E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: Amnistia fiskale është pazar elektoral

22/04/2011  Socialistët bojkotojnë votimin

Opozita në seancën e djeshme parlamentare ka bojkotuar votimin e projektligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor”. Partia Socialiste vendosi për të mos e miratuar draftin e qeverisë për amnistinë fiskale, pasi sipas saj, ky ligj po përdoret nga qeveria për fushatë elektorale. Deputetët socialistë kanë deklaruar më tej se nuk do të votojnë asnjë projektligj të propozuar nga mazhoranca, ndërsa në lidhje me amnistinë opozita ka pohuar se kjo është një manovër elektorale e qeverisë në prag të zgjedhjeve. Deputetja e PS-së, njëkohësisht nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, Mimi Kodheli, në fjalën e saj në seancën e djeshme theksoi se PS-ja është kundër sjelljes të dy projektligjeve që përplasen me njëra-tjetrën. “Kjo është një tentativë për ta bërë opozitën fajtore që nuk bëhet palë e një pazari qeveritar. FMN dhe Banka Botërore kanë folur për kujdesin që duhet treguar për efektin negativ që mund të sjellë amnistia fiskale duke përmendur këtu edhe ndjesinë e pabarazisë që mund të promovohet mes qytetarëve”, u shpreh Kodheli. “Opozita shqiptare ka vullnetin e plotë për një amnisti fiskale në Shqipëri. Por, kur kemi folur dhe flasim për këtë proces, nuk kemi parasysh këto dy projektligje që qeveria solli para pak ditësh. Opozita kërkon një amnisti reale dhe jo populiste. Qëllimi i projektligjit është përfitimi elektoral dhe kjo është e padrejtë”, shtoi Kodheli. Ndërsa për Pandeli Majkon, votimi i këtij projektligji jo vetëm po bëhet për shkak të fushatës zgjedhore, por gjithashtu ky projektligj i hap rrugë legalizimit të aktivitetit të mafies në vendin tonë. “Me këtë ligj nuk do të trajtohen të gjithë ata që janë të dënuar me ligjin antimafie. Mirëpo koncepti i mafies, ose ata që punojnë në të zezë, është më i gjerë”, tha Majko. Menjëherë pas votimit për shtyrjen e punimeve të komisionit hetimor parlamentar për ngjarjen e 21 janarit, Majko theksoi se “faktori ndërkombëtar ka vlerësuar se më 21 janar nuk ka pasur puç shteti.” Dhe sipas tij, shtyrja e këtij afati është po aq e pamoralshme sa edhe ngritja e këtij komisioni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›