E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, pse Moisiu vlerësoi Mehmet Shehun

Autori i Lajmit: Redaksia
Deklarata e ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu, se Mehmet Shehu ka qenë kryeministri më i mirë që ka pasur Shqipëria, kanë shkaktuar reagime të forta në Tiranë.
Menjëherë pasi deklarata e ish-presidentit Moisiu u bë publike në media, përfaqësues të shoqatës së të përndjekurve politikë, protestuan menjëherë pranë banesës së ish-presidentit të Shqipërisë.
Në këtë protestë ka marrë pjesë edhe Simon Miraka, drejtor i Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit. Të përndjekurit janë shprehur se Mehmet Shehu nuk mund të konsiderohet si kryeministri më i mirë që ka pasur Shqipëria, pasi ai ka qenë pjesë e krimeve të kryera nga regjimi komunist. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-presidentit Alfred Moisiu.
Ai ka thënë se vlerësimi i tij për Mehmet Shehun është bazuar në aspektin e qeveritarit dhe të organizatorit dhe jo në aspektin kriminal.
“Unë mendoj që si qeveritar dhe si organizator nuk dihet se kur Shqipërisë do ti vijë një figurë e tillë”, ka përsëritur ish-presidenti Moisiu.
Ai ka thënë se nuk merr përsipër të flasë lidhur me anën kriminale të kësaj çështje, por vetëm për aftësinë organizative të Mehmet Shehut.
Ish-presidenti shprehet se incidenti mund te jete keqinterpretuar qellimisht, duke e cilesuar si sulm ndaj tij per te zbehur vemendjen nga zhvillimet politike

Çfarë tha ish Presidenti Moisiu

Një personazh i rëndësishëm me të cilin keni bashkëpunuar ishte edhe Mehmet Shehu. Cila është përshtypja juaj për këtë figurë historike të Shqipërisë?
Moisiu: Unë u kam thënë kryeministrave me të cilët kam bashkëpunuar dhe të tjerëve se për mendimin tim, unë mund të jem i gabuar nuk e di, por këtë mendim e kam, që si organizator, si drejtues, qeveritar, unë nuk e di kur do ti vijë një figurë e tillë. Nuk flas për anët e tjera, për anën kriminale e të tjera. Flas thjesht për anën organizative të tij dhe metodën e punës që kishte ky njeri. Si studionte, si punonte dhe si drejtonte. Ka qenë një figurë, për mendimin tim, shumë polivalente nga kjo anë. Dhe ai kishte metodë të tillë, siç na e ka treguar vetë. Natën thoshte, mbaj një bllok në komodinë. Natën më vjen një mendim dhe e mbaj shënim me stilolaps. Edhe në makinë nxirrte stilolapsin e mbante shënim. Ishte shumë sistematik, tepër sistematik dhe burrë i zgjuar. Dinte, siç thashë, pesë gjuhë të huaja, spanjisht, frëngjisht, anglisht, italisht dhe rusisht. Dhe gjithmonë atë e gjeje me libra në duar, edhe në kohë pushimesh... (Emisioni “Antinomi”)

Ky lajm është publikuar: 02/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›