SHKB, përplasje për kompetencat e mëdha
Ashtu siç pritej projektligji për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm ka shkaktuar debate tejet të ashpra dje në sallën e Kuvendit. Opozita ka shprehur kundërshtimin e saj për këtë projektligj, duke i kërkuar më shumë shpjegime mazhorancës dhe konkretisht ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Ky i fundit gjatë përgjigjeve të tij, ka theksuar se ky projektligj shërben për përmirësimin e punës së SHKB-së ndërsa për amendamente e paraqitura nga opozita. Nishani tha se janë marrë parasysh propozimet e opozitës dhe ky projektligj nuk atakon asnjë institucion, përkundrazi është marrë mendimi i të gjithëve. Ministri i Brendshëm ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet se po kërkohet të kontrollohet institucioni i policisë së shtetit, duke u shprehur se prej mese një viti e gjysmë, policia ka ligjin e saj dhe funksion mbi bazë të tij dhe jo të instrumenteve politik. Ministri theksoi se SHKB-ja ka të drejtë të ushtrojë kontrollin ndaj këtij institucioni, i cili nuk është më në varësi të ministrit për veprimet e saj operacionale. Gjithashtu duke vlerësuar në maksimum ligjin, Nishani është shprehur se kemi përmbushur standardet evropiane dhe kemi dhënë një kontribut dhe një risi në legjislacionin shqiptar. Ndërkaq, deputeti, Taulant Balla është shprehur se ku ligj kërkon të krijojë një shërbim të fshehtë, i cili do të cenojë rregullat e demokracisë. Sipas tij, ky draft i jep shumë kompetenca një shërbimi më shumë se çdo ligj tjetër i ngjashëm në botë. "Ky draft nuk sjell ndonjë risi por turbullon shumë kompetenca, ka mjaft mënyra dhe modele për të hartuar këtë ligj por ne nuk kemi pse krijojmë modele që nuk janë askund", është shprehur Balla. Idesë së ky ligj është bërë për të kontrolluar të gjitha institucionet e kanë theksuar edhe deputetët e tjerë të opozitës. Deputeti, Petro Koçi, ka deklaruar se po krijohen institucione të frikshme paralele dhe kjo është e dëmshme për një shtet demokratik. Ndërsa deputeti, Pirro Lutaj, theksoi se qëndrimi i opozitës për të votuar kundër këtij projektligji, lidhet me shumë objektiva të cilat i kemi paraqitur në amendamentet përkatëse të cilat nuk janë marrë parasysh nga mazhoranca. Sipas Lutajt, dështimi i Kryeministrit për ta kthyer SHISH-in në vegël të tij, e ka detyruar të forcojë institucionin e SHKB-së duke i dhënë më shumë kompetenca sesa i takon. SHKB i është dhënë e drejta të ushtrojë kontroll mbi veprimtarinë e të gjithë punonjësve të policisë duke filluar nga polici më i thjeshtë deri tek titullari më i lartë. Më tej, deputeti socialist është shprehur se ky projektligj krijon një piramidë dhe nuk merret vesh kush do e mbajë përgjegjësinë nëse nuk kryhen detyrat operative. Por pretendimet e opozitës janë hedhur poshtë nga deputetët e mazhorancës, të cilët me argumentet e tyre kanë deklaruar se ky ligj do të shërbejë për përmirësimin e punës në dikasterin e policisë për tu dhënë fund abuzimeve dhe shpërdorimeve. Projektligji për SHKB-në është debatuar mjaft në komisionet parlamentare dhe konkretisht në komisionin e sigurisë kombëtare i cili ka qenë komisioni përgjegjës. Opozita ka shprehur publikisht vonë kundër duke theksuar se nuk do të pranojë të jetë palë në krimin e institucioneve paralele dhe të frikshme siç po kërkon të bëjë mazhoranca. Duke i dhënë më shumë pushtet ministrit për të pasur nën kontroll të gjitha institucionet shtetërore dhe ato që nuk i binden me ligj krijon projektligje për ti kontrolluar në mënyrë indirekte siç po ndodh me projektligjin për SHKB-në.