E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e rrëmbyesve deklarohet e zhdukur

• Zhdukja e vajzës 17-vjeçare të familjes Nuhu, prej pak ditësh është motivi që solli pengmarrjen e Arenc e Kristaq Jorgjit mbrëmjen e së premtes në Kuçovë.

KUÇOVE / DILAVER XHELILI

Vetëm pas zbulimit të pengjeve është zbardhur dhe shkaku i ngjarjes së rëndë që alarmoi qytetin e vogël. Siç duket dhe nga shenjat në fytyrën e pengjeve ata janë dhunuar, duke iu kërkuar llogari për vendndodhjen e vajzës, e cila deri 3 muaj më parë ka qenë e lidhur me 20-vjeçarin Jorgji. Policia arriti t'i prangosë autorët në më pak se 4 orë nga rrëmbimi i at e bir. Ata janë Xhevit Nuhu, 56 vjeç dhe nipi 20-vjeçar Floriani, ndërsa në mbrëmje u dorëzuan dhe dy persona të tjerë, Arben dhe Doran Nuhu. Sipas policisë, një mesazh i dërguar familjarëve nga ana e Arencit, ka vënë në dijeni në kohë ata për çfarë kishte ndodhur. Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur rreth orës 20:00 të së premtes, pasi babai i vajzës ka dyshuar se 20-vjeçari kishte dijeni se ku ndodhej e bija, nisur nga fakti se ata kanë qenë të lidhur mes tyre. Por, ndonëse djali ka deklaruar se tre muaj më parë ishte ndarë me vajzën, E.Nuhu, gjimnaziste në vitin e tretë, nuk kishte dijeni për të, ky fakt nuk është besuar nga familjarët e saj. Ata kishin marrë të dhëna se adoleshentja ishte larguar drejt Tiranës me një shokun e saj, duke hedhur menjëherë dyshimet te djali me të cilin ka pasur lidhje. Për këtë arsye kanë planifikuar rrëmbimin bashkë me të atin, me mendimin se pas presionit do të tregonte të vërtetën. Familja e vajzës, ndonëse ajo ishte larguar disa ditë më parë, nuk kishin bërë denoncim në polici për të. Përballë mohimit se ka gisht në këtë çështje, të afërmit e vajzës e kanë futur të riun bashkë me të atin në furgonin-taksi në pronësi të Xhevit Nuhut. Me shpejtësi, makina është larguar nga qyteti i Kuçovës, duke përfunduar në fshatin Mushovë të komunës Sinjë, rreth 20 km larg Beratit, nga ku e kishte origjinën Nuhu. Gjatë momentit kur ndaj dy të rrëmbyerve po ushtrohej jo vetëm presion psikologjik, por dhe dhunë fizike, Arenci mësohet se ka mundur t'u dërgojë familjarëve një mesazh nga telefoni për atë që po u ndodhte. Sapo pengmarrësit e kanë kuptuar këtë veprim, i kanë lidhur duart 20-vjeçarit. Ndërkohë, policia kishte marrë njoftimin. Policia e Kuçovës e më pas dhe ajo e Beratit, si dhe vetë kryepolici Shemsi Prençi, janë angazhuar në operacionin për gjetjen e pengjeve, fati i të cilëve nuk dihej si do të përfundonte. Identifikimi i mjetit dhe pronarit ka bërë që policia të sigurojë numrin e telefonit celular të Nuhut, të cilit i kanë kërkuar të dorëzohet, se ishte i rrethuar. Një sinjal nga banorët e zonës së fshatit Mushovë për një makinë buzë rrjedhës së lumit të fshatit çoi forcat e rendit në vendngjarje, duke bërë lirimin e pengjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›