E Diel, 1 Nëntor 2026

“Unë, karremi i bandës, Klodian Saliu më detyroi të lidhesha me Marsel Soitirin”

22/04/2011  Dëshmia e plotë e Valbona Jahos në Prokurori

“Me Klodian Saliun jam njohur me anë të një shoqes sime, pas ardhjes nga Skrapari në Durrës. U njohëm dhe u lidhëm për disa kohë me njëri-tjetrin. Fillova të punoja në një rrobaqepësi që kishte Klodi me vëllezërit. Pas disa javësh, Klodi më thotë se duhet të shkoja bashkë me familjen në plazh me shtëpi me qira. Madje, më dha edhe një foto, të një personi që quhej Marsel Sotiri dhe më tha se duhet ta peshkoja dhe të lidhesha me të. Këtë duhej ta bëja pasi ky person i kishte vrarë vëllain e Klodit. Më kërkoi të dilja përditë te pista “Iliria” derisa të arrija ta bëja për vete Marselin. Nuk pranova dhe të gjitha këto ia rrëfeva motrës sime. As ajo nuk pranoi dhe më tha që nuk do e bësh një gjë të tillë. Më pas takoj Klodin dhe i thashë që nuk e bëja, por ai më kërcënoi se do më vriste nëse nuk e bëja. Fola dhe me motrën dhe vendosëm të shkonim te shtëpia në plazh, bashkë me prindërit, motrën dhe dy fëmijët e vegjël të motrës, në shtëpinë që na kishin gjetur njerëzit e Lul Berishës. U thashë prindërve që të shkonim te shtëpia që na kishte gjetur dhe paguar Klodi dhe ata pranuan. Ata e dinin lidhjen tonë. Klodi më kishte porositur të mos thosha gjë që rrija në Durrës dhe të mos tregoja se isha e dashura e tij. Marseli nuk duhej ta merrte vesh. U shpërngulëm në shtëpinë e plazhit. Fillova të dilja përditë për të pirë kafe te pista, me qëllim që të bëja për vete Marselin. Arrita ta bëja për vete dhe pas disa kafesh, ai më kërkoi të më shoqëronte për në shtëpi. Atë natë që më shoqëroi për në shtëpi, më la te rrugica dhe ndërkohë që po hyja për në banesë, dëgjova të shtëna armësh. Vetëm ditën tjetër mësova se ishte vrarë Marseli. Klodi kërkoi që të largoheshim që andej dhe të merrnim shtëpi tjetër në Durrës. Më pas më mori Klodi dhe vëllezërit e tij. Pas disa kohësh më çuan në Itali dhe aty më kanë përdorur si prostitutë për dy vjet. Kam folur me motrën në telefon dhe ajo i ka kërcënuar se do shkojë në polici nëse nuk më kthejnë në Shqipëri. Jemi kthyer në Shqipëri dhe më kanë mbajtur peng për dy muaj e gjysmë, derisa përfundoi procesi i Klodit, se kishin frikë se më merrte policia si dëshmitare. Motra ime ka tentuar të bëjë denoncim, por ka qenë Nard Koka që i ka kërkuar të tërheqë denoncimin se isha mirë. Më kanë bërë të mundur të flas me motrën vetëm 10 minuta, në këqyrjen e Indrit Taullajt e Endrit Dokles, ndërkohë që ndërruam unazat me njëra-tjetrën me qëllim që familja të besonte që isha gjallë. Gjatë gjithë kohës që më kanë mbajtur peng, jam përdhunuar çdo ditë nga Endrit Dokle. Më kanë mbajtur peng në shtëpinë e vjehrrit të Lul Berishës. Pas daljes së Klodit nga burgu, jam arratisur nga shtëpia ku më mbanin peng dhe për katër vjet nuk kam dalë nga dera e shtëpisë. Madje nuk dilnim as me motrën, pasi kishim frikë se po të dilnim të dyja na vrisnin për gjithçka dinim”, përfundon dëshmia e Valbonës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›