transportit, i cili është ulur nëpër muzgun e mëngjesit të 6 marsit.
Avioni IL 76 HN 76007
Kanë qenë orët e para të mëngjesit të 6 marsit 2006, kur në aeroportin ushtarak të Rinasit është ulur transportuesi IL 76/HN 76007. Një avion transporti me dy motorë, me ngjyrë të bardhë në trup e me kabinë ngjyrë blu. Pjesëtarët e ekuipazhit të tij, pohojnë dëshmitarët që kanë komunikuar me ta, ishin nga Ukraina dhe flisnin rusisht. Sapo ka mbërritur në tokë, ka filluar menjëherë ngarkimi i municioneve i cili ka zgjatur gati dy orë. Gjithçka është kryer në kushte disi të fshehta nga ushtarë të zgjedhur efektiv të bazës së Rinasit. Gjatë gjithë këtij procesi arkat e sistemuara në transportues kontrolloheshin nga specialistët e mbërritur aty me avionin e transportit. Burimi saktëson se, menjëherë pas kësaj kanë mbërritur zyrtarët e doganave, të cilët kanë bërë veprimet përkatëse në prani të drejtorit Ylli Pinari. Ky i fundit, gjatë gjithë kohës ka qenë në komunikim me njerëzit që kishin bërë porosinë për arsenalin luftarak.
9996 predha
të artilerisë që më 6 mars të vitit 2006 MEICO i eksportoi nga aeroporti i Rinasit në drejtim të republikës islamike të Iranit. E gjithë kjo sasi është sjellë aty nga depot e bazës së armatës që janë në zonën e Shmillit, me anën e mjeteve të ushtrisë të cilat i kryenin këto operacione nën sigurinë e rreptë të Policisë Ushtarake
27 milione
fishekë ka eksportuar MEICO në vitin 2006 me destinacion Iranin. Siç bëjnë të ditur burime pranë Prokurorisë drejt republikës islamike, vendi ynë ka eksportuar edhe municione të tjera sidomos arsenale të artilerisë së lehtë. Në evidencat e këtij eksporti është konstatuar se trafiku ka nisur që në vitin 2005, madje edhe në periudhën e qeverisë socialiste
130 milione
fishekë ka eksportuar MEICO gjatë vitit 2006 drejt Gjeorgjisë, një vend ky që ka qenë në konflikt etnik. Pavarësisht embargos së vendosur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ndërmarrja shqiptare që monitoronte eksport-importin e armatimeve dhe municioneve luftarake, nuk ka hezituar për t'i furnizuar luftëtarët gjeorgjianë me arsenalet luftarake
Mortajat 82 m/m
Mortajat 82 m/m janë armë zjarri që bëjnë qitje në një distancë deri në katër kilometra. Sipas një prej ish-pedagogëve të akademisë "Skënderbej", ato bëjnë pjesë në artilerinë e lehtë të batalionit. Përdorimi i tyre është i thjeshtë dhe realizohet vetëm nga një luftëtar. Përmasat e vogla dhe mënyra e thjeshtë e përdorimit, sipas specialistit, e bëjnë atë të kërkuar nga grupet terroriste. Deri tani është konstatuar se mjaft sulme sidomos të Al Kaedës janë bërë me mortaja të këtij kalibri. Shqipëria ka qenë një nga vendet ish-komuniste që në periudhën e Luftës së Ftohtë dispononte një sasi të madhe të këtyre mortajave dhe municioneve të tyre, të cilat në
vitet '70 u prodhuan në kombinatin e Poliçanit.
Dyshimi për avionin e Bout
Avioni “IL 76”, me të cilin janë transportuar mortajat në Iran dyshohet se mund të jetë në pronësi të Viktor Bout, njërit prej trafikantëve më të mëdhenj të armëve që u arrestua në Tajlandë, dhjetë ditë para tragjedisë së Gërdecit. Në akuzat e shumta për biznesin e vdekjes, tërheq vëmendjen ajo për rolin e tij gjatë trafikut të armatimeve nga Shqipëria. Për herë të parë Viktor Bout është penalizuar nga institucionet ndërkombëtare kur avioni i tij "Iljushin-76" i ngarkuar me armatime shqiptare është detyruar të ulet në Afganistan, në afërsi të Kabulit. Më shumë se tipi i njëjtë i avionit që ka ngarkuar predhat për në Iran në mars të 2006, njerëzit që kanë qenë të pranishëm në këtë mision e përqasin atë edhe me origjinën e pilotëve të tij nga Ukraina. Gjithsesi, është konfirmuar tashmë prania e "Lordit të luftës" në operacionet e MEICO-s për eksportimin e municioneve.
Tri ditë e tre net duke ngarkuar predhat
Ka punuar tri ditë e tre net pa shkëputje, për ngarkimin e predhave në një avion të huaj dhe ka hedhur në ditarin e tij gjithçka ka parë në mjediset përreth. Teksa kryente shërbimin ushtarak, është urdhëruar nga komandanti më i afërt dhe i është bashkangjitur shokëve të tjerë që punonin në hangarët e MIG-ve për të ngarkuar predhat, që MEICO i eksportonte në një vend të largët.
Në bllokun e zverdhur që mban si kujtim nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, ka nënvizuar ditët kur ka punuar aty: 3, 4, 5 dhe 6 mars 2006. "Atëherë, shprehet ushtari që ka marrë tashmë lirimin e radhës, nuk e dija çfarë mund të ndodhte me MEICO-n dhe municionet që ajo tregtonte, po prania e të huajve dhe porositë nën zë, që jepte Ylli Pinari dhe ata që e shoqëronin, më bënë kurioz të dija diçka më tej". Pikërisht heshtja e të tjerëve, e ka shtyrë të fotografojë me celularin e vet avionin e mbërritur afër mëngjesit të 6 marsit dhe të regjistrojë mbishkrimet në krahët e tij. Ato pak shifra që ka shquar IL 76 HN 76007, ka menduar se janë targa e transportuesit të ardhur nga larg nëpër natë. Më tej, kërshëria e tij është orientuar për të mësuar çfarë të mundë nga arsenalet që eksportoheshin në një lloj fshehtësie.
Nga kishin ardhur predhat në Rinas?
Predhat e mortajave në Rinas i sillnin shoferët e ushtrisë nga depot e Shmillit. Ishin katër-pesë makina tip "Man", që vinin aty vetëm natën. Ky aksion i tyre filloi më datën 3 mars. Ngarkesat e tyre i priste vetë Ylli Pinari me disa të huaj. Mbaj mend që në datën 5, në mbrëmje dikush nga njerëzit që ishte me drejtorin e MEICO-s tha se, ishte grumbulluar sasia e nevojshme. Avioni që do të vinte për t'i marrë thoshin se merrte 50 ton...
Po ju çfarë pune bënit aty?
Ishim gati nja dhjetë ushtarë dhe disa nga punonjësit e MEICO-s, që merreshim me shkarkimin e municioneve. Pastaj ato i nxirrnim nga arkat dhe një punëtor lyente me bojë vitin e prodhimit që ishte stampuar në trupin metalik të predhës. Në krye të të gjithë këtij procesi rrinte Ylli Pinari dhe disa të huaj, që ishin shumë të vëmendshëm për çdo predhë. Me sa më kujtohet me ta ishte edhe një afarist që fliste e hiqej si kosovar, por me sa morëm vesh ishte nga Tropoja. Diku ia kam shkruar emrin, pasi gjatë asaj kohe na dha nga një birrë të gjithë ushtarëve dhe shoferëve që ishim aty.
Po me të huajt, a të kujtohet kush komunikonte me ta dhe çfarë gjuhe përdornin?
Të gjithë komunikimin me ta e mbante Ylli Pinari. Ai i shoqëronte kudo dhe i shpjegonte me detaje pjesët e mortajës. Mbaj mend përkujdesjen e veçantë, që ata tregonin për të shuar gjurmët e vitit të prodhimit që predhat kishin në trupin metalik. Në përgjithësi flisnin anglisht, por me sa mbaj mend njëri prej tyre fliste rusisht.
Ju thoni se keni qenë në vendin, ku numëroheshin arkat që vinin nga depot e ushtrisë...
Më kishte urdhëruar ai që ishte si përgjegjës për të numëruar një nga një. Ishin plot 1666 arka me predha. Çdonjëra prej tyre mbante 6 copë...
A u kujtohet numri i predhave që u ngarkua në avion?
Po, si jo. Ato i ngarkuam të gjitha pasi i ambalazhuam me kujdes. Bëheshin rreth 10 mijë copë. Me sa mora vesh nga kapteri përgjegjës i MEICO-s, të cilin e ndihmoja në këtë proces, e gjithë ngarkesa shkoi rreth 49 ton.
Kur erdhi avioni për t'i marrë?
Ishte ende pa zbardhur data 6 mars, kur na çuan nga gjumi për të filluar nga ngarkimi i tij. Me sa dukej ai ishte ulur aty afër mëngjesit. Më kujtohet se të huajt dhe një pjesë e ekuipazhit që priste avionin, flinin në hotelin aty pranë. Një hotel goxha i mirë që kishte në krye të portës së jashtme emrin "Maloku".
Gjeografia e çuditshme e eksporteve të MEICO-s
Pas tragjedisë së Gërdecit, opinioni njihet dita-ditës me misteret e tregtisë së MEICO-s. Nga aq sa është zbuluar deri tani, është interesante gjeografia e eksporteve të saj me partnerët e huaj. Tregtia e panjohur e municioneve dhe armatimeve të MEICO-s me republikën islamike të Iranit, e zbardhur në numrin e sotëm të gazetës, është vetëm një nga transaksionet misterioze të saj. Armatimet e municionet shqiptare, siç bëhet e ditur së fundi, kanë mbërritur në të gjitha skajet e globit. MEICO madje ka guxuar t'i çojë ato edhe në vendet e penalizuara me embargo nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Ka ndodhur që për këtë, të ndëshkohet nga operatorët e huaj. Ndëshkimi më i fundit ka qenë ai i vitit 2003, ku institucionet ndërkombëtare kanë konstatuar eksportin e municioneve shqiptare në Sudan. Megjithatë, aventura e MEICO-s dhe suportit shtetëror e politik të saj, nuk është ndalur. Eksportet e saj vetëm tre vitet e fundit kanë qenë prezent në mjaft zona të nxehta e në konflikt. Vetëm në vitin 2006 MEICO ka eksportuar drejt Gjeorgjisë plotë 130 milionë fishekë. E çuditshme është ndërkaq ngarkesa e municioneve shqiptare drejt Argjentinës e Ruandës, e cila është konfirmuar tashmë edhe zyrtarisht. Gjithsesi, mbetet ende shumë për të zbardhur aferat e plota të kësaj ndërmarrjeje fantazmë.